Peshkopia, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta
të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e
lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht...Një
heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet...një heshtje që dhemb sidomos
kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë
të përvuajtur.
Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar
shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe
arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë
braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në
udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e
deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë
drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra
dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka
falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur. Kur varfëria dominon,
shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa
dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të
zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as
e pagjallë.
Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e
mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi të
rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të
të ikurve. Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat
termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së
ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra
hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të
pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi
universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin
e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës,
arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë
pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi
kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep
Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë
lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi,
banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende
estrada, Prefektura Posta...Përtej cdo objekti ka shumë histori të
pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të
pëshpërisnim dicka jo pa krenari.
Qyteti hesht edhe kur duhet të
tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të
thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e
studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë, shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur
përmendet tradita e gatimit, jetesës, pastërtisë. Qyteti hesht edhe kur
në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit...
Kur po ndërtohej Rruga e
Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën,
jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve
gjithashtu...asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga
projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e
ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri
objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet
të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte...e vetmja media lokale
transmetonte non-stop filmat: "Kapedani'' dhe '' Kumbari" madje kujtoj
se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë
shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.
Qyteti
që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore
kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja
që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte
pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga
dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që
s'ndal.
Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë
bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundem, nuk mundem, mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe
mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.
(Fotografoi Sokol Kallaverja)
No comments:
Post a Comment