Oct 29, 2016

Zgjimi

Kjo retro e shkurtër më kthen në një vit më parë dhe shkak për këtë refleksion u bë Atrida Ferketi,mikja ime shkodrane me të cilën na lidh një miqësi e pastër por mbi gjithcka është profesioni cka na mban edhe më fort bashkë pavarësisht distancave.Kauza që Atrida dhe mjaft të rinj dhe intelektualë shkodranë i janë përkushtuar, me emërtimin Zgjimi, në fakt duhet të jetë mbarëkombëtare pasi në qëndër të saj janë problemet që lidhen me drogën, sensibilizimin mbi rrezikun që vjen prej saj jo vetëm individëve përdorues apo kultivues, por mbarë shoqërisë. Zgjimi që më ngacmoi që nga Shkodra të cilës unë ia dua fort dialektin, Martin Camajn, dhe historinë e gjallë dhe traditën plot kulturë, duhet të jetë revolucioni që të zgjojë shoqërinë shqiptare përpara se droga të bëhet zoti ynë.
     Nuk është thjesht një retrospektivë por një optikë që më bëri ta jetoj atë minutazh përjetimi thellësisht duke ia parë madje edhe perspektivën e zymtë të një ngjarje si kjo që natyrisht nuk është as e para as e fundit edhe pse uroj të mos i ndodhë kujt.
S'di nga tia nis këtij rrëfimi edhe pse përjetova vetëm pak minuta nga ajo histori pothuaj 10-vjecare.Nga fëmijëria që vishte përmes fotosh muret e dhomës së spitalit ku shtrihej një trup 25 -vjecar ,apo nga adoleshenca e tij problematike?!Rinia pothuaj nuk dukej askund nga intensiteti problematik që sjell droga në shtëpi.Përreth trupit që pak orë do ta mbanin në këtë botë, sillej e ëma , një grua e hijshme të cilës lotët i ishin tharë por jo lutjet.Përmbi kokën e të birit rrinte një kryq i cili nuk e shpëtonte dot që kur droga i ishte bërë zot i jetës së tij.Pranë i rrinte ajo që mund të ishte shoqja e tij e jetës nëse jetën do ta kishte trajtuar ndryshe.Bukuria e moshës ,impulsiviteti dhe ndjenjat e përjetuara së bashku dukej sikur nxisnin atë pulsim instiktiv të një trupi po thuaj pa jetë.Një dramë 10-vjecare plot skena që nuk mundem ti marr dot me mend në ato pak minuta të ngrira ku trupi i ngrirë dhe dy femrat që thyejnë heshtjen me hapa si tik -taket e minutave mbrapsht që pulsojnë nën ritmin e pulsit që shuhet ,janë tragjikët e këtij akti të fundit jete që i është dorëzuar drogës së gjatë me të cilën ka injektuar jetën e shkurtër.Ai fëmija i bukur në foto plot jetë dhe ëndrra, plot dashuri e dëshira prindërore,plot festa e dhurata, plot buzëqeshje e mrekulli familjare, nuk ishte më sepse kishte vrarë të nesërmen e vet.Fillova pak nga pak  të kuptoj pse nëpër mure ishin vënë vetëm foto të fëmijërisë së tij,ndoshta sepse aty kishte mbetur pafajësia .Nëpër rrudhat e nënës shihej lehtaz pjesa tjetër e jetës së djaloshit që droga e kishte shndërruar në rebelin e dhunshëm që vriste pak nga pak qetësinë, ekonominë dhe harmoninë familjare me pluhurin marramendas që vret jetën.Mjeku hyri me kokën ulur, ia preku ballin e akullt dhe doli shpejt si për t'ju shmangur lutjeve pa jetë për jetë të nënës.Infermjeret hynin pareshtur, kontrollonin aparaturat që mbanin në jetë atë trup ku cdo jetëz kishte vdekur.Ia celnin syte e mshelur dhe ulnin sytë poshtë kur nëna e lodhur i shikonte në sy me shpresë të fikur.
Ika në shtëpi, ua tregova djemve, dhe cmova fort faktin që kemi vec Zotin Zot.Pak ditë më vonë kalova jo rastësisht aty. Dhoma ishte bosh, i riu nuk jetonte më, drama e tij tragjedi jeton në vargjet që i shkruajta pas atij përjetimi që më preku aq fort.  (tetor 2016)
Ai…ajo…në shtratin e pashpresë.

Ajo e lidhur me pranga në shtratin e shpreses.
per ti thënë: jo! vdekjes që josh me iluzionin e bardhë.

Ai ...dorëzuar errësirës së saj të përjetëshme
me heshtjen e pafuqisë që ngadalë i ndal
cdo fije jete.

Ajo...nuk din pse është aty.
zvarriten fjalët si gjaku që në helm shndërrohet
pas cdo hapi që nënës nuk ia dëgjoi lutjen,
as brengës nuk ia ndjeu lotet...

Hesht iluzioni i bardhë
kur jetës shpresën ia shterr...
as lotet e nënës përmbi shtratin e gjatë të lutjes
nuk ia kthejnë dot gjallërine e rinisë,
as të lehtin vrap
që gabimisht rendi
drejt iluzionit te bardhë
që jetës ia fshiu bukurinë, ngjyrat, ëndrrat...

Marjana 2015

No comments:

Post a Comment

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...