Oct 29, 2016

Te oborri i gjyshes me veshje stergjyshesh

Jeta mes gjyshesh, një fenomen ndofta jo vetëm shqiptar që i ka rrënjët në organizimin e familjes, këtij institucioni legjitim të të gjitha kohërave, është një tjetër instrument e pse jo edhe vlerë që na identifikon si komb. Në dukje shfaqet si rritje e sigurt por në thellësi mbart elemente që i duhen risjellë shoqërisë së sotme që po zvetënohet nga risi pa parime që nuk ia kanë thithur sic duhet tharmin jetës. Portretet e plakura, fisnike, të lodhura, domethënëse të gjysheve përvec viteve të gjata mbartin mjaft jetë të cilat na ushqejnë jo vec me receta gjellësh të shijshme por edhe me copëza krenarie, sekretesh, thesare të fshehura fjalësh të pathëna.Kur gërmoj në sundukun e gjyshes, si nëpër themele familjesh ku rrënjët qartazi dëshmojnë thellësinë dhe fortësinë e saj aroma e luleve të thata që zhdukin molën brejtëse, më shfaq hiret e vajzërisë të ndrojtur ku rregullat ishin ligje që udhëhiqnin dhe edukonin parime. Edhe nusëria e brishtë është po aty nëpër foto të zverdhura nga koha bardhë e zi dhe përbetimet besnike që martesën e klasifikonin si sakrificë dhe përkushtim prej nga rrjedh familja, kjo rezultante që gjeneron jetën dhe dashurinë. Gjithcka aty është relike, brilante, antike, e shenjtë. Aty heshtin vuajtjet që sistemet e padrejta shkaktuan , është naiv reflektimi i tyre për kohën që lanë pas, por është krejt i sinqertë dhe paqësor mendimi i tyre për familjen, dashuria për fëmijët, përkushtimi deri në vetmohim për gjthcka familja krijon. Në sundukun e saj shoh një galeri të tërë muzeale që vizaton, gdhend, dëshmon të shkuarën e saj vetmohuese ku e vetme ruajti nderin dhe rriti fëmijët me një bashkëshort emigrant politiko-ekonomik që nuk mundi të kthehej kurrë pranë saj jo se nuk deshte, por se nuk mundi. Sot kur shumë nga dramat familjare burojnë pikërisht prej emigracionit, historia e saj dëshmon se nderi nuk është një betejë e humbur, por një fron i lartë që edhe më sublim e bën sakrifica. Më vjen ta përqafoj fort pas cdo mendimi që më thotë se si njeriun nuk e lartëson vetëm paraja, suksesi, karriera, fama, por gjithcka që jeta e tij/saj dëshmon. Kur i sheh në sy, kur ke kohë ti dëgjosh, flasësh, pyesësh dhe bashkëbisedosh me to me siguri që do të marrësh qindra fjalë e mendime që përmbajnë pluralizmin kohor. Ato janë objekti ku kohët puqen edhe pse traditat janë të ndryshme, edhe pse shijet ndryshojnë. Pikërisht aty, në jetët e tyre të rrudhura, të plakura, të mistershme, të lodhura, të paplota e plot mundime rrin gjithmonë zgjuar vështrimi dhe shpresa kah e ardhmja nëpër përkundje djepi, ninulla fjalësh,sunduke relikesh ka gjithmonë një ëndërr urimi për fëmijën e fëmijës së fëmijës që para gjyshësh mbetet përherë fëmijë edhe kur thinjat ta mbulojnë.Pranë tyre provojmë mirnjohjen, njohim respektin dhe cmojmë sakrificën si trashëgimni jo e tundshme por e patundshme pasuri që nuk ka moshë pasi është përherë e artë. Gjyshet tona...a nuk janë ato festivali barok ku jeta i thur himn e melodi jetës!

Marjana Bulku

No comments:

Post a Comment

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...