Eshtë i pashmangshëm akti i të kthyerit të kokës prapa kur ikën prej
nga një vend që ka qënë mjedisi yt. Sa më tepër i largohesh,aq më shumë i kthehesh me një shikim, kujtim, mall, brengë, ëshirë rikthimi. Kështu
vepruan të gjithë Ata, para nesh, ndoshta edhe ato pas nesh, ndonëse
uroj që kjo ''hemoragji'' disa shekullore që zanafillat i ka me 250,000
shqiptarët e parë të ikur menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, të mos
vazhdojë më edhe pse histori liderësh të mëdhenj që bien po përsëriten .
Është i paharruar përqafimi i fundit me shtëpinë, njerëzit e dashur, të
paharrueshme përpjekjet e një jete të gjatë që nuk janë vetëm
kujtime,por edhe lumenj djerse, biseda të ngrohta, të nxehta, të
ftohta...me miq, nga ata që koha i ve në provë. E pamundur të
ecësh me ritmin e një jete që vrapon pa menduar për atë ritëm që të
ndiqte dhe e ndiqje rrugës së gjatë për të ndërtuar atë që është
piksynimi i cdo qelize shoqërore (familje), jetesën apo ndoshta edhe
mbijetesën.
Unë ëndërrova Shqipërinë Zonjë!
Nuk e gjeta kurrë në fjalime pompoze, parrulla shkruar me aq mund faqeve malesh, muresh...
Nuk
më mjaftuan vargjet e Naimit. Ishte shumë larg për tia numëruar majat,
lisat, bagëtinë, dhimbjet, historitë jo vetëm ato të lashtat e vetëm
malli ndonjëherë nuk mjafton...
Nuk arrita ta takoj atë as në
vargjet e Cajupit, ishte shumë i brengosur për tia zbuluar nurin, edhe
pse traditat, mangësite e zullumet ia dinte si askush tjetër dhe satira
e tij ther.
E kërkova në vargjet e Serembes dhe zbulova dramën e trefishtë shqiptare, atë të shqiptarit këtu, atje, pa atdhe.
U
dashurova me veprën e Martin Camajt edhe pse ftohtësia hermetike e
izolimit e ndau nga lexuesit e vet dekadash. ''Kur të vdes do të bahem
bar'' më rrëfen se sa e pamundur ishte ëndrra për ta parë, takuar atë
Shqipërinë Zonjë.
Duke ëndërruar Shqipërinë Zonjë përshkova tej e per tej Fishtën, Konicën, Poradecin...
Dhe në këmbim të ëndrrës mora brengën e Fishtës deri ne dëshpërim, tragjizmin e Pashko Vasos, multidimensionalitetin
e Konicës si thesarin e kultures shqiptare që nëse e zbulon mbart jo
pak vezullime të asaj Shqipërie Zonje që cdokush do donte ta shihte, e
ndoshta arsyjet pse nuk mundem ta shihnim. Yjet që vallëzojnë përmbi
liqenin e qetë e të trazuar të Poradecit gdhendën përfundimisht një
qytet shqiptar që duhet vizituar dhe ndoshta vargu i tij piktoresk i dha emrin, madhështine, magjinë...Kur më merr malli për
Shqipërinë Zonjë i drejtohem gjithmonë një rafti me libra...Ekskursioneve fotografike nuk u besoj më...sepse aty nuk e gjej kurrë
ate zonjën Shqipëri ku syri është subjektiv, gënjeshtar, e shpesh here
joshet nga vezullime e shkëlqime të rreme. Mendja ime kërkon fjalën, atë
që gdhend shqiptarin e mirë, të hijshëm, të ndershëm,punëtor, familjar,
të besës, trimin, të drejtin ,të përvuajturin, atë që ringrihet mbi
padrejtesinë për të mos u viktimizuar, por edhe atë që nuk bën
protagonistin duke u viktimizuar...
Kërkimi është i
vështirë...Botimet shqiptare jane intensifikuar vitet e fundit.
Personazhet jane shumuar,por jo fatet që përgjithësojnë. Të gjithë
shkruajnë, por pak e dëgjojmë dhe lexojme njëri-tjetrin, reklama shet
produktin dhe jo gjithmonë atë më të mirë. Multipromocion...dhe në
kushtet e mungesës së oponencës në botim lexuesi e ka të vështirë të
jetë kritik e të mireorientohet në tregun kaotik. Liria e përzgjedhjes
ndonjëhere ''vret'' dhe viktima zakonisht është e ardhmja...
Prandaj
unë dua të lexoj për Shqipërinë Zonjë, t'ju tregoj fëmijëve të mi që po
rriten këtu (larg Shqipërisë), miqve që nuk e njohin Shqipërinë, atë
zonjën, legjendaren, krenaren...Kur multimedia nxin prej lajmesh që
shokojnë...intensifikoj kërkimin dhe shfletoj paragrafe që dua ti ndaj
me të tjerë, tekste dhe autore që i mbaj udhëtimeve si pjesëza të
identitetit tim të copëzuar tashmë në kohë dhe hapësirë. A nuk është kjo
''drama'' e cdo shqiptari brenda dhe jasht Shqipërise në epoken e
globalizmit ku liria e lëvizjes shpërngul dhe lëviz vlerat e identitetit
tonë?! Veprat e shkruara janë një produkt i mirë që flasin, gdhendin,
ndërtojnë imazhe që mund ti shohësh, përjetosh edhe pse larg në kohë dhe
distancë...Vlerat që na bashkojnë, ato që jetojnë më gjatë se ne janë
aty nëpër fletët e shumta të një libri që ti e zgjedh jo spontanisht
nëpër tregun kaotik.
''Në kostumet e tyre ,gratë shqiptare janë të shkëlqyera me një
hijeshi të jashtëzakonshme dhe të bukur.Qëndisma të pacmuara të
dantellave,mëndafshit dhe ngjyrave të shndritëshme e zbukurojnë pamjen e
tyre krejt ,krejt të vecantë'' -kështu do të shkruante amerikani Charld Telford Erickson mikut të tij gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri...
''Këtu
shoh burra që janë aq krenare për vendin e tyre ku besnikeria ,vyrtytet
dhe pastërtia morale në jetë kurrë nuk mund të vihet në dyshim'' (citim nga ''Jeta e jashtë zakonshme e amerikanit Charles Telford
Erickson kushtuar Shqipërise'' nga Mal Berisha fq 30, fq 33).
Përpara se të themi përshëndetje dhe lamtumirë në një botë jo të
përkryer le të ndalemi e të kujtohemi se ekzistojnë gjurme të të mirës,
thelbi i fshehtë i të cilës nuk duhet braktisur edhe nëse endet andej
-këtej, ekzistojnë disa ''fluturime'' që mundësojne formësimin e saj. Kur duam që veten ta shohim të bukur dhe realiteti
sillet kërcënueshëm, nëpër mendje sjell letërsi, autorë, artistë, akte
të thjeshta plot kuptim që edhe pse nuk janë në fokusin e mediave dhe
vemendjes, kujtesa njerëzore duhet ti krijojë terren që Shqiperia Zonjë,
ajo që ndoshta unë nuk e gjeta dot. që kurrë nuk na e ndërtoi politika
dhe qeveritë, le të jetë akt i krijimtarise humane në cdo fushë. Këtë
po, ne mundemi ta zhvillojmë edhe në biseda të thjeshta.
Të bukurën në cdo gjë!
Faleminderit të gjithë atyre që mundësojnë me shpirt dhe vepra një gjë të tillë.
Marjana Bulku
Janar 2014
No comments:
Post a Comment