Ditët tona...A nuk i përkasin ato atij lloj komunikimi që duket se i ka kapërcyer konturet e një akti, duke u shndërruar në një proces gjatë të cilit përdorimi i fjalëve, tingujve,sjelljeve, transmeton kaq shumë ide , ndjenja dhe mendime aq sa gjëja më e vështirë por edhe e domosdoshme në të njejtën kohë, është si të jesh selektiv ?!
Ky proces që ndjek ditë tona të cilat rendin për diku ...në vendin e dëshiruar, ëndërruar,të pamundur,të ndaluar...atje ku historitë flasin, heshtin,errësohen,ndricohen,artificializohen, trukohen, mjegullohen dhe zhduken për t'u rishfaqur prapë si për të na humbur fijet e jetës prej nga vijnë.
''Ekziston një vend, diku në fëmijëri ku ti kthehesh e rritur sepse të ka ngacmuar përherë ajo lartësi kujtese duke të zgjuar përfytyrime që mund ti përjetësosh edhe në një art të thjeshtë prej guri që nuk lëviz por ngjyrat i ndryshojnë''.
...- Do të thoshte artisti që edhe të rëndomtën e zakonshme e shndërron në vepër plot kuptime të shumfishta ku identiteti ka përkatësinë e origjinës.
Ky lloj autenticiteti që shkon në origjinën e llojit mos ndofta është kyci prej nga ku enigmat rrjedhin e zgjidhen , nyjëzohen dhe clirohen?!
Sa herë që mendoj mbi autenticitetin ka gjithmonë një legjendë shqiptare që më vjen në mendje; është Rozafa.
Akti i saj na shfaqet përditë kur jeta ushqehet me jetë dhe sakrifica në mbrojtje të saj.Rozafa vazhdon të mbetet simbol i vazhdimësisë së jetës në kushtet e tradhëtisë , këtij vesi universal që i shoqëron shpesh humanët edhe brenda llojit më të ngushtë të organizimit të tyre; familjes.
...E megjithatë jeta lulëzon prap edhe nën gurë ''thotë muralja e gurtë përmes një mesazhi që jeton përtej subjektit objekt që për fat të mirë lartësohet në kalanë e Shkodrës shqiptare Rozafë.Eshtë padyshim legjenda shqiptare që shpjegon kaq shumë mbi tiparet tona , sakrificat në emër të familjes, këtë dashuri që e bën jetën sublime.Sa shumë mendime të vjetra dhe të reja burojnë përballë atij akti që e gdhendi legjendën në art, histori, debat të të gjitha kohërave.
Autenticiteti i ditëve tona që rendin plot bujë e zhurmë drejt fytyrave të bukura, të fikura që duan të bëhen qendër e mendimeve sipërfaqsore dhe të castit , më shpie ta kërkoj të bukurën përtej bukurisë së jashtme , në vlefshmërinë e saj , drejt vargut të mendimeve që e bukura nxit apo të opinioneve konstruktive që ajo ndërton.
Sa autentike është fjala, tingulli,ngjyra, shenja , ajo cka të bën ta dallosh identitetin tënd edhe në mes të katrahurës, heroinën në mesin e protagonizmit duke u viktimizuar.Asgjë nuk është luks në këtë amalgam ku helmi dhe melhemi janë bashkë. Si ta identifikosh objektin , subjektin në sajë të tipareve që burojnë së brendshmi dhe jetësohen së jashtmi...
Sa herë që bukuria performon ,,,duke u shndërruar edhe në pushtetin pas të cilit gjithkush kthen koken (Jakov Xoxe ''Lumi i vdekur'') unë fiksohem pas Tanushës, Deas, Shotës,Musines...( do doja të takoja edhe të tjera të gjalla që frymëzojnë)Ato nuk ishin Helena , dhe më mirë që nuk ishin ashtu.Ato u shnderruan në simbole të asaj bukurie që trashëgohet, evoluon,frymëzon duke u bërë edhe më e bukur nëse i vesh tiparet e kohës që jetojmë, më të bukurat tipare të bukurisë jo si pushtet por si peshë vlerash . ''Looking back and moving on''si përjetësim i pasurive që trashëguam, atyre që kohët nuk na lanë të trashëgojmë.Ky dhunim i të drejtës mbi pronën pasuar nga ditët që jetojmë na kaotizon përsëri e përsëri...
Nuk është kohë fluturimesh dhe abstragimesh e di, e ndoshta të flasësh për art e zbukurime në kohë të tilla është luks,por në kushtet kur realiteti dhunon psikologjinë, moralin, ekonominë, qenien sociale, shëndetin , ardhmërinë ,ikjet nga ky lloj kompleksiteti janë shërim dhe edukim.
Ikin, le të ikim,po ikim, ikën , do të ikin... Po për ku?
Po sikur të ikim andej nga rrënjët tona?''Gjethet zverdhen dhe bien, pragu dhe rrënjët mbeten përherë aty prej nga ku jeta gjallon e rruga që ti shkel nuk është kurrë një e panjohur.
Janë ca tinguj, ca fjalë, ca ngjyra, ca sjellje ...ato janë si rrënjët , si pragu të rrisin e s'të lejnë kurrë të paemër.
Ditë tona ikin dhe do ikin përherë andej prej nga ku jeta nuk shteron kurrë.Autenticiteti i tyre është edhe një valixhe që udhëton bashkë me dilemat e ikjes ku dashuria për gjërat e shtrenjta nuk ka ngjyrë as bileta vajtje-ardhje , natyrisht ajo është autentike aq sa nuk di nëse do të ketë krijues t'ia konturojë format dhe përmbajtjen diku mbi themele ëndrrash që lartësohen mbi dëshira në kushte dhe kohë pamundësish.
No comments:
Post a Comment