Historia, kjo strehë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, vazhdon të na tundojë më pikëpyetje dhe enigma, për fat të mirë. Them për fat të mirë, pasi interesi dhe kërshëria janë kundërpërgjigja më e mirë ndaj harresës në mënyrë që brezave që vijnë t’u trashëgohet, ndër të tjera, edhe historia, çka kërkon nga ne gjakftohtësi, memorie dhe arsyetim për t’u lënë atyre si trashëgim të vërtetat e pastra.
Ka një pyetje që
vazhdimisht më bren: A mos ndoshta shqiptarët shohin tek e kaluara të
ardhmen e tyre apo e tashmja po i çorodit kaq shumë, saqë nuk po mund të
orientohen të sigurt drejt së ardhmes?!
Sa peshë ka e kaluara në
jetën e re dhe të vjetër të një kombi, që historinë e vet ia la peng jo
pak herë politikës, që e “shet” të vërtetën lirë në një treg të
pandershëm kaotik bëmash, ku jo gjithçka është HISTORI, përjashtuar asaj
të shkuare që kurrë nuk vdes.
E vërteta, shpeshherë është brenda
nesh. Ajo nuk është pronë e askujt, ajo është pasuri e gjithkujt, thesar
për atë që di ta ruajë, ta mbrojë, ta shprehë. Më kujton euforinë e
viteve ’90, kur lirinë e mendimit e fituam të gjithë në një kohë,
vazhdoj ta konsideroj një dhuratë të shtrenjtë që duhet ruajtur me
kujdes. Në të është fjala dhe fjala, për mua, do të thotë “E VËRTETA”,
ajo që vazhdimisht sulmohet, dhunohet, fshihet, deformohet. E përtej
mjegullës së gjatë që fsheh pamjen reale, sa e vështirë të gjesh
gjurmët, ato që të orientojnë rrugëve, andej nga ku e ardhmja nuk është
utopi.
E vërteta nuk ka zot që ta komandojë, modifikojë, e vërteta është Zot i protagonistëve dhe ata duhet ta rrëfejnë atë kurdoherë.
Dua t’ju rrëfej të vërtetën
Ju
rrëfej të vërtetën, atë që fshihte dhe hiqte diktatura, atë që sulmojnë
dhe mënjanojnë pinjollët e saj në çdo kohë sepse koha është plurale,
ajo nuk ka fillim dhe fund, por ka njerëz të vjetër, të rinj.
Shikoni
këto dy fotografi, nuk besoj se ju duken si dy të ndryshme, janë e
njëjta foto, në të njëjtën ditë, të njëjtat gra, në të njëjtën ngjarje
(të vitit 1943), të gjitha delegate dibrane, të lodhura nga rrugëtimi i
gjate drejt Beratit ku organizohej Kongresi i Parë i Gruas
(antifashiste) shqiptare.
Po t’i shikoni këto dy fotografi, ku
njëra është marrë nga vepra me titull “Gruaja shqiptare në Luftën
Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa tjetra ne “sundukun” e gjyshes
sime, që foton e vjehrrës së saj, Lefe Kadiu, delegate e Dibrës, e
kishte ruajtur me shumë kujdes, duke e sjellë deri në ditët tona. Vëreni
ndryshimet. Të kushtëzuara nga formati?! U është hequr prezenca nga
fotografia, me ç’të drejtë?! Është ndryshuar portreti (koka e njërës në
trupin e një tjetre, përse vallë tërë kjo përpjekje e mundimtë?!
Përse gratë antifashiste në një botim të realizmit socialist, koha i formatonte keq, u fshihte portretin duke ikur prej reales? Përse fjalës së delegates nga
Zerqani, me emrin Lefe Kadiu, pas fjalimit te botuar pjesërisht në këtë
tekst nuk i vihet emri?! (fq 262 -263). Përse kontributet fizike,
mendore, shpërbleheshin me harresë kolektive?!Përse kaq pak thuhej/t Faleminderit!
Ta kemi trashëguar këtë tipar deri në ditët tona?!
DELEGATËT E DIBRËS, në
nëntor të vitit 1944, ishin bashkë me qindra gra të tjera nga e gjithë
Shqipëria që sakrifikuan jo pak në emër të idealit për çlirim. Ndjehem
mirë që të paktën me të vetmen foto që disponoj, ju rrëfej të vërtetën
ku aktorë realë janë gjithmonë ato që sakrifikojnë më shumë, ata që
anashkalohen lehtësisht.
Nuk paska pasur vend për te gjitha ne
faqen 264 te këtij vëllimi nga ku vetëm nëntë prej tyre panë dritën e
botimit. Po te tjerat?! Emrat e tyre?! Pasi te vërehen me kujdes te dyja
fotografitë vini re deformimet qe citova me lart.
Kërkojini, por kujdes, jo gjithmonë në librat e historisë mund të gjeni të vërtetën. Kërkojini
në sundukët e gjyshërve, ngacmoni kujtesën e tyre, ajo zgjohet,
gjallërohet, përtërihet kur ju trazon të shkuarën. Eh sa fat ti kesh
gjallë dhe pranë! Sot mendja e tyre nëse ka mbijetuar prej “pushtimeve
të regjimeve” është e lirë edhe pse jashtë çdo funksioni a detyre. Sepse
ashtu i trajtonte regjimi individët si prej materieje pa shpirt.
Regjimet, kjo e kaluar e errët që fshin dhe nxin kontribuuesit e saj zor
se mund të ketë të ardhme?!
Kjo kambanë ushton ende, ndonëse
pohohet se jemi shkëputur nga e kaluara, nga ajo që mohon pa arsye
protagonistët e vet. Kam bindjen se ky nuk është vetëm një rast, por jam
e sigurt se e kaluara ka projektuar diçka të ngjashme me këtë skenar në
ditët tona ku në çdo familje fshihen qëllimisht të vërteta që heshtin,
gënjeshtra që “ulërasin” regjimeve.
Të demonstrosh të vërtetën kur
ke jetuar në të, ke prekur dhe ndjerë atë, është detyrë qytetare. Ndaj
për çdo prag-mars ne nderim te 8 marsit ulem dhe shkruaj diçka me
dëshirën se gjithçka që përbën ngjarje duhet dokumentuar me fjalë, foto,
kronika apo falënderim e kujtesë.
Vitet ‘90 ishin një kthesë e
fortë jo vetëm në historinë e Shqipërisë, bota do të ndryshonte aks.
Thuhet rëndom se gratë ndjejnë ndryshimet dhe i përcjellin pa dorashka
ato në mjediset ku ndërveprojnë falë ekspresivitetit të lexueshëm që i
karakterizon nga natyra.
Në Dibër (oh sa herë nis e shkruaj për
këtë aspekt kam nevojë për oponencë) ndryshimet e ndrydhura nga
betonizimi i të vetmit institucion të kohës, Frikës, figuruan gratë e
para kundraregjim, ato që shumë shpejt do të emërtoheshin Lidhja
Demokratike e Grave dega Diber. Lirie Agolli, Neri Agolli, Emrie Skuka,
Nazmie Stojku, Lamiha Besatari, Mira Kurtaga, Flora Hoxha, Merita Kodra,
Besa Mera, Natasha Mazari, Sashenka Nazifi, Kize Zeneli (kryetarja e
pare e LDG dega Diber), ishin shumë. U bënë akoma më shumë ndër vite (te
gjitha janë në memorien time). Ndër meritat më të mëdha dhe të
pamohueshme, për të cilat nuk kam reshtur së falenderuari në mjediset politike apo festive të kohës, ishte, besoj se duhet të jetë ende: E drejta e grave për të advokuar, mbledhur, zgjedhur, folur, kundërshtuar, kërkuar, ndryshuar!
Kjo
ishte liria e munguar ndër vite, ishte “dhurata” që këto ZONJA ua bënë
shumë të tjerave në vitet që do pasonin, dhuratë lirie që vetëm atyre që
u ka munguar (ajo, liria)mund ta çmojnë dhe vlerësojnë.
Nuk mund
të mbetet në harresë, kurrsesi, kontributi e tyre prej të cilit
përfituan ato të ndrydhurat që persekutimi diktatorial ua kishte lënë
fëmijët pa shkollë, prindërit, të afërmit pa atdhe, pa varr, familjet pa
identitet, pa të ardhme. Në kujtesën time janë të dokumentuara të
gjitha veprimtaritë e LDG Dibër nga viti 1991, deri në vitin 2012, të
gjitha mbledhjet e mundimshme, takimet shpresëdhënëse, festat,
persekutimet, protestat, fitoret, humbjet, zgjedhjet, rizgjedhjet (të
gjitha këto objekt i një studimi të veçantë). Askush nuk është i privuar
të jetojë dhe përkujtojë realitetin, askujt nuk kemi të drejtë t’ia
cungojmë prezencën apo kujtesën. Gjithkush ka nevojë për vëmendje dhe
përkujdes për sa kohë është gjallë. Ky detyrim human përbën edhe
epërsinë tonë nga gjallesat e tjera johumane. Koha seleksionon ngjarjet
dhe individët, por jo pa kontributin tonë: mirënjohje, pendesë,
reflektim, kujtesë.
Falënderimi rrjedh, natyrshëm, pas akteve
korrekte, për të cilat shoqëria kishte dhe mbase ka vërtetë nevojë; pa
ia “prerë kokën” askujt, pa ia mohuar prezencën, pa ia penguar të
drejtën për tu mbledhur, zgjedhur dhe zgjedhe të tjerë.
Këto
fantazma të së kaluarës që gjallojnë në një realitet që gjithmonë e më
shumë ka instrumente që flasin(media, opinión qytetar, rrjete sociale),
fton qytetarinë të jetë aktive dhe e vëmendshme, e ndjeshme dhe e
arsyeshme për të qenë më pranë së vërtetës për t’i shërbyer më mirë
jetës dhe problematikës gjithnjë e në rritje me të cilën përballet bota
sot. Dhe qytetaria, ajo e vërteta qytetari flet, por me maturi edhe
kur politikës nuk i pëlqen, dëshmon përtej politikës, interesave të
saj. Jo e gjithë real-problematika është shkak apo produkt i politikës e
për rrjedhojë jo gjithmonë pasojë e saj. E nëse kjo nuk ndodh, atëherë
ajo shoqëri i ka humbur të dyja (qytetarinë dhe të vërtetën), për fat të
keq.
Që nesër, ajo (e vërteta) të jetë histori, lypset të
edukohemi me të, pa e urryer, paragjykuar apo mohuar. Me pjesëmarrje apo
indiferencë kjo është çështje e mundësisë, cilësisë, sasisë së lirisë
dhe nivelit të qytetarisë që ndryshon bashkë me kohën që ka si
protagonistë njeriun, atë që bën, shkruan dhe jeton të Vërtetën e cila
nuk është më bardh e zi si dikur, por plot ngjyra, jetë e gjallëri. (shkurt 2013)
No comments:
Post a Comment