Nov 6, 2018

Dialog i munguar me eterit


Po sikur gjyshi im të ishte gjallë?!
Është kjo ndjesia që më përshkon sa herë që shkel në Vatër, sa herë që shoh ato foto historike që për ne që jetonim matanë telash me gjemba ishin të ndaluara, të vdekura, tradhëtarë, agjentë...e çfarë nuk ishin.
Më duket sikur gjyshi im është gjallë...
Është ky dyshimi që më përshkon sa herë shkel në vatër ku takon ata që izolimit i ikën por kurrë atdheut. Duket sikur sejcili prej tyre ka mall, ka brengë , ka diçka të pathënë që koha, ikja, arratisja ia preu në mes.
Aty ora ka mbetur diku në vitin 195...
Është ky perceptimi im kur shoh jo luksin por librat, orenditë, gjithçka të mirmbajtur nga duar gjyshësh.
Kur dëgjoj Gjonin, Zefin Gjekën...fytyra e gjyshit të arratisur, bëhet një me ta. E njejta histori zhgënjimi me vendin e amës që bijtë ia braktisin një nga një prehërin e ngrohtë, i njëjti zemërim me kohën që pjell vetëm pushtete të padrejta që vret të drejtët, të diturit, ëndërrimtarët.
Kur çelet ajo portë qoftë edhe për të thithur ajrin e jetës apo pritur njerëz unë ndjej se nuk hyj kurrë vetëm. Me mua është historia e pashkruar e një të ikuri të cilin familja e quante të vdekur, madje as varrin nuk ia di, sepse ky është fati i kombeve pa zot, si ai i robërve endacakë ku portat e kthimit janë të mbyllura që në ikje.
Aty gjithçka shndërrohet në histori...
E shkruar ose jo, e pranuar apo e kundërta, teksa hyn e del prej Vatrës diçka ke marrë me vete domosdoshmërisht.
Është një vend ku bashkohen breza, histori dhe një popull që për fat të keq u mësua të jetojë i ndarë, edhe pse prej një gjuhë, një kulturë por pre flamujsh të ndryshëm, melankolish.
Aty ti mund të bisedosh me etërit...me ata të mohuarit, të sulmuarit, akuzuarit që për ne të përtej gjembave ishin të ndaluar.
Vonë, e di, është shumë vonë për të kuptuar pse mama kur isha fëmijë gjithmonë më thoshte se babai i saj kish vdekur, dhe unë ende vazhdoj të ëndërroj se historinë e tij do nis ta shkruaj sapo tja zbuloj varrin , atje në vendin ku jetoi për 30 vjet .
Kur ulem në Vatër ndjej dialogun e munguar me etërit, këtë shtyllë të fortë që bashkon, trashëgon emër, histori e pasuri.
E çfarë trashëguam ne?!
Pyes veten...Në familjen me baballarë të dënuar, internuar, arratisur, pushkatuar, historitë arratisen në drejtime të paditura dhe e vërteta mjegullohet duke i lënë brezat brenda një tradhëtie pa autor, brenda një kaosi me shumë autor ku autorët janë në një duel të heshtur që vret pafajsinë.
Po ne paskemi trashëguar mjaft ... Më thonë muret plot me foto e histori që flasin, heshtin, vallëzojnë me fatet .
Ky prag...ah ky akt dialogu i munguar me etërit .

Oct 24, 2018

Fjalaps

Imagjinata e tij oksigjenohet pas çdo leximi
e ngjyra stinësh vesh...
Teksa i them që atje lart ti duhej ta kishe shtëpinë 
atje ku prindi i prindit tënd pleqërinë nuk e njeh 
edhe pse vite plot peshë e brenga ngarkuar i rrijnë.
Imagjinata e tij porsi pendë e lehtë shtegton atje 
mbi lartësinë ku ne donim ta kishim shtëpinë,
atje ku ëndërrimet si gjethe vjeshte shtegtojnë 
e ku lastarë lozonjarë pranverore shpresash valvijnë .
Është një fletëz e bardhë që lundron nëpër fantazinë e një rrëfimi 
që gdhend e gdhend fjalët përmbi lartësi me laps... 
Ia numëroj vijëzat atij vizatimi porsi shpendët foletë kerkojnë majës së nalt, 
e nëpër çdo rrëshqitje lapsi shikoj se si jetojnë fjalët e mia 
nëpër tënden imagjinatë.
Marjana &Denis

Sep 15, 2018

Vargje per piano

Vargje per piano

Si gishtat përmbi piano 
rrëshqasin mendimet e mia
teksa fleta e bardhë vizaton me gërma 
ca vargje për tingujt 
që aq bukur 
me notat vallzojnë 
e kurrë nuk u bënë monotone
edhe pse ka mijra vjet që pentagrame thurin
mbi tastiera ku tingujt vizatojne...

Ti notat, 
unë germat kërkoj. 
Pentagrami qindra fletësh 
mijra vjetesh...

ku miliona tinguj  shtegtojnë 
Me ritme që peshojnë prej ndjesish 
që muzika fal
Bujarisht 
e pa u ndal
Ëmbëlsi dhuron
E valëzon nëpër dallgë kohësh 
Herë vjen, her shkon 
e herë kumbon
prej jehonës . 
prej atyre gishtave që prekin tastierën e bardhë...
Tinguj të ambël shpirtit i mëkojnë 
nëpër çdo pentagram që jetë jetës i dhuron
E bardhē fletëza ime 
vallēzon me pentagramin tënd 
gjuhë të ndryshme puthin notat e gërmat 
Vitet i sfidojnë vallëzueshëm.
gishtat fluturojnë me tinguj fjalët dot s'i gjen e bardha fletëz , 
miliona tinguj jete 
pentagrami thur.

 

Sep 7, 2018

Kapitullimi i individit dhe rilindja e idhujve te rreme

Në kohë varfërish materiale, varfëritë shpirtrore janë ato që shpalosin drama të thella  njerëzore. Jo gjithmonë krizat ekonomike janë shkak i atyre familjare, përkundrazi ato veçse stimulojnë dhe e bëjnë skenike e të dukshme vuajtjen materiale e cila nuk lind kurrë rastësisht, ka shkaqe të thella politike, të trashëguara që në kohë idhujsh të rremë "lulëzojnë" ironikisht edhe me themele shtëpish të rrënuara, mure prej balte e copëza suvatimesh dhe fytyra të mpihta e sy të jeshilta shprese. Kjo dramë e thellë mjerimi migjenian na rishfaq idhujt e rremë që zbulojnë mjerimin ulëritës qindravjeçar i cili e ka një shkak, ulur këmbëkryq në çdo lagje, fshat e qytet ku gjithsejcili e njeh tjetrin, ia din pamundësitë e ndofta ia ka rrënuar mundësitë. Kapitullimi i individit jo pak herë sjell lindjen apo më saktë rilindjen e idhujve të rremë, atyre që rrënimin material të turmës e shohin si kulmim të pushtetit, fuqisë. Përpara këtij rrënimi material që natyrshëm prodhon rrënim shpirtëror e mbase edhe moral çdo shfaqje, video apo foto liderash politik nuk është gjë tjetër veçse dështim i asaj fuqie që duke dashur të amortizojë fuqitë individuale, bëhet edhe më e pa fuqi.

Memorja jonë i ka të freskëta kujtimet e diktatorit gju më gju me popullin që nuk bëzante, nuk kërkonte, por vetëm duartrokiste edhe kur lakun e vështirësi ve e kishte në fyt. Individi sistematikisht u bë kurban i totalitarizmit, duke unifikuar në këtë mënyrë heshtjen me varfërinë, të drejtën me padrejtësinë, pronën me dhunimin e saj...

Kapitullimi i individit, nënshtrimi i tij ndaj heshtjes, varfërisë morale e materiale, padrejtësisë është drama më e thellë sociale që mund të përjetojë një shoqeri në stadet moderne të saj. Aktet individuale që unë preferoj ti quaj humanitare frymëzojnë dhe shërojnë përtej politikës pa e dobësuar atë, përkundrazi e pasurojnë. Pafajsia e individit të ndershëm që me punë ia doli por edhe nuk ia doli në një realitet ku të gjithë janë kundra gjithkujt por jo kundra të keqes, është momenti analitik që përgjithëson dhe specifikon fatin e unit në shqipëri dhe lartësimin e idhujve të rremë kur e keqja kërcënon dhe frika pushton çdo liri.

Aug 30, 2018

Kur te te shoh te lire do te te dua dhe me mire

"Kur të të shoh të lirë do të dua dhe më mirë "
Kur më pyeti dikush se çfarë mendoni për shkollat shqipe në Diasporë përgjigja ime e menjëhershme ishte : është përpjekja më e bukur dhe patriotike që na bashkon përpos të gjitha tjerave që na ndajnë. Dhe kur dua ti shkoj më tej kësaj logjike imagjinoj fëmijët shqiptaro-amerikan të rritur që gjuhën shqipe e kanë po aq fluente sa edhe anglishten . Kjo është mëse e natyrshme për komunitetin rus , sepse patriotizmi apo nacionalizmi i tyre ka pasur doza më të larta krahasuar me ne , a ndoshta familja e ka ruajtur gjuhën si një pasuri e vendeve nga vijnë por sigurisht arsyeja primare është se ata kanë ndërtuar komunitete të forta në këtë tokë të shenjtë që larminë kulturore të vendeve nga ne vijmë e çmon dhe e vlerëson si pasuri.
Komuniteti shqiptaro-amerikan ka luksin por edhe sfidën jo fort të lehtë që pasuritë tonë letrare e kulturore, historike e gjuhsore ti shndërrojë në institucione të vërteta që pasuri të tilla tia trashëgojë brezave si një e drejtë që buron nga maturimi me të cilën kultura jonë është edhe pasaporta jonë më e mirë .
Krahas adaptimit me jetën amerikane nuk ka investim më të bukur sesa ai gjuhsor për brezat që rriten këtu në mënyrë që ata të munden të flasin shqip, shkruajnë, lexojnë e studjojnë gjigandët e kulturës shqiptare, historisë, , letërsisë e pse jo tja bëjnë ato prezente edhe këtij vendi që i nderon dhe do akoma më shumë komunitetet kur ato identifikohen përmes kulturës së tyre.
Imagjinata më lejon të shkoj vetëm pak dekada larg , tej , në katedra të shqipes, individualitete shqiptare, studime, publikime dygjuhëshe që jo vetëm do na lehtësonin integrimin por do ishin subjekte me vlerë për nxënës e studentë jo vetëm shqiptar. Rasti i Nanë Terezës, lidershipi i Skënderbeut, madhështia artistike e Ermonela Jahos,e mjaft ekzemplarë të tjerë vlerash shqiptare janë tashmë kauza tonat universale .
Gjërat e mëdha ndodhin brenda mjediseve të vogla, si libri , klasa, familja, shkolla media, televizioni.
A nuk i kemi këto hapësira?
Sigurisht që po.
Sa mundemi ne ti shfrytëzojmë gjithsejcilën prej tyre në funksion të konsolidimit të gjuhës ?!
Unë ndjehem vërtet mirë kur mblidhemi rreth botimeve shqip, personaliteteve shqiptare, që për fat të mirë nuk na mungojnë ,nuk ka emocion më të bukur se kur fëmijët ruajnë gjuhën e prindërve dhe ju flasin gjyshërve gjuhën që i lumturon ata, kur këndohen tingujt 7 notësh me gjuhën tonë 36 gërmëshe.
Nëse mendimet na bëjnë të ndryshëm , artikulimi shqip êshtë çka na bën ta kthejmë kokën drejt simbolit që ashtu si himni e flamuri identifikojnë qenësinë tonë kombëtare.
Janë dhjetra përpjekje fisnike që i kanë çelur tashmë dyert e klasave ku mbi tryeza ngjyrosin abetaret, është për tu falenderuar iniciativa e televizioneve shqiptare që komunitetin e shqiptarëve të Amerikës na e sjell në çdo shtëpi përmes ekranit, janë të panumërta veprimtaritë që shqiptarët zhvillojnë në gjuhën shqipe, por nuk ka mjedis më të sigurt se familja për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Familjet e reja këtë mbase e konsiderojnë sfidë por aty do të ishte shtrati më i sigurt që gjuhës do ti jepte garanci jetëgjatësie.E theksoj këtë sepse të rinjtë tanë kanë një avantazh disavantazhues; adaptimin e shpejtë në vendin pritës çka asimilon gjuhën e vendit nga vijnë. Nëse ky fenomen do prekte botën tonë prej pothuaj 550 mijë shqiptarësh që jetojnë në SHBA, tkurrja gjuhsore dhe pasojat e saj janë të imagjinueshme, por nëse libri, televizioni,individualitetet, shoqata, mediat ,familja por mbi të gjitha shkolla do ndërvepronin siç po duket a ndofta edhe më mirë sesa kaq përmasa gjuhësore e shqipes do të na rivitalizonte në kushtet kur edhe vendi ynë amë përjeton kohë të turbullta.
"I dashur mëmëdhe, të dua dhe kështu siç je , por kur të shoh të lirë do të dua edhe më mirë"
Ishin vargje të shkruara në murin e një ndërtese strugane në Strugën tonën dhe jotonën por që mua ma ushqyen mallin me ndjenja të veçanta teksa jetoja ditët e fundit të vizitës time në atdhe.
Marjana Bulku (maj 2018)

Shpirt permbi libra

Shpirti i tij me siguri prehet mbi libra.
E përjetova me dhimbje lajmin e ndarjes nga jeta të Moisi Murrës. Studjues dhe publikues , historian por mbi të gjitha një mik besnik i librit dhe një prej të shumtëve dibranë që ato mure bibliotekash do ti mbajnë mend përjetë.
Vitet e demokracisë pavarësisht turbulencave janë vitet që zbuluan shpirtin e vërtetë të shqiptarit. Atë shpirt që koha shablone e fshihte nën parrulla masash për të uniformizuar , mohuar e neglizhuar të vërtetat e lira. Në kushtet e kësaj lirie kur libri përfundonte nëpër thasë , shitoreve të byrektoreve, për karton apo edhe më keq akoma, fillova punën si drejtore e komanduar pranë Bibliotekës Publike Peshkopi, një institucion që kishte histori emrash dhe pune me Tefë Krroqin, Ulvi Shehun , Kudret Hoxhën por që në kushtet e lirisë ra në duar që nuk ia dinin apo donin vlerën asaj (lirisë) . Pikërisht në këto kushte ndihmën e parë ia kërkoj Moisi Murrës, njeriut që ia njihte të gjitha skutat bibliotekës, që e çelte atë portë libri bashkë me Lirien, punonjëse dhe restauruese libri dhe ikte bashkë me ne.
-Nga t'ia filloj ?! - e pyes?
Kjo bibliotekë ka pasur emër dhe na ka rritur?
Moisiu ishte i gatshëm t'ia nisnim me inventarizimin e librit, -kanë humbur shumë tituj, libri është nëpër thasë e shumë prej tyre kanë vlerë, nuk janë për karton.
Është e pamundur ti kujtoj të gjitha ditët mbi libra pasi sejcila prej tyre është e mbushur si vetë fletët e tij por unë dua të kujtoj aktet e një njeriu të zakonshëm që sot nuk rron më e ndofta edhe këto akte nuk ka kush ti shkruajë.
Biblioteka ishte e ftohtë , pa ngrohje, ishte sistemuar në ndërtesën më të re dhe të bukur të qytetit por kishte humbur kartelizimin, inventarizimin, sistemimin , gjithçka që e mbante në këmbë atë.
Pas ngritjes së Këshillit Konsultativ të Bibliotekës dhe planit të përmirësimit të saj puna nisi të rridhte në drejtimin e duhur sepse konsulta me intelektualët dhe dashamirësit e librit ishte hapi i parë dhe i sigurt për ta normalizuar atë.
Ideja e Moisiut për të krijuar një pavion me Antikuare zuri menjëherë vend në katin e sipërm të godinës , aty ku dielli do i jepte jetë atyre dokumenteve të vjetër që Moisi Murra dhe miku i tij i përhershëm Iljaz Kaca kujdeseshin me aq qetësi e përkushtim duke garantuar një shërbim ekstra , atë që rrallëkush mundet dhe din ta ofrojë.
Dita me librin niste thjesht me një kafe dhe përfundonte me pluhur por duke shtegtuar nëpër ngjyra e labirinthe mendimesh , duke projektuar jo pak mbi si mundej ajo bibliotekë të ishte për çdo brez ; histori të lexuara në anglisht, sillte çdo të mërkurë nxënës në tryezën ovale, Këndi i autorëve dibran intensifikoi promovimet, ndërsa Marathona e leximit e nxorri nga thasët librin dhe dëshirën për ta.
Ishin vetëm dy vjet të vrullshme pune ku bashkë me koleget zonja ne kishim në krah edhe punën e jashtzakonshme të Moisi Murrës i cili përveçse historian dhe studjues, publikues dhe autorë i shumë librave mbi historinë e Dibrës do të mbetet dhe një kontribues i pashembullt i mbajtjes në këmbë të atij tempulli me dije siç është Biblioteka.
Shpirti i tij u prehtë në paqe


Rozafa...aty ku kryqezohet besa .

Besa e mbajtur, ajo e thyer...ROZAFA.
Kështjella e Rozafës nën të cilën takohen Buna dhe Drini mban në vetvete mitin legjendar të murrosjes.
Sapo hyn në të, bie në sy lagështia e murit hyrës që po sipas legjendës është për shkak të trupit të Rozafës, lotëve dhe qumështit të saj që nuk shterroi.

Vëllezërit që lidhin besë, besa që thyhet si kurban i pabesisë, Rozafa si kurban i besës , riti i murrosjes krijojnë një trill që rend e rend nëpër bedenat e kulturës tonë. Duke qenë se ne si komb afektohemi pas besës, urtësisë me pleq të motçëm, ndjekjes së traditës, mëmësia, etj etj, muralja mbi murin e gurtë me gjysme femrën Rozafë që mëkon jetën e gjallë, më shpie nëpër labirinthe meditimi. Eshte kjo mënyrë kritike e të menduarit që na ka munguar tradicionalisht. E ndoshta pikërisht për këtë djemtë ia besuan këshillën plakut, morën një vendim të padrejtë, iu drejtuan familjeve në mënyra të ndryshme nga ku viktimë u bë pafajësia e Rozafës. Kjo dramë brenda aktit të një marrveshjeje të padrejtë bëhet shkak i një zinxhiri padrejtësish dhe ku viktima reale është një foshnje, pafajësia, e verteta qe fshihet pas muresh deshmitare te heshtur...

Historia qoftë kjo edhe legjendë nuk kthehet pas, sikurse ujët e drinbunës që rrjedhin e rrjedhin ka mijëra vjet, por aty përbri mureve të lagur ku lotët, britmat, lutjet e Rozafës po ashtu ka mijëra vjet që i flasin kohëve të cilat përsërisin të njejtat padrejtësi;" tri katër burra takohen, marrin vendime, heshtin dhe viktimizojnë të ardhmen që e ka zor të rritet..."
Muret e përlotur prej padrejtësisë ku besa e jo besa janë të dyja të padrejta lartësojnë simbolikën e sakrificës , vetmohimit e megjithatë ne kalojmë përbri tyre, bëjmë foto, krenohemi me lashtësinë tonë pa ia dëgjuar aspak thirrjet asaj , pa mësuar çka ajo na rrëfen me heshtjen , lotët apo rënkimet e viktimave të saj edhe heroina.

Marjana (qershor 2018)

I blinjte permbi kalldrem

Bulevardi i blinjtë përmbi kalldrëm
Është e çuditëshme ndjesia që provon kur ecën mbi atë bulevard. Çdo hap aty të sjell në kujtesë fëmijëri, rini, njerez të paharruar.
Aty mësuam të hedhim hapat e parë, shëtitëm me miq, rritëm fëmijët.
Dhe kur largohesh nga ky qytet i blirtë ndjesia e parë që provon është malli për të.
Banesa ime për fat të mirë rrin përmbi kurora blinjsh që tani në qershor kulmojnë me lulzimin e vet . Porsi një mburojë e kujtimeve të mia ajo më ndjell në çdo kohë duke i marrē dhe më dhënë atë çka shpirti ynë do. Është terapike të jetosh pranë atij lulzimi që shpërndan aromën e vet mbrëmjeve të gjata verore dhe nga ku në mëngjeset e freskëta ,të parat zhurma që dëgjon e prej nga mund edhe të zgjohesh janë zukatjet e bletëve që marrin mbase nektarin më të bukur të sezonit.
Ka kohë që sytë e mi shtegtojnë si këto bletë; luleve, maleve, qiellit të kthjellët a me re, duke përcjellur diellin dhe pritur lindjen e tij e duke marrë "mjaltin" e çdo dite që s'kthehet më. Nuk i njoh më hapat që kërcasin mbi kalldrëmin e ri që po thyhet, ndaj shikimi im shtegton me diellin kur lind, shetit qiellit të paanë dhe perëndon, ashtu si ëndrrat tona, dëshirat, lutjet.
Marjana, qershor 2018

Sikur shoqerite te udhehiqeshin nga besime te pastra

Sikur shoqëritë të udhëhiqeshin nga besimet e pastra!
Përtej atyre dhjetra historive me baballarë, tyrbe e teqe që unë kisha dëgjuar në familjen time , zgjodha vetëm njërën për tia treguar tim biri , lidhej me një ngjarje reale përjetimi,shërimi edhe prej forcës së besimit . Kishte qenë pikërisht ky akt që ma bëri të afërt këtë frymë bektashizmi që bëhet edhe mē e ndjeshme dhe e prekshme kur i afrohesh atyre objekteve të kultit që mbartin brenda njerëz, aktet e tyre dhe mirnjohje njerëzore përreth. Dhe kështu vjen besimi tek unë , si një pasuri shpirtrore e trashëguar , si një peligrinazh historish që nuk mbetet aty edhe pse nuk shoqërohet nga praktika a rituale ku demonstrohet apo edhe imponohet mënyra se si beson, leximi dhe thellimi nëpër njohuritë ka qenë mjeti më i mirë për mua për ta mbajtur gjallë atë.Një lloj spiritualizmi që ndërlidh elementët e besimit me mjetet dhe mënyrat se si transmetohet ai .
Bektashizmi dhe tri shtyllat që e mbajnë në këmbë atë; 1.E vërteta(harikati)2.Dituria (marifeti)dhe 3.Ligji (sheriati) sot përbëjnë më shumë se kurrë një arsyje tjetër për të besuar tek forca e besimit, për të kuptuar se shoqërive njerëzore u duhen mjetet me të cilat besimi operon ; DURIMI dhe URTËSIA. Misionare në rrugëtimin e tyre shumëshekullor besimtarët dijnë të përdorin vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vëllazërimit dhe të përbashkimit edhe kur mbi ta rëndon padrejtësia, xhelozia dhe lufta brenda llojit çka për fat të keq përshkon edhe humanët siç nuk do duhej , dëshira e bazuar në vullnet mban gjallë besimin, mbajti gjallë besimin edhe në kohen kur furia e urrejtjes u derdh me kazma shkatrrimtare përmbi objektet e kultit, pikturat, afresket, simbolet, emrat, librat, shkrimet duke rrënuar materialen që na vërtetoi se sa e patundshme është pasuria shpirtrore.
Humanët janë krijesa fatlume që zoti i favorizoi me tërësinë e tipareve fizike e shpirtrore dhe intelektuale që ndërveprojnë duke ndërtuar karakterin atë që kur bashkohet me historitë familjare përshfaq personalitetin , akte e vepra që institucionet e besimit jua adresuan bibliotekave aty ku filozofia dhe misticizmi janë baza kryeveprash.
Shqipëria është vendi me një seli botërore bektashizmi që nga nëntori i vitit 1925 , brenda saj ka një organizim shoqëror, shpirtror , intelektual që i ka falur shumë historisë, letërsisë dhe diplomacisë . Aty predikohet dashuri për të gjithë e Zoti shikohet si besim lutje e falenderim çka do ti mjaftonte edhe njeriut më të zakonshëm për të orientuar veten , familjen dhe jetën e vet që sot më shumë se kurrë e ka të nevojshme të prihet nga : E vërteta , dituria, Ligji.
Marjana Bulku (korrik 2018)

Atdheu...kjo dashni e shumfishte

Drama e të ikurve, atdheu ...kjo dashni e shumfishtë!
NGA MARJANA BULKU / Dielli
"Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zëmra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe:
Mërzitem në katund, në vetëmi.
Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,
Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.
Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…
Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Por fryn era dhe akulli më zë,
Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:
Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle."
Vargjet e Serembes përtej mallit poetik përcjellin dramën e shumfishtë të shqiptarit mërgimtar. Kur syri i lexuesit të kuptojë dramën e tij , të ndjejë mallin , vetminë, parehatinë, ankthin e së nesërmes ,atëherë do të kuptojë edhe peshën historike të këtyre vargjeve që e thonë pareshtur fjalën e vet ,ka qindra vjet që flasin e thërrasin po a kuptohen?!
Kur syri i lexuesit të shohë dramën e shqiptarit pa atdhe këtej dhe andej ndarjeve që na largojnë, mbase këto vargje do ia këndojë vetes e do ndalojë ikjen e gjatë e gjatë që nuk ndalet.
Kam takuar mjaft të ikur këtyre viteve dhe kam ndjerë se këto vargje janë universale. Më kanë thënë se nuk ka lumturi më të madhe për një komb që i bën vend bashkombësve të vet. Kam parë se si përloten burrat në mërgim duke cituar se" kur të vdes dita e vdekjes tju shkruhet jo ajo biologjike por dita kur lanë atdheun".Kam parë se si largësia nga atdheu shndërrohet në dashuri për të , e veshur me mall, e dëshirë për rikthim, me akte e vullnete reale për tia vizituar bukuritë e dukshme dhe të padukshme atij
vendi prej nga ku ka 500 vjet që iket .Ia kam
përsëritur vetes Seremben dhe kam
provuar se vrullin, energjitë dhe ndjesitë e bukura ti fal veç vendi yt.Kur largoheshin miqtë qoftë edhe larg province drejt kryeqytetit , boshllëku kulturor ndihej shumë më fort se hapat në udhët ku shtoheshin udhëkryqet.A e ndjenë këtë zbrazëti hapësirat tona gjithnjë e më të ngushta, të varfra ,të brishta?! Mungesat që flasin , ikje që ulërijnë, kthime që veniten e thirrje që s'dijnë çfarë të lusin ...hidhni sytë kah vargjet e Serembes që nuk e humbin kurrë vrullin e mallit dhe dashurisë. Kur të kuptoni dashurinë ...do ndjeni mallin dhe kur të ndjeni mallin do kuptoni dramën e trefishtë të të ikurve pa atdhe .Ata që ikën e me vete morën andrrat me siguri që andrra e zhgjandrra lanë pas por më e madhe është drama e atyre që lanë pas ,atje në atdheun e zbrazur!
E kur të kuptoni dramën e të ikurve ,atdheu i tyre i dashur ka me qenë dashnia juaj e shumfishtë.
Marjana Bulku (Gusht 18)

Stilistja e qytetit te heshtur


Stilistja e qytetit të heshtur.

Atje çdokush ka një shtëpi kujtimesh e meditimesh. Viteve që nuk kthehen kujtesa u bën vizitë, ndalon një çast me vështrim të thellë, përlotet, buzëqesh, rrëmben diçka , nis e shkruan. Mjafton një ngacmim i vogël , datë apo ditë që cek atë rrjet mendimesh që mua ma zgjon ky fustan mature, me ngjyrë nate i stolisur me temina që ndrisin si një yll në festën e maturës që zakonisht ndan adoleshencën nga rinia. Nata e viteve të diktaturës në të cilën ne matura 90 kishim jetuar ,do të kishte festën e vet, një kryenatë netësh . Thjeshtësia e përditëshme do pasohej nga një tjetër thjeshtësi e veshur me klass të lehtë dhe stil mençuror , ndonjëherë lule e zbukurime plot kreativitet që vinin nga stilistja plot klas e atij qyteti . Të gjithë e kujtojmë Milvën, e ka qepur Milva, rradhë e gjatë te Milva ,jo jo te Milva, ah është e prekme ( biografi të keqe)...
Milva Nasufi zbukuronte veshjet dhe netët tona festave modeste që thyenin monotoninë plot varfëri të kohës.
Duart dhe fantazia e saj nuk ndalonin edhe pse ëndrrat ia kishin penguar, të drejtat për shkollim ia kishin mohuar.. Fantazia e saj tejkalonte çdo histori familjare me burg e internim, mohim e dhunim të padrejtë lirish.
Nuk kishim katalogë që tia referonim modelet, ajo mendonte vetë edhe për këtë , mbase nuk kishte humorin, durimin edhe pse buzëqeshja në fytyrë nuk i mungoi kurrë. Milva na zbukuronte me pëlhurë e gërshërë netët e errëta , të njëllojta, pa ëndrra , me endrra të burgosura , të mohuara , të dhunuara, të arratisura në qytetin ku numëroheshin edhe hapat... me ngjyrat e kufizuara të kohës por me fantazitë e pafund të shpirtit. Qyteti i heshtur cdo 23 gusht feston çlirimin
, kujtesa ime sapo shtegtoi tek ai fustan mature me ngjyrë nate stiluar nga Milva dhe qendisur me një yll teminash nga ime motër ,në kufirin midis adoleshencës dhe rinisë së parë, në atë prag vitesh 90 ku demokracia do na mësonte se çfarë ishte një diktaturë e më pas do na tregonte se njerëzit e mirë mbeten të tillë në çdo kohë, pavarësisht padrejtësive që rënduan mbi ta. Kjo lule kujtese për ty Milva dhe tërë aromën e munguar të izolimit të egër që na bëri ta çmojmë dhe duam edhe më fort lirinë.
Marjana Bulku (23 gusht 2018)

Apr 24, 2018

Për ne që e mirpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë , kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetra arsye pse prindërit e mi , familja ime , e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse , në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet. Në 28 vjetët e tjera të kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara , mirqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysëm, peng . Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?! A ishte e pregatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlerat të burgosura, dhunuara,mohuara , të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! Trashëgimtarët e diktaturës , ata që "ndërtuan " kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij , në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi.Një debat përherë i hapur që ngre dhjetra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme.
Ishte Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit , mendimtarit dhe refleksionistit zotit Frank Shkreli i cili nuk i mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me" Demokracia nuk pret". Rreth Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës , pohon pa mëdyshje që po Vatra mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq. E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Frank Shkelit bëhen frymëmarrje shprese . Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës , deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqiperisë,ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ, shoqëria civile , intelektualët,pra çdo grup interesi.
Ishte vërtet bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkeli, Biberaj ,Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mirëinformimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto , gazetën e saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon. "Demokracia nuk pret" një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis...por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë.
Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare po citoj zotin Frank Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda; Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit ?!
Marjana Zeneli Bulku (23 prill 2018)

Demokracia si mision i paperfunduar

Për ne që e mirpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë , kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetra arsye pse prindërit e mi , familja ime , e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse , në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet. Në 28 vjetët e tjera të kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara , mirqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysëm, peng . Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?! A ishte e pregatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlerat të burgosura, dhunuara,mohuara , të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! Trashëgimtarët e diktaturës , ata që "ndërtuan " kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij , në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi.Një debat përherë i hapur që ngre dhjetra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme.
Ishte Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit , mendimtarit dhe refleksionistit zotit Frank Shkreli i cili nuk i mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me" Demokracia nuk pret". Rreth Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës , pohon pa mëdyshje që po Vatra mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq. E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Frank Shkelit bëhen frymëmarrje shprese . Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës , deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqiperisë,ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ, shoqëria civile , intelektualët,pra çdo grup interesi.
Ishte vërtet bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkeli, Biberaj ,Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mirëinformimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto , gazetën e saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon. "Demokracia nuk pret" një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis...por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë.
Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare po citoj zotin Frank Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda; Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit ?!
Marjana Zeneli Bulku (23 prill 2018)

Apr 15, 2018

DEMOKRACIA si shmangie e tiranisë.

Demokracia,problemi i saj dhe antropologjia demokratike

Peter Fecher, vetëm 18 vjeç banonte në Berlinin Lindor dhe e dinte që muri që e ndante qytetin, i ndërtuar në vitin 1961 u bë simbol i ndarjes midis shteteve diktatoriale dhe atyre demokratike në Europë deri në vitin 1989, kohë kjo kur ky mur u shemb. Një ditë gushti të vitit 1962, teksa po kapërcente murin për në Berlinin Perëndimor demokratik qëllohet nga rojet gjermano-lindore dhe përfundon në mënyrë tragjike tentativa e këtij të riu për të prekur Demokracinë...
Sa mijëra fate të ngjashme...qindra histori për tu rrëfyer! Rasti i Shqipërisë ku numërohen mijëra të arratisur politikë, të vrarë në kufinj, të internuar burgosur politik e qindra të dënuar na rrëfen se ne jetuam një diktaturë ekstreme mbi të cilën do ta kishte shumë të vështirë lulëzimin një demokraci e kulluar. Edhe pse përkufizimin më të saktë për demokracinë e sjell Linkolni si "Pushtet i popullit, dalë nga populli dhe për popullin" demokracia është term i lashtë grek: demos-"popull" dhe kratis-"sundim", pushtet. Sipas Sartorit përkufizimi është shumë më kompleks pasi nuk përputhet plotësisht me etimologjinë e fjalës"demokraci" edhe për shkak se demokracia keqpërdoret nga regjimet. Nëse i referohesh Greqisë së lashtë aty dallohej se gjendja e lirisë civile lejohej vetëm për një grup të ngushtë ku përjashtohej masa e madhe e skllevërve, grave, të huajve dhe individëve që merreshin me punë çnderuese dhe të vështira.
Sipas Aristotelit, Soloni ishte babai i demokracisë athinase. Kaosi politik dhe social në shekujt VII dhe VI p.e.s bëri që mjaft qytete greke të qeveriseshin nga tiranë. Athina u përpoq të shmangte këtë regjim duke zgjedhur Solonin dhe reformat e tij si mjet për zgjidhjen e krizës shoqërore dhe ekonomike.
Por a ishte Soloni demokrat?!
Le të analizojmë vargjet e tij:

"U kam dhënë masave pozitën që u përshtatet nevojave të tyre.
As nuk u kam vjedhur nderin, as nuk i jam nënshtruar lakmisë së tyre.
E ata që kishin shumë pushtet
që Ishin të lavdishëm e të pasur,
kam gjykuar se asgjë nuk duhet t'i privonte nga luksi dhe nga pozita e tyre.
Atëhere, u ngrita me mburojën time
për të mbrojtur të pasurit dhe të varfrit.
Kështu populli do të jetë më i gatshëm për t'u bindur zërit të udhëheqësve të vet.
Kur "kapistra" nuk është shumë e lirshme,
as shtrëngimi shumë i madh"

Pra Soloni shfaqet si dhurues i çdo të mire, të gjitha veprimet e vetës së parë na bëjnë të kuptojmë se ky udhëheqës nuk pyet askënd për veprimet e veta politike. Prirjet autoritare shpalosen në brendi "Kështu populli do të jetë më i gatshëm për tu bindur". Por që këtu mund të dallosh se si populli është ai që i ushqen sistemet, cilatdo qofshin ato, duke ua pakësuar ose shtuar jetëgjatësinë.

Babai i demokracisë nuk ishte demokrat, kjo shpaloset në të gjitha poezitë e tij të cilat ishin edhe platforma nëpërmjet të cilave ai e shmangu tiraninë. Pushteti ekonomik për Solonin kishte rëndësi të veçantë, ai njihet si themelues i Timokracisë e cila shtresëzonte shoqërinë ku një rol i madh i jepej shtresës së mesme për të thyer monopolin e aristokracisë. Soloni mund të ushtronte pushtet apsolut duke u lidhur me cilëndo parti por ai parapëlqeu të mos i pëlqente askujt, duke u bërë shpëtimtar i vendit dhe ligjvënës shembullor. Përmes modelit të tij kuptojmë se misioni i Demokracisë është SHMANGIA E TIRANISË.

Rasti i Shqipërisë (antropologjia e sistemeve)
Për shkaqe historike tek ne ka munguar antropologjizmi borgjez që sipas shkollës anglosaksone formulonte: Demokraci përmes Ligjit.
Ne jetuam dhe jetojmë në një antropologjizëm feudal ku formula është; Turma dhe prijësi. Retrospektivisht sistemet e dikurshme ishin; Mbretëria me popull dhe mbret.
Komunizmi; populli heroik dhe sekretari i partisë.
Ky lloj evolucioni i komanduar nga sistemet nuk arriti të prodhojë asnjëherë Antropocivilizim. Mungesa e individit si institucion, në një mjedis ku jeton parimi autotitarist "shteti jam unë" e mohon rolin e individit me të drejtat e tij dhe përgjegjësitë çka janë themel i demokracive.
Demokracia mund të rrezikohet nga qetësia dhe rendi sikurse dhe nga trazirat dhe mungesa e rendit sipas Brucher. Dhe pyetja që lind është: A janë protestat dhe tubimet pjesë e demokracive?!
Dhe pse protestohet?!
Është shumë e rëndësishme të dihet se si protestohet duke përdorur mjetet e duhura që nuk dhunojnë masën që proteston por as palën të cilës i drejtohet protesta. Cënimi i të mirave, mosgarantimi apo mohimi i tyre çon në protestë, edhe krizat apo fatkeqësitë krijojnë klimë proteste madje edhe irritimi kur autoritetet bëjnë indiferentin.
Po përse ndodh te goditet protestat?
Ka vetëm një përgjigje: sepse mungon institucionalizimi i protestës. Kur njerëzit protestojnë kundër një individi a kemi vallë të bëjmë me shtet demokratik?!
Jo, sepse njerëzit nuk besojnë në demokraci derisa protestojnë kundër një individi.Demokracia reale nuk është ajo që krijon një klub të fortë mes njerëzve, por ajo që lehtëson marrdheniet e tyre të ndërsjella. Kur paqja rregullon vetë punët e veta ajo shndërrohet në demokraci.
Fragment nga studimi gjatë programit Master në Institutin e strudimeve evropiane(2010-2012 ) Marjana Bulku

Mar 29, 2018

Tinguj që mbrojnë jetën

Pranverë shqiptare zërash dhe shpresash në Scandinavia House Manhattan.

Janë dhjetra mesazhe që transmeton kultura e stërlashtë në një prej shfaqjeve të saj të rralla në mbrojtje të jetës së artistit që i ka falur aq shumë artit dhe kulturës shqiptare, Bekim Lumit i cili po i nënshtrohet një mjekimi shëndetsor të kushtueshëm në çdo aspekt. Por artistët: Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Çela, Faton Macula, Lekë Salihu,Taulant Mehmeti,Arens Leka,Angelo Miho,Lorivert Çobo, Shpend Xani, ose Bekim Lumi NYC' friends triumfuan përmbi plagët e sëmundjes përmes magjisë që fal arti ku ndërthureshin zhanret artistike, tingujt e kultivuar, ato të lashtë dhe historikë, rebelë klasikë dhe modernist dhe ku spektatori, ky suportues i ndjeshëm kauzash të vërteta, u duk se shijoi një performancë të veçantë artistike e njerëzore. 

Të mbrosh me medikamente jetën tashmë është një e përditëshme që duam apo nuk duam bëhet pjesë e segmentit jetë, por ta mbrosh me tinguj atë ,është madhështorja sublime që vetëm magjia prej arti mundet ta falë. Ideja e Leonora Mehmetaj për të  ngjitur në skenë Miqtë e Bekim Lumit udhëtoi me shpejtësi nga shpirtrat e artistëve tek suportuesit  e eventit: Dr. Shpresa Xhakli e Fadil Berisha, mbështetja e Motrave Qiriazi, objektivi fin dhe smart i mjeshtrit Ilir Rizaj e deri tek mbulimi i shpejtë nga kamerat e Albanian Culture TV e Vera Belliu.

Një skenë e zotëruar nga artistët është gjithmonë plot me mesazhe që i drejtohen përtej skenës, ato depërtojnë thellë nëpër traditën tonë dukë i dhënë frymën dhe shpirtin e kohës që jetojmë. Tek artistët nuk mungon kurrë optimizmi për jetën sepsë arti është ngjyra, tingulli valsi i saj kompozuar mjeshtërisht nga gjenialët që muzeun e  kanë në çdo skenë që i jep jetë vargut të tingujve të tyre të pavdekshëm: Simon Gjoni, Preng Jakova, Limoz Dizdari, Avni Mula.

Solidariteti i artistëve të cilët zhanret artistike i ndërthurën artistikisht me personalitete hibride që i këndon jetës jo kajmak thënë nga plaku i motshëm e rithënë përmes këngës udhës me trenin e jetës që ndalon edhe aty ku nuk duam ,triumfoi përmes mesazheve për jetën,pranverat e saj në 26 marsin e ftohtë në Manhattanin shumëngjyrësh.

Fotografia Ilir Rizaj

Mar 25, 2018

Dimer im

Është trishtim
ikja pa kthim e një mendimi
imagjino pranverën
sikur ajo të vijë vetëm një herë
edhe pse pritja mashtron me të pavërteta
që belbëzojnë si fjala që zë nuk nxjerr.
Sa trishtim
të vërtetat ikje
që me andrra kthimesh vitet i ushqejnë
e rritesh, thinjesh në agdrite
buzmbramja me andrra të ndjell.
Është trishtim kur pranvera të ndërsen dimrin,
kur librat të thonë se e vërteta s'vdes,
kur pritja lind veç pritje
mrekullish që udhën dot nuk e gjejnë.
Sa trishtim për ata që ikën...
të rritesh me të pavërtetën e një ikje
ku kthimi
ishte një pranverë pritje
dimer imi
ç'mërzitje...
mb21 mars

Jan 12, 2018

Amerikanet qe e deshen aq shume Shqiperine ne Vatren Panshqiptare

Me 6 janar pikërisht në datlindjen e Fan S. Nolit në mjediset e Vatrës Panshqiptare në Nju Jork u prezantua botimi më i fundit i studjuesit dhe diplomatit Mal Berisha (anëtar nderi i Vatrës); Herman Bernstein, ambasador i ShBA në Shqipëri në vitet 1930-1933 "Një vepër që ka ngjallur interes nga analistët dhe mediat e Tiranës nuk kishte se si të mos prezantohej pikërisht në ato mjedise që duan të mbajnë gjallë histori për të cilat historia shqiptare ka heshtur për 50 vjet. Në dhjetor të vitit 2014 ambasadori Mal Berisha pas një pune kërkimore nxorri nga arkivat dhe solli nën dritën e botimit publikimin e parë mbi Bernstein duke ia prezantuar një audience mjaft të larmishme amerikano hebreje por edhe shqiptaro-amerikane në mjediset e Yivo Institute for Historical research. Pak vjet më vonë vjen edhe botimi i plotë, një studim tashmë i thelluar mbi jetën e Bernstein, antologjinë e veprës, letërkëmbimet, publikimet dhe deri tek diplomacia e tij, raportet me Tiranën e asaj kohe, rolin që mundet të luajë diplomacia aktive në kushtet e një vendi që përjeton kriza të njëpasnjëshme deri tek ato që vejnë në pikpyetje identitetin. Vepra më e fundit është në vazhdën e botimeve "Shqiptarët lisa mbi truallin ilir", "Jeta e jashtzakonshme e Charls Telford Ericksonit në Shqipëri", "Realite shqiptaro- britanike" e të tjera vepra që Shqipërinë e shohin me sytë e të huajve, sy që dijnë ta dallojnë realitetin dhe që dijnë ta duan dhe ta mbrojnë Shqipërinë në ditët e saj të vështira.

Në vatrën e ftohtë të 6 janarit 1018 nuk munguan vatranët e vjetër dhe të rinj që nga Agim Karagjozi ish drejtues i Vatrës deri tek Andrra Berisha më e brishta dhe bukra andërr shqiptaro-amerikane. Nuk mund të mungonte mendimi i bazuar në fakte e dokumenta nga studjuesi dhe ish gazetari i Zërit të Amerikës zoti Idriz Lamaj, apo mendimi i hollësishëm i editorialistit të Diellit zotit Dalip Greca, përshendetja e hyrëse e kryetarit të Vatrës Dritan Mishto e dashamirësia e tij për ti pasur në fondin e vatrës këto histori por natyrshëm diplomacia kulturore që ambasadori Berisha aplikoi sukseshëm në Londër funksionoi dhe në këtë rast përmes prezencës së tenorit kosovar Riad Ymeri i cili Fjalët e Qiririt të kryerilindasit Naim Frashëri i solli me tingujt e Limoz Dizdarit duke i bërë ato mure të ftohtë veshur me foto shekullore të perjetojnë rilindje të vërteta me evokimet e veprës së Mal Berishës, fjalë të kryerilindasit Frashëri në ditlindjen e Nolit.

Një ambasador amerikan i viteve 30 në Shqiperi përmes një studimi të hollësishëm nga një prej ambasadorëve shqiptarë më të suksesshëm i cili aplikoi me sukses gjatë shërbimit të tij diplomatik diplomacinë kulturore, historike, akademike duke lënë gjurmë aty por janë veprat studimore e historike te zotit Mal Berisha që do lejnë gjurmë historike mbi të shkuarën tonë të pashkruar. Pse autori rrëmoi në vitet më të ndritshme të historisë tonë për të cilat ajo vet pak flet?! Nuk munguan as pyetje si këto dhe natyrshëm edhe falenderimet mirënjohëse të veprimtarit të spikatur zotit Harry Bajraktari.

Cilat janë analet burimore, dokumentet historike që shfrytëzon Berisha kur arkivat shqiptare nuk i shpëtuan dot kurrë tranzicioneve politike me bazë historike?
Si lindën kontaktet me Yivo Institute for Historical Research?
Si një prezantim në mjediset e atij institucioni model të kujtesës, udhëtoi në kohë e u shndërrua në një dokument historik, trashëgim me vlerë për brezat.
Është pikërisht vepra "Herman Bernstein 1930-1933" që vjen në vemendjen e lexuesit, studjuesit, diplomatit, shqiptarit që përmes punës së dy diplomatëve: Bernstein&Berisha ndriçon anët e panjohura të historisë tonë. Është një vepër ku kupton shumëçka por mbi të gjitha pohon se Amerika e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët atyre viteve kjo duket në përmasën shumëdimensionale të ambasadorit amerikan në Shqipëri Bernstein.

Një studim i thelluar në antologjinë e veprës së Bernstein, historinë e jetës, raportet njerëzore me miq e bashkëpunëtor ku theksohet ajo me mbretin Zog, dokumenta, letërkëmbime, meditime çka e sjell të gjallë portretin human të atyre viteve në ditët tona përmes prezantimit të veprës nga ana e autorit i cili nuk harron kurrë të ndalojë në vatër pavarësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tij profesionale dhe personale. Tashmë përkrah amerikanit të jashtëzakonshëm që e donte aq shumë Shqipërinë Charles Telford Erickson radhitet një tjetër amerikan, është Herman Bernsteini gazetar, poet, polemist, diplomat.

Dhe natyrshëm më bren kureshtja cili do të jetë dashamirësi tjetër që din ta dojë Shqipërinë jo me fjalë por me vepra dhe akte që na mësojnë çka na u mohua, ndriçojnë çka na u errësua ,dhe rrojnë përtej kohës së vet përsa kohë ka studjues që historinë dijnë të na e sjellin të gjallë me cdo mjet, të vërtetë, argument dhe logjikë.

(Fotot nga Ilir Rizaj)

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...