Për ne që e mirpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet
në diktaturë , kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një
sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetra arsye pse prindërit e
mi , familja ime , e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot
është në emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse ,
në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e
duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më
shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet. Në 28 vjetët e tjera të
kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin
ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara , mirqenien sociale dhe atë
ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të
keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i
papërfunduar, përgjysëm, peng . Po a u kuptua siç duhet ky sistem të
drejtash dhe përgjegjësish?! A ishte e pregatitur shoqëria shqiptare me
intelektualët përherë në mërgim, me vlerat të burgosura,
dhunuara,mohuara , të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?!
Trashëgimtarët e diktaturës , ata që "ndërtuan " kopshtin shkëmbor të
Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i
Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij , në Shqipërinë postkomuniste
muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që
diktatura e gjatë prodhoi.Një debat përherë i hapur që ngre dhjetra
enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme.
Ishte
Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit
më të fundit të gazetarit dhe publicistit , mendimtarit dhe
refleksionistit zotit Frank Shkreli i cili nuk i mungon me gjykimin plot
peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me" Demokracia nuk pret". Rreth
Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të
cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më
shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të
shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e
diktaturës , pohon pa mëdyshje që po Vatra mundet që vizionin e saj ta
kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq. E mendjet që i flasin
botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit,
mprehtësinë analitike të Frank Shkelit bëhen frymëmarrje shprese . Dr
Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca
kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të
demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin
kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të
sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim
Kosovës , deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së
Shqiperisë,ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e
konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ,
shoqëria civile , intelektualët,pra çdo grup interesi.
Ishte vërtet
bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkeli,
Biberaj ,Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si
mision të edukojë qytetarët me liri përmes mirëinformimit në këtë botë
të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia
len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e
mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto , gazetën e
saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia
ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon.
"Demokracia nuk pret" një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer
përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell
autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u
dënua, projektoi e u arratis...por gjithmonë duke pritur para se të jetë
vonë.
Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm
pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare po citoj zotin
Frank Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda; Si do të
ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të
kishin fituar pikpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën
prej komunizmit ?!
Marjana Zeneli Bulku (23 prill 2018)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Featured Post
Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.
Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...
-
Eshtë pothuajse katër vjec kjo historizë por mbart kaq shumë emra, personazhe, problematikë saqë natyrshëm më nxit të jem falenderuese që k...
-
Këngëtarja dibrane Vera Laci gjatë vizitës së saj në SHBA ishte e ftuara jonë në Albanian Culture TV në ciklin ''Një jetë...disa ...
No comments:
Post a Comment