Aug 30, 2018

Stilistja e qytetit te heshtur


Stilistja e qytetit të heshtur.

Atje çdokush ka një shtëpi kujtimesh e meditimesh. Viteve që nuk kthehen kujtesa u bën vizitë, ndalon një çast me vështrim të thellë, përlotet, buzëqesh, rrëmben diçka , nis e shkruan. Mjafton një ngacmim i vogël , datë apo ditë që cek atë rrjet mendimesh që mua ma zgjon ky fustan mature, me ngjyrë nate i stolisur me temina që ndrisin si një yll në festën e maturës që zakonisht ndan adoleshencën nga rinia. Nata e viteve të diktaturës në të cilën ne matura 90 kishim jetuar ,do të kishte festën e vet, një kryenatë netësh . Thjeshtësia e përditëshme do pasohej nga një tjetër thjeshtësi e veshur me klass të lehtë dhe stil mençuror , ndonjëherë lule e zbukurime plot kreativitet që vinin nga stilistja plot klas e atij qyteti . Të gjithë e kujtojmë Milvën, e ka qepur Milva, rradhë e gjatë te Milva ,jo jo te Milva, ah është e prekme ( biografi të keqe)...
Milva Nasufi zbukuronte veshjet dhe netët tona festave modeste që thyenin monotoninë plot varfëri të kohës.
Duart dhe fantazia e saj nuk ndalonin edhe pse ëndrrat ia kishin penguar, të drejtat për shkollim ia kishin mohuar.. Fantazia e saj tejkalonte çdo histori familjare me burg e internim, mohim e dhunim të padrejtë lirish.
Nuk kishim katalogë që tia referonim modelet, ajo mendonte vetë edhe për këtë , mbase nuk kishte humorin, durimin edhe pse buzëqeshja në fytyrë nuk i mungoi kurrë. Milva na zbukuronte me pëlhurë e gërshërë netët e errëta , të njëllojta, pa ëndrra , me endrra të burgosura , të mohuara , të dhunuara, të arratisura në qytetin ku numëroheshin edhe hapat... me ngjyrat e kufizuara të kohës por me fantazitë e pafund të shpirtit. Qyteti i heshtur cdo 23 gusht feston çlirimin
, kujtesa ime sapo shtegtoi tek ai fustan mature me ngjyrë nate stiluar nga Milva dhe qendisur me një yll teminash nga ime motër ,në kufirin midis adoleshencës dhe rinisë së parë, në atë prag vitesh 90 ku demokracia do na mësonte se çfarë ishte një diktaturë e më pas do na tregonte se njerëzit e mirë mbeten të tillë në çdo kohë, pavarësisht padrejtësive që rënduan mbi ta. Kjo lule kujtese për ty Milva dhe tërë aromën e munguar të izolimit të egër që na bëri ta çmojmë dhe duam edhe më fort lirinë.
Marjana Bulku (23 gusht 2018)

No comments:

Post a Comment

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...