Dec 8, 2017

Refleksion dhe leksion dhjetori


Lëvizja e dhjetorit tashmë mund të konsiderohet një akt refleksioni dhe leksioni. Mjafton një retrospektivë për t'ju afruar rrafshit kohor që e lindi e nga ku mund të kuptosh fare mirë aktorët, faktorët, protagonistët dhe natyrshëm edhe efektet që pati ky akt qytetar që sidoqoftë mbetet nga më sublimët në historinë shqiptare pasi u nxit dhe u rrit nga studentët. Pavarësisht nga ngjyrimet që i jepet kësaj lëvizje nga fuqitë sezonale politike në Shqipëri të cilat jo pak herë nuk thellohen në histori duke e neglizhuar atë (çështje e tyre), lëvizja e dhjetorit lindi si pasojë e rrethanave aktuale që kalonte Shqipëria ekonomikisht dhe politikisht dhe natyrshëm gjeografikisht rajoni ishte në kapërcyell sistemesh. 

Aktorët e kësaj lëvizjeje u bënë studentët larg ndikimeve familjare, zhveshur nga presione punëdhënësish dhe ëndërrimtarë të një jete më të mirë në kushtet mizerabël që ofronte jeta studentore përfshi këtu (ushqim, ngrohje, higjenë). Nëse do ju drejtohesh bashkëkohësve të gjithë do kujtonin njëzëri se mungesa e gjatë e dritave do rebelonte çdonjërin. Ai brez me ëndrra të thyera prindërore nuk mund të ishte viktima e një tranzicioni tjetër ku po e hidhte sistemi i kalbur. Një lëvizje që u përkrah masivisht nga qytetarët e Tiranës të cilët vinin furishëm nga hyrjet anësore të qytetit studenti, e më pas nga çdo hyrje e tij, frika kishte rënë tashmë. Kur rinia e edukuar nxit të ardhmen, frika bëhet një barrierë e pallogaritshme. Perkrah nje rinie te kthjellet ka me shume siguri e garanci e gjithe shoqeria. E në këto kushte auditoret filluan të braktiseshin ndërsa sheshi i Qyteti Studenti priste e priste nga ata që mbartnin ëndrra, ideale, shpresa, iluzione e ndofta edhe ambicie politike. 

 Pluralizmi politik, ky term tabu filloi të artikulohej dhe të nxiste një platformë që do ti jepte një tjetër kah kësaj lëvizjeje, tashmë drejt politikës. Dhe natyrshëm pranojme se politika është elitare edhe pse në një vend si Shqipëria historikisht elitat që mund të lindin politikanë gjithmone janë sulmuar, mohuar, eliminuar. Kjo është pika e dytë e diskutueshme që kërkon një mendim të thelluar jo vetëm të castit por  edhe përtej tij. Lindën kështu protagonistët e kësaj lëvizjeje; me studentë, profesorë dhe politikanë që natyrisht i përkisnin asaj shkolle të të vetmes parti nënë. Një lëvizje që nuk u ndal, pasi u përkrah nga gjithë Shqipëria, një frymë lirie që pati efekte të paprovuara, efekte që po tentonin të korrigjonin gabime që kishin depërtuar në palcën kurrizore të një territori ku i vetmi Universitet Shtetëror duhej të kishte emrin e diktatorit Hoxha, ku në vend që të mësoheshin gjuhët, kultura, historia jonë e lashtë ,shpenzoheshin me faqe e orë të tëra histori partie konspektet më qesharake që pushtonin mendjen e kthjellët rinore e plot ëndrra  për të marrë më të mirën nga jeta me shtigje të mbyllura. Dhe përsëris në një vend si Shqipëria ku elitat sulmohen, politika bëhet gjithmonë e më e varfër, bastion i një pakice që nuk e ndjek shumica. 

Edhe pse bustet dhe emrat e diktatorëve ranë, ata kishin hedhur rrënjë të thella në vetëdijen, sjelljen dhe veprimet e politikës e cila jo pak herë ricikloi mbetjet e veta.Aktorët e dhjetorit janë heronjtë e heshtur të historisë më të re të Shqipërisë, ca prej tyre larg saj, pak nga ata pjesë aktivo-pasive e politikës e shumëca të zhgënjyer prej saj arritën të përmbysin atë qē për 50 vjet kishte shkaktuar dramën më të thellë njerëzore, të fjalës, të mendimit, të dhunimit të të Drejtës që as sot nuk po mundemi tia gjejmë vendin. A eshte levizja e dhjetorit unikale ne historine tone te re? padyshim qe po pasi pati efektet me produktive duke ndryshuar nje sistem te kalbur dhe duke sjelle pluralizmin ne Shqiperi, cilesia e pluralizmit dhe lloji qe gjeneroi prej tij do te ishte nje tjeter diskurs qe mbase i ka rrenjet ne menjanimin e aktoreve te atij dhjetori historik shqiptar.

Nov 25, 2017

Trashegimtare andrrash t'mohueme

Pothuajse tetë vjet më parë u ndodha në një rrugëtim drejt Parlamentit Shqiptar. Me vete kisha ëndrrat e familjes time për demokracinë e munguar dhe modelin e familjes ku isha nuse se si demokracia nuk mundet të ndërtohet dhe funksionojë pa pjesën tjetër, atë që nuk mendon si ty, por të dëgjon, kundërshton, debaton , korrekton e nga ku natyrisht unë mësova shumë.Një rrugëtim që pati destinacion të çuditshëm, por më mirë që ndodhi ashtu pasi shumë gjëra të jetës time mbase do të kishin ngelur peng i atyre mundësive të limituara të cilat më shumë të pamundura shpesh herë i bën mjedisi shoqëror, politik , partiak që nuk mundet kurrë të jetë jo partiak. Po të kishte patur destinacion ai rrugëtim nuk do të kisha mundur të jem sot këtu në tempullin e demokracisë , parlamentin e Ontarios ku kam rastin të jem e ftuar nga Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e cila këtë muaj feston Trashëgimninë kulturore shqiptare tashmë edhe me një ligj të posatçëm për formulimin, advokimin, lobimin dhe miratimin e të cilit është punuar nga një grup pune i kryesuar nga Dr Ruki Kondaj , Laura Albaneze , Ilir Lena, Ramazan Këllezi, Iliaz Loku, një grup që i ka dhënë këtij ligji edhe më shumë jetë dhe histori shqiptare, figura që na nderojnë në çdo kohë, trashëgimni kulturore si vlerë që rron përjetë. Teksa ndjek me sy të gjallë këtë mjedis ku historia,arkitektura, rregulli e disiplinon aq shumë politikën aq sa duket se të gjitha këto së bashku e kushtëzojnë politikën dhe jo politika ato siç ndodh rëndom tek ne.Në mars të vitit 2015 kisha asistuar në parlamentin e Ontarios me ftesë të zonjës Kondaj dhe kishim dëgjuar seancën e Leximit të Parë të Ligjit për Trashëgimninë shqiptare. Kisha parë e dëgjuar nga parlamentarët e Ontarios për rreth dy orë se si flitej për Skënderbeun, Nënë Terezën, valët e emigracionit shqiptar ,sjelljet e shqiptarëve në liri dhe jo liri çka përcaktojnë edhe thelbin e karakterit,ishte folur edhe për regjimet e padrejta të cilat janë fatkeqsi me pasoja të thella mbi të cilat lulëzojnë edhe vlera si besa, mikpritja, nderi, që përbëjnë kode morale në shoqërinë shqiptare.Është e pamundur të mos meditosh nëpër këto holle që të çojnë në tryezat ku merren vendime e kryhen shërbime duke pyetur dhe dëgjuar, thirrur dhe komunikuar, ftuar dhe mirpritur ata që janë lënda e demokracive; njerëzia.Është e pashmangshme të mos i thërrasësh arsyes e ta pyesësh retorikisht pse vallë në vendin nga ne vijmë politika është gjithmonë e ndaluar dhe aq larg interesit publik, dikur e mbyllur në"Pallate ëndrrash" sot më keq se kaq?!Është hera e dytë që ndodhem këtu , tashmë me një siguri legjitime ku bashkë me ne festojnë edhe parlamentarët e Ontarios, të të gjitha krahëve të politikës . Demokracia është mirësjellje lirie, ku ti pasi ke thënë gjithçka bazuar në fakte dhe argumenta, akte dhe projekte i bën njerëzit bashkë edhe pse ata mund të jenë të ndryshëm. Është padyshim një ditë e veçantë kur kupton se aktet e civilizuara vijnë prej komunitetesh të civilizuara. Dhe të dëgjosh Inva Mulën në këto mjedise është win win siç thotë Zonja Ruki Kondaj me gjuhë kanadeze stil. Dhe nuk besoj se ka dikush si ajo gurgullimë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare që me zërin e saj të na sjellë edhe artin klasik edhe atë burimor me një mjeshtëri prej Dive.Besoj se edhe parlamentarët kanadezë kanë mësuar mjaft prej komunitetit shqiptar që jeton këtu , për gjuhën, simbolet tona kombëtare dhe historike, artin e trashëguar dhe të kultivuar, famën e artistëve tanë nëpër botë dhe natyrisht kanë akoma edhe më shumë për të parë e mësuar rreth nesh. Një komunitet që identifikohet përmes kulturës ka rastin më të mirë për tu bërë gjithashtu i pavdekshëm nëpërmjet saj. Dhe ndërkohë një prej enigmave të mia më të mëdha se si një popull të cilin e kanosin herë pas here diktaturat dikur ajo e sitemit politik dhe tash ekonomik mundet që të lulëzojë vlera , duket se merr një farë përgjigje , u dashkam zemra dhe mendje të mëdha që vlerat tona shpirtrore dhe kulturore të mbijetojmë edhe kur terreni është mbytës.
Dy vjet më parë e përjetova aktin e parë të kësaj ngjarjeje falë asaj që unë me humor simbolik e quaj "Formula uno"Ruki Kondaj, jo veç për shpejtësinë në timon por se ajo mbërrin gjithmonë fituese në destinacion, sot shoh se këtu ka kaq shumë formula uno, Pasqyra shqiptare televizion, Bashkësia shqiptaro-kanadeze,Shqiponjat e vogla,Shtëpia e shqiptarit dhe pa asnjë dyshim Ambasadori Ermal Muca dibrani dhe miku im i familjes! Zoti ju bekofte!

Shqiptaro-kanadezet trashegojne me ligj kulturen shqiptare.


Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare...këtë faqe historike po e shkruan Dr. Ruki Kondaj me Laura Albanezen në Ontario të cilat përmes një solidariteti femëror, funksional arritën të bëjnë bashkë si kurrë ndonjëherë parlamentin e Ontarios me komunitetin shqiptar në Kanada përmes një pune profesioniste në grup të drejtuesit të medias Pasqyra Shqiptarë, zotit Ilir Lena, ndër mediat më të mira në diasporë, Iliaz Lokut, Ramazan Këllezit dhe tërë Bashkësisë shqiptaro-kanadeze që në cdo hallkë të këtij zinxhiri të gjatë pune demostrojnë vlera. 

Të sjellësh komunitetin në Parlamentin e Ontarios nuk është një proces i lehtë, mbart me vete hapa dhe punë që vetëm një grua e rrallë si Dr. Ruki Kondaj mundet të realizojë, me vizionin dhe objektivat, me këmbëngulje dhe vullnet të hekurt, me debat dhe refleksion, por gjithmonë pa u ndalur ajo din t'ju dalë sipërmarrjeve të saj në krye. Dhe kush jeton në vende të mëdha e din se sa kosto ka kjo për një grua që është edhe amvisë njëkohësisht. Pa folur për lodhjen (një labe si ajo e sfidon tej lodhjen) por duke u përpjekur të bëjë rreth vetes miq e bashkëudhëtarë, mjeshtra dhe artistë Dr. Ruki Kondaj ka arritur të ndërtojë një marrdhënie të rrallë me Parlamentin e Ontarios, kjo duket në vullnetin e tyre pozitiv në këtë partnership me komunitetin shqiptar. 

Si ndodhi ky femomen; së pari Dr. Kondaj ndërtoi një grup serioz ku televizioni, intelektualët dhe mërgatat e vjetra kishin rol esencial. Së dyti autorësinë e projektit po e sipërmerrte në partnership me një shoqatë, SHBSHK nen drejtimin e Ramazan Kellezit, me reputacion dhe histori gjurmëlënëse. Dhe së treti akumulimi i vlerave më të mira të komunitetit që jeton aty; në art, në kulinari, në shkencë, etj e sjell në pikën më të lartë projektin me shqiptarë që në këtë rast ka kryefjalë trashëgimninë. Dhe në fakt kur shikon Ana Goljen tek këndon dhe prezanton rrjedhshëm në mend më vjen Vaçe Zela, kur shikon dhe shijon produktet Adi e Bruna Brari ,në mend më vjen një falenderim special për këto miksazhe arti muzeale të ngrënëshme që prodhohen vetëm nga ATA,kur dëgjon Rudin Lengon të luajë mjeshtërisht në pianon e thjeshtë më vjen ndër mend Ibrahim Madhi që të madh e bëri arti por edhe trashëgimnia  e talentit artistik tek nipi. 

E pra duket se endesh nëpër një mozaik që rritet e rritet sa herë që Ruki Kondaj e Laura Albaneze çelin dyert e Parlamentit të Ontarios. Miq me shqiptarët e Ontarios tashmë janë edhe deputetët Brad Durguid, Yvan Beker, Shefik Qadri i cili me humor përsërit se po kërkon rrënjët e tij të lidhjeve me Kadarenë bazuar nga ngjashmëria e mbiemrit. Ata janë mrekulluar nga forca e jashtzakonshme persistuese e pathyeshme e Dr. Ruki Kondaj për ta sjellë me ligj trashëgimninë kulturore shqiptare në botën e lirisë kanadeze. Dhe aktet po tregojnë se sa e thellë është gjuha jonë, kultura jonë, historia jonë kur rrojnë në liri. Kjo është pavarësi legjitime që i shkon përshtat çdo valëvitje flamuri e mërmëritje himni sepse thellë thellë ka kontribute e projekte që më së fundi kanë strehë "Shtëpinë e Shqiptarit" për të cilën janë dhuruar aq shumë të holla bujarisht në trashëgim të Bujarisë. 

Pasditja e 20 nëntorit 2017 i foli shqip Parlamentit të Ontarios me zërin edhe të shpirtit të sopranos Inva Mula. Interpretimet e saj janë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare, traditën e saj ku Avni Mula e Nina Mula hodhën rrënjë me krijime, vepra të paharruara. Zëri i Invës nuk është vetëm zëri i saj, është një kor zërash që vjen nga e shkuara e saj, ndalon në fëmijëri, shtegëton në liri duke i dhëne emër Shqipërisë së vogël, të izoluar, është një zë që këndon në të gjitha gjuhët e botës, jeton nëpër shtatë nota dhe i flet çdo shpirti duke i përlotur. Zërit të Invës iu bashkua Laura Albaneze...e si të mos? Kur këndonte "Moj e bukura More" aty ku nis drama e ikjes, ajo dramë e trefishtë që përjetohet këtej dhe andej por që më fort e vuan Atdheu i zbrazur...Zërit të Invës iu bashkuam edhe ne me "Lule Borë" këtë kompozim të Simon Gjonit që përmbyll festat, gëzimet, tryezat tona me larminë e ngjyrave e të lumturive që lulzojnë kur mblidhemi bashkë. Prezenca e Inva Mulës në Parlamentin e Ontarios ishte një tjetër akt historik ku një emër nga ku arti shqiptar lind dhe buron vazhdon ti dhurojë art e mirësi kauzave shqiptare kudo janë. Sa herë që shkruaj për ditët kuq e zi në Ontario mendoj Ambasadorin Ermal Muça, mikun e butë e të mençur se sa bukur por edhe e vështirë është të jesh në krah të një komuniteti kaq cilësor që nuk ndalon drejt cilësisë duke u bërë lider në mbrojtjen dhe trashëgimin e vlerave në  mbarëbotën shqiptare brenda dhe jasht Shqipërie.


Sep 23, 2017

Ditlindje shtatori

Eshtë bukur të lindësh në shtator
e arta vjeshtë c'dekor
e porsi gjethezat
urimet fluturojnë
e shpirtin e nënës bekojnë
atë që hesht përjetë...
por kjo ditë shtatori me ngjyra vjeshte i flet.
Ia bekon cdo dhembje
edhe fjalët që nuk i tha
kur pesha e jetës
porsi barrë jetën jetës ngarkuar ia la
e plot me jetë
përshëndet përjetë
shtatorit
vjeshtanak.

Sep 13, 2017

Bunker

Ti vendit tand i ik cdo ditë
rrethuar nga mendime t'errëta
armik në zyrë,
në rrugë,
në parti armik.
Armik  në shtëpi,
në kufi,
në gjithësi ...
armik.
Ti vendit tand mos i ik
e shpirtit dhuroji përditë
nga një mirnjohje t'falenderimtë,
edhe pse nderin s'e njohe asnjëherë
se ty askush s'të bëri nder.
Dhunuar me bunkerë
n'vend të një toke të lulzume...
betoni-bunker
në vend të rrugëve të asfaltume.
Bunker izolimi...andrrave të andërrimit
bunker pranverave të dimrit.

Sep 6, 2017

Histori e shkurtër e ''Një jetë...disa histori''

Eshtë pothuajse katër vjec kjo historizë por mbart kaq shumë emra, personazhe, problematikë saqë natyrshëm më nxit të jem falenderuese që këtë komunitet të gjallë dhe aktiv media arrin ta përjetësojë duke jua transmetuar edhe brezave. Dhe keshtu ka ndodhur në fakt, atë maj kur promovohej Charld Telford Erickson në Vatër me autor Mal Berishën, pikërisht aty do të nisnin kontaktet e para me televizionin Albanian Culture TV, me kronikat e pafundme mbi festat dhe gëzimet, tubimet dhe promovimet, sukseset dhe vështirësitë që janë sfida që jo pak herë i bëjnë bashkë shqiptarët e Amerikës. Ndodh që në momente të tilla të takosh miq që koha të bën ti njohësh pak nga pak e të mbeten të tillë përjetë. 

Jul 13, 2017

Skenik në art ...kreshnik në histori

   Janë dhjetra tekste, mijëra tinguj,qindra interpretime , vargje intervistash e komunikimesh mediatike e megjithatë asgjë nuk e gdhend në kujtesë portretin e një artisti më shumë sesa emocionet që fal aktualiteti i konotacionit artistik tek mjeshtri i madh Arif Vladi.është një kontakt midis artistit dhe kohës ,është një dialog, një thirrje,një kushtrim që duket se nuk mbaron kurrë e përmëtepër kur artisti e tejkalon madhështinë artistike jo përmes look-ut, përdorimit nga politika e momentit,por përmes fuqisë që i ka dhuruar zoti si dhe mjeshtërisë së kultivimit të artit.Mjafton ti kthehesh zërit të tij, këngëve -himn,teksteve- mesazh,tingujve- kushtrim dhe vemendja e zakonshme njerëzore dhe ajo kritike natyrshëm do të pohonin se Arif Vladi është sa skenik në art po aq edhe kreshnik në histori.E shkuara dhe tashmja e Kosovës me pasiguritë e së ardhmes janë duartrokitur prej vitesh nga publiku shqip folës.Historia e Shqipërisë ushqehet nga epizmi skenik përmes teksteve burimore, kostumeve tradicionale të atyre trevave bujare e të besës, të guximit e heroizmit kreshnik.Të risjellësh historinë me këngë dhe të marrësh miliona duartrokitje në këmbim,nuk është një akt i thjeshtë i një populli duartrokitës, por një akt i thellë meditimi ,kujtese dhe reflektimi historik.Pavërisht yshtjeve politike, populli di ti dallojë ,cmojë e mos harrojë heronjtë e vërtetë prandaj don këngën më shumë se fjalëboshët politikanë,e mbase pikërisht është kjo arsyeja që kujtesa popullore dhe kënga gdhendin paralelisht të njejtat ngjarje e njerëz.Skena është arena ku artisti shpalos cilësitë që kompletojnë veprën artistike dhe kush shkëlqen në skenë i jep veprës artistike një përmasë tjetër, përtej skenës,përtej kohës duke ju bërë një shërbim të madh të gjitha këtyre aspekteve.Kur dëgjon Arif Vladin, nuk ke se si të mos i kthesh sytë nga Kosova dje dhe sot, nuk ke se si të mos ndjesh admirim për heronjtë e saj të vërtetë, nuk se se si të mos cmosh mjeshtërinë e kompozitorit Edmond Zhulali, apo të ndjesh peshën e fjalës së mencur të Agim Docit.Dhe natyrshëm do të shkosh edhe te Ansambli Dibra, instrumentistët e nderuar, mjeshtri i kompozimit Përparim Tomcini,kostumet e larmishme që vizatojnë koloritin e larmishëm të asaj zone aq të pasur në traditë e ku kulmon mendimi unik që në art ashtu si edhe në mjaft fusha të tjera aktet individuale nxisin ato kolektive që përmes mirënjohjes përjetësojnë dicka që është përtej artitpërtej nesh.Kjo lartësi sublime që jo cdo artist mundet të na e dhurojë është një prej vlerave që ka Dibra, Shqipëria, Kosova, Diaspora.Kreshnik në skenë dhe epik në lirizmin e tij, Arif Vladi ka marrë nderime dhe i ka dhuruar skenës një prej standarteve më të larta të komunikimit me spektatorin duke e edukuar atë me fakte historike dhe vyrtyte që përcjell teksti letrar dhe konteksti artistik.
-
 

Jul 6, 2017

Nxenese perpara nje fotografie

Heshtur më rrëfen
atë që unë s'do resht së rrëfyeri
nga plaga e gjatë që shkakton heshtja.
Më rrëfen njeriun që kurrë s'e njoha,
rolin e munguar të babës
që edhe pse i gjallë
largësia i fshehu gjurmët.
Më rrëfen fronin e nderit të gruas
që mbretëron si nënë e babë
dhomës plot zëra
në sofrën e zbrazët të komunizmit të gjatë...
Më rrëfen të parrëfyeshmen sagë
të emigrimit vajtje jo ardhje.
Më rrëfen apsurdin e ndarjes për së gjalli
me të gjallët.
Më flet edhe për trauma të pasardhësve,
varrin e paditur.
Një dramë e jetuar në dy botë,
njërën që brohoret pa arsye
dhe tjetrën që pa bujë të ardhme projekton.
Der në pleqërinë e thellë
do të më rrëfejë pseikjen, moskthimin, mohimin.
Nuk di nëse mendja e graduar
apo ajo e mplakur prej harrimit
do ketë mundësinë për të kuptuar
marrëzinë e ikjes në paliri,
moslirinë e kthimit aq fort të ëndërruar.
Nuk do resht të tregoj histori ikjesh...
pamundësi kthimesh...
Cdo 6 korrik teksa shtegëtoj
në atë mëngjes vere shiu ikjeje.

Jun 10, 2017

A din?!

A e din se cdo të thotë të vish nga një qytet i varfër?!
Të mos dijë të flasë askush për ty...
edhe pse muret e stërlashta heshtin si murale konvencionesh,
brenda tyre
njerëz të rinj
zhurmojnë e dëshmojnë cdo ditë se cdo të thotë
prej varfërish shpirtrore të lindësh.
Prej tyre
mbijetesa e jetës
është anonime.
Kur endesh indeve plot fije andrrash-ëndërrime
që s'të kthejnë dot udhës së lashtë
kur shpirti lutej për mirësi
atë që Zoti dot s'ta fal,
e nganjëherë as trungu prej nga ke lind.
A din cfarë domethënë të jesh i varfër
e askush të mos dojë të flasë për ty
t'harrohet emri e bashkë me të
eh sa breza zhyten në varfëri.
A e din se cdo me thanë të lindësh në një qytet të varfër?!
Që s'pasurohet kurrsesi prej servilizmash
as urrash bajate
që prej forcë pushtetesh nënshtrohen përjetësisht.
A din cfarë domethanë të jesh i varfër
tingujt që shpikin jetë ti urresh...
me xhelozitë që vrasin pa shkak
të ardhmen e vet!

Apr 24, 2017

Kam parë sy

Kam parë sy që fshihen
e nga pas i kam ndjekur me dëshirën me ua ndie arsyen.
Kam parë sy që s'qeshin
e nëpër lot u kam ndjere dhembjen.
Kam parë sy që në sy s'të shohin,
duke iu ik shikimeve të paqta
të kaltqarta
se në thelb t'shpirtit u lëngonin gabimet
ca gabime t'trasha
të varfra.
Në sy kureshtarësh,
syfëmijësh
që duan me ditë e me mësu
adhurueshëm shikimet mpiksen
në projeksione mendimesh
që puthen.
Në sy fituesish
kur humbjet janë jo ankth
por hapi tjetër drejt jogabimit.
Në lot humbësish
dëshmitare fitoresh që nxisin triumfin.
Kam parë sy,
SY,
dëshmitare humbjesh
por edhe fitoresh.

Apr 11, 2017

Emigracioni, shkuma party dhe cadra e Lirisë

Emigracioni, shkuma party dhe cadra e Lirisë...
...Sa e dhimbshme kjo trilemë.Koha që jetojmë shfaq mangësi që e kanë të pamundur të faktorizojnë cka është e drejtë.E në kohë të tilla të padrejta, e drejta mjergullohet, dhe e ka të vështirë të orientohet drejt.
Emigracioni tashmë është padyshim një fenomen që e ka tkurrur cilësinë dhe përmbajtjen perspektive të jetës shqiptare,është një histori e gjatë qindra vjecare me bazë drama zhgënjimesh historike dhe me ritme progresive ku paralelisht me lashtësinë tonë si komb vihet në pikpyetje ekzistenca e tij.Valët e emigracionit kanë zbrazur pasuritë tona kulturore e gjuhësore por jo rrallë herë na i kanë ndërkombëtarizuar ato sidomos në kushtet e izolimit komunist ku padija, keqdashja ,ksenofobia mohuan të vërtetat tona mbi të shkuarën kulturore, politike e burimore që mund të ishte një themel premtues i të ardhmes tonë. Eshtë e dhimbshme të pohosh aneminë që i kanë  shkaktuar kurmit shqiptar ikjet, vrastare është mosndalimi i tyre ,ndërsa pasojat që pjell emigrimi janë familjare , sociale e shëndetësore por prapë shpresë dhe rrugëdalje në kushtet e depresionit multi dimensional.I ngjan  një porte të celur me një fluks të pandalshëm ku ekonomia dhe politika në vend që të jenë rregullatorë e parandalues janë nxitës të këtij fenomeni që i shkakton dallgë kaq të forta goditëse atdheut tone gjithmone te brishte .
Shkuma party ...edhe pse nuk e njoh dhe kuptoj si dhe pse u shpik, natyrshëm nënkuptoj efektet e saj shpërlarëse të mendjes, trurit, ku padyshim pasojat janë ato cfarë lë pas dehjeshkuma.Rinia duke qënë e pa maturuar dhe e tunduar pas grumbullimesh me bazë ritme shfrenuese është viktima e pare e saj por jo vetëm ajo.Familja dhe rrethi shoqëror e madje organizmat që për fat të keq nuk janë rrjete për të ndërtuar të drejta por degëzime për ti përfituar ato padenjësisht, mjafton protagonizmi i shpërlarjesh të tilla ku turma që shpërlahet është rolmodeli i asaj tjetrës jo protagoniste e për rrjedhojë jo perfituese e ''të drejtave'' të padrejta.Një fenomen c'edukues që interferon një shoqëri të tërë duke terrorizuar atë me ritmet agresive të një fenomeni ndaj të cilit e para fjalë që më vjen te them është MOS! 
Cadra e lirisë për mua është një qiell lirie sepse i tillë është koncepti im për lirinë, liria është qielli që dielli ia qartëson ngjyrat, të fshehtat, mrekullitë ,rreziqet.Eshtë dije pa fund njohjeje perceptimi dhe përjetimi.Ne e takuam vonë lirinë, askush nuk na kishte folur për të, edhe nëse kjo kishte ndodhur nëpër tekste historie, pak- aspak të vërtetat na përplasën me konceptin liri duke ia deformuar përmbajtjen asaj.Të dëgjosh të flitet për liritë, për ato ekonomike, të zgjedhjes, politike, fetare ,nuk është kurrë humbje kohe, por kompesim i kohës së humbur.Të flasësh për lirinë është liria që bën të lirë të drejtën nga ku lind liria. Liria është rregulli që ravijëzon të drejtat dhe jo cdo e drejtë është liri, por edhe respekt i saj, pse jo edhe detyrim.Kur mungon liria e lëvizjes, bunkeret kufinjtë me gjemba nuk janë vetëm nje muzeum ku konservohet e shkuara me shperlarje artistike.Drama e saj nuk mund te luhet neper bunkarte por neper ato trualle te vertetash  qe ende pikojne lot dhe gjak.Na mungoi liria e besimit dhe shpirti nuk diti të lutet të falet , të lusë të falë as sot.Na mungoi liria e tregut dhe i pangopur dhe e unshme është edhe sot uria.Jo liria pjell jo liri dhe të flasësh për të, të shkruash për të, të kuvendosh në liri është liria më e dobishme që ndërton Liri.
Trilema vazhdon prej kohësh nëpër një udhëtim historik nga ku të zgjedhësh dhe të të imponohet zgjedhja duke qene larg është një zgjedhë e re e një zgjedhe që nuk na la kurrë me zgjedhë edhe pse ne historikisht ëndërronim liri sepse nuk ka burg me te eger se mosdija, eshte si te endesh neper boten qe nuk ia njeh as shtigjet, as gjuhen e ku ne cdo cast je viktime e padijes.S'ka liri me te bukur se ajo qe te  fal dija , s'ka ma bukur kur lirine e meson prej te diturish.

Mar 17, 2017

''Te ikesh ne momentin e krizes'' interviste me Iris Halilin

Marjana Bulku1. Zonja Iris ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009 cfarë do të thotë për dikënd që ka  investuar aq shumë intelektualisht ta rinisë jetën në një tjetër vend.

Tomas Eliot ka një varg brilant tek poema “Këngë Dashurie e Alfred Prufrok’' – “Ta cosh momentin në krizën e vet”. Me këtë varg në mendje e kam lënë atdheun dhe ky është vargu që më shoqëron sa herë kujtoj atë vendim. Ne ikëm se na vdiq shpresa.  Shpresa, apo e thënë në formë poetike; ëndërrimi, cka e bën njeriun aktiv e vital, e bën energjik. Unë e kam fituar Green Card në vitin 1999 dhe e kam lënë Shqipërinë në vitin  2009. Ky fakt flet më shumë se cdo koment se sa shumë e kam dashur unë qëndrimin në atdhe. Të rinisësh jetën në një vend tjetër është pikërisht të rifillosh të rindërtosh ëndrrën, pasionin, të rigjesh shpresën.Njeriu në vetvete vjen në këtë botë për të realizuar një mison dhe brenda qenies së cdo njërit prej nesh punojnë forcat e brendshme në arritje të këtij misioni. Kur njeriu ndjen që misoni i ndërpritet për arsye të faktoreve të ndryshëm, atëherë instiktivisht ai do të largohet nga këta faktor.  Ikja është e dhimbshme por e gjen forcën pikërisht tek misioni qe instiktivisht të gjithë ne mbajmë brenda nesh, mision që na bën të ndihemi të lirë për të realizuar ëndrrën .

M.B.Irisi studente ekselente,petagoge,këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studjuese e letërsisë, cfarë ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që ju i keni ezauruar në Shqipëri?


 Asgjë nuk humbet, cdo gjë transformohet .Të gjitha cka kam realizuar në Shqipëri janë brenda meje  në përmbushje të misonit për  të cilin kam ardhur  në këtë botë. Nga letërsia ka mbetur cdo gjë; unë jam e tëra kjo që jam falë saj. Mendoj se kam qenë me shume fat që kam dashur dhe vazhdoj të mbetem e dashuruar me artin e të gjitha arteve, letërsinë- kryeartin!Po sjell ketu një kujtim që e kam nga viti 1997 kur ndoqa një shkollë amerikane ne Greqi. Shkolla ishte verore dhe kishte bazë politikën , lidershipin ,  Naton etc . Të ftuar si lektor ishin profesorë të Harvardit , Georgetoun etc. Mes atyre që më tërhoqi më shumë vemendje qe profesor Michael Collins, në atë kohë ai ishte shef i katedrës  së politikës në Georgeotoun Univeristy. Në një cast pushimi ju afrova e i kërkova mendim duke e pyetur: -Unë dashuruoj letërsinë por më pëlqen politika, ka ndonje kontradite në të?  Ai m'u përgjigj gjithë entuziazëm: -Përsorsur , ku ka më bukur , ty të pëlqen dija që i jep pergjigje më mirë se kushdo politikes ; ja ku e ke shembullin – dhe tregoi drejt vetes – une jam në profesion jam shekspirolog , dhe jap  leksione politike dhe të së drejtës sociale .A ka më bukur ?!
Dhe kjo është mëse e vërtetë. Nuk ka mendje që të ketë lexuar e kuptuar letërsi e të mos  kuptojë nga psikologjia, historia , politika, gjeopolitika , gjeografia, kulturat e cdo lloji .është një botë e madhe dhe e pakrahasueshme ajo e letërsisë. është një botë që e fiton dhe e ke dhuratë tërë jetën. Ajo e bën individin më shumë spiritual se religjoz, më shume pasionant se praktik; më shumë njeri  se makinë;  Unë mendoj se kjo botë nuk të ndahet pamvarësisht ku jeton apo si jeton; ajo vetëm ta bën shpirtin më të bukur pasi të ndihmon të kesh një raport shpirtëror me veten gjë që të krijon mundësinë të kesh veten shok të denjë në cdo mjedis sado i huaj dhe i ashpër të jetë ai.
Por erdhi një cast që unë vendosa të marr një shans dhe ta provoj veten në një tjetër fushë. Kështu pas shumë viteve në fakultet si pedagoge e letërsisë moderne botërore dhe letërsise feminste, ne vitin 2002 unë fillova punë si shefe kabineti e Presidentit Moisiu.  Pranova të hyj pakuptuar në një botë tjeter; atë të politikës,  korridoreve, pushtetit. Hyra  në botën e luftës për pushtet pa u ndjerë kurrë aktore e denjë. Letërsia tashmë e kish bërë punën e saj! Megjithatë mund të them se ishte një ekperiencë e shkëlqyer për ta parë botën nga tjetër këndvështrim, me të tjera vizione dhe me të tjera përpjekje për të arrirë e bërë më të mirën. Këtë fazë të karrieres sime unë do ta quaja një arritje të bukur të jetës po të mendosh se kam patur fatin të takoj gjithë elitën e lidershipit  botëror të kohës , i kam dëgjuar nga afër , kam shtrënguar duart me ta  dhe parë si zhvillohet politika në sferat më të larta. Qe një përvojë e shkëlqyer për t'ju afruar realitetit nga një tjetër dimension, tashmë jo poetik por më praktik.
Si konkluzion do të thoja se gjithë cka jetova e ndërtova në edukim e karrirë në Shqipëri më bëri të marr vendimin për tu thelluar më tej në dije dhe kjo ishte arsyeja që kreva shkollën e doktoratës ne USA pikërisht për edukimin në leadership! Pa dyshim asnjë vit të jetuar në Shqipëri  nuk e quaj vit të humbur kot ; Ashtu sikurse kur mora vendimin për të ikur isha ndërgjegjësuar plotësisht se misioni brenda vetes kish ngecur dhe duhej vazhduar ; ndaj e quaj veten me fat që erdha në USA për ta vazhduar!



M.B. Ju jeni integruar më së miri në jetën amerikane a mund të na e përshkruani këtë proces parë nga prizmi personal, sa jeton Shqipëria tek një intektual duke parë edhe mungesën e perspektivës integruese të saj në kushtet e një politike primitive ,revanshiste dhe aspak vizionare

Unë kam fatin të punoj me individë nga të gjitha racat e botës, pasi pikerisht drejtoj departamentin e burimeve njerezore dhe lëvizjeve në'' Century Ship Service ''që është një firmë Amerikane me shumë traditë në lidershipin global. Kjo ka qenë një eksperiencë fantastike pasi kam patur shansin të njoh individë nga shumë nacionalitete dhe pa droje mund të them se ne Shqiptarët jemi një racë shumë e zgjuar dhe vitale. Nga ana tjetër unë mendoj se janë disa tipare tonat kulturore që nuk na kanë lejuar kurrë të arrijmë majat. Këto dy tipare kyc unë i shoh tek analizoj veprimet e shqiptarëve ndër shekuj si përshembull pranimi që ne i bëmë për afro gjysëm shekulli izolimit që na bëri diktatura dhe mohimi që i bëmë fesë.Janë këto dy momente që duket se idenfikojne natyrën tonë kulturore. Ne jemi një shoqëri kolektiviste dhe si e tillë cdo shqiptar e sheh veten me një distancë të dukshme ndaj pushtetit, cka do të thotë ne e gjejmë veten gjithmonë të varuar nga pushteti dhe larg nga pjesmarrja në vendimarrje. Gjithashtu sërish pranimi masiv i diktaturës komuniste si dhe mohimi i fesë, rrëfen se ne si shoqëri karakterizohemi nga një indiferencë kolektive, apo një mosmarrje të asgjëje me seriozitet , gjë që padyshim së pari është individuale  tek cdo shqiptar dhe që sjell vetvetiu dhe mungesën e frymës së revoltës sidomos kur vihet në diskutim cështja e principeve morale apo shpirtërore .
Këto jane dy momente nga historia e Shqipërisë që dhembin dhe une personalisht sa herë që dua të përshkruaj kulturën shqiptare më vijnë në mendje këto dy shembuj pasi mes tyre unë mendoj sikur përmbledh gjithë psenë /arsyen që ne kurrë nuk kemi mundur të dalim nga gjendja ku na vendosin faktorët negativë. Të njëjtët faktorë ndikuan edhe në vitin e mbrapshtë 1997 që mbetet ndoshta kthesa më e madhe regresive e kohëve të demokracisë. Ky vit është sintezë që rrëfen se ne shqiptarët edhe kur arrijmë dicka të bukur sikur qe demokracia  e brishtë  e pas ’90 , e gëzojmë atë pak ose aspak . Unë mendoj se kushdo para 97 -tes kishte  shpresa për një Shqipëri më të mirë, kishte idealizma , kishte vërtetësi .Pas 97-tës  erdhi kthesa e madhe – ku korrupsioni  u instalua nën mentalitetin -  cdo gjë blihet,  shitet , korruptohet, dhe kjo bëri që të vriteshin pak nga pak idealet e nisura në 90. Dhe gjithe ky “ajër i ndotur” prodhoi vdekjen e iluminizmit të fillim 90-tës, ëndrrave për një Shqipëri si e gjithë Europa , pasi një Shqipëri pa idealista  është një Shqipëri e destinuar të humbasë cdo betejë për  të drejtën , humanen , progresin. Fatkeqesisht unë shoh se ka vdekur shpresa. Shoh mungesë entuziazmi, frymëzimi, besimi.  Fjala -vjedh -mund të zgjedhohet në të gjitha vetat dhe ka vlerë  vërtetësie në cdo vetë….Pjesa më dramatike është se shqiptaret si natyrë u pëlqen ‘show”  dhe duke qenë natyrë e tillë vjedhin jo psr t’i fshehur e shijuar në hije, por psrkundrazi kanë dëshirë për ti publikuar, hapur këto '‘arritje’'; Shitmendja me paranë e vjedhur është normale dhe kjo është drama më e vertetë dhe amoraliteti që po e shesim si moral tek brezat e rinj.
Cila është zgjidhja sikur e mendoj unë: Korrupsioni  nuk luftohet vetëm me ligje, korrupsioni luftohet me dënime për këdo që e ka bërë atë. Në fakt ne si kulturë kemi dhe dy probleme të tjera. Po ti kthehemi sërish historisë do të vërejmë se ne asnjëherë nuk kemi qenë të drejtë me vlerësimin dhe dënimin. Ne në më të shumtën e herëve kemi vlerësuar apo dënuar gabim. Ne, më së shumti ndër shekuj kemi vlerësuar antivlerën dhe dënuar apo mohuar vlerën. Historia jone ka qenë ajo e ndërtimit dhe shembjeve te monumenteve . Ne vazhdojmë po njëlloj dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Po nuk zgjidhëm edhe këtë kontraditë, nuk besoj se do të përparojmë atje ku duhet dhe sërisht do të vazhdojmë të përsërisim vetetven gjithmonë e gjithmonë…
Historia jonë fatkeqësisht rrëfen se dënimet në më të shumtën e herës kanë qenë false dhe më tepër për hakmarrje inatcore/personale. Apo kemi vlerësuar sot atë që kemi urryer dje. Kjo të bën të mendosh se ka gjithashtu një lloj ambivalence në kulturën tonë dhe kjo na bën të jemi gjithmonë në një kontraditë të brendshme për vlerën dhe antivlerën ..
Cështja më e madhe që unë shoh sot është se ne nuk kemi vetëm një elitë politike dhe oligarkike të korruptuar; cështja është se liderët janë ata që formësojnë shoqërinë dhe ne tashmë kemi një shoqëri totalisht të korruptuar! Duhet ta pranojmë se ne të gjithë jemi fajtorë për atë që është krijuar atje, pasi ne të gjithë vuajmë nga ajo cka citova më parë, jemi indiferente dhe nuk i marrim cështjet sociale serizosht, pasi e shohim veten të varur vetsm nga pushteti dhe nuk dalim dot nga furiku ynë personal!
Amerikanët kur e bënë Uatergating nuk është se donin të dëbonin presidentin Nixon , pasi deri në ato caste ai ishte shume i dashur për ta, ata e bënë se donin të jepnin leksion e madh që askush nuk mund të abuzojë me postin e dhuruar nga populli .  Lidershipi është pikë së pari dhuratë qe populli i jep të zgjedhurve të tij, është një kontratë ku ndjekësit dhurojnë pushtetin  e tyre , besimin e tyre dhe presin të drejtohen sipas kësaj kontrate të vetvetishme por që duhet të jets së pari e ndershme dhe racionale!
Për mua ndryshimin e sjellin vetëm të rinjtë . Një brez tjetër duhet të vazhdojë atë që ne lamë përgjysëm në 90. Unë kam shumë besim tek ata që studiuan jashtë dhe vendosen të kthehen në atdhe ; vetëm ata mund të sjellin një frymë  ndryshe ..një mentalitet tjetër , parime të tjera,drejtësi tjetër !

M.B.Cfarë mendoni se e ka tkurrur më fort perspektivën integruese të Shqipërisë , cfarë do ta nxiste atë?

Fatkeqësisht sot numri i shqiptarëve jashtë është më i madh se i atyre brenda vendit ... Sinqerisht, shpresën për një Shqipëri më të mirë  nuk e mbështes tek Diaspora, apo sic dua ta quaj unë– të ikurit. Historia si dija më e vyer na rrëfen se fatet e Shqipërise asnjëherë nuk i ka zgjidhur  diaspora ,sado e fuqishme  të ketë qenë ajo. Shqiptari kur shkon jashtë integrohet më shume se racat etjera, madje në shumë raste edhe asimilohet. Për këtë të fundit mjafton  të shikosh faktin që pjesa me e madhe e fëmijve të shqiptarëve të ikur pas 90 -tës nuk dinë të flasin gjuhën   e nënës dhe ky është  fakti më domethënës i një fillim asimilimi ..Megjithatë , të kuptohemi unë kam besim tek aktet e diaspores.
Por, të jesh aktiv me cështjen shqiptare  kjo kërkon dashuri  , kërkon energji dhe kjo nuk është se na mungon ne të ikurve, por kjo kërkon edhe kohë dhe mbështjete nga faktorët e brendshem. Të ikurit,  -kanë ikur një herë e përgjithmonë . Ne nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë dicka që  e  kemi braktisur ..Ne ikëm dhe morëm me vete edhe shpresën e vdekur . Energjia jonë edhe po u kthyem ka mbetur gjithmonë ajo e një momenti në krizën e vet ..Unë mendoj se Shqipëria nuk ka nevojë për  këtë energji pesimiste, por vitalitetin,  optimizëm dhe kurajon maksimale të atyre që vendosën të jetojnë atje; ose atyre që u larguan për një fare kohe për tu rritur intelektualisht dhe u kthyhen të gatshëm për të afruar gjithë  energjitë në arritje të misionit që i bën të ndihen të realizuar . Patjetër ne jemi  një shtysë e fortë mbështetëse për ndryshimet që duhen , por si pikë mbështetje e levës se arkimedit , jo leva vetë .Leva jane sikur e thashe, rinia brenda vendit  e udhëhequr nga visioni largpamës i gjithë elitës që ka studiar jashtë dhe ka vendosur  të kthehet në vend.
M.B.Studentëve shqiptarë jam e bindur që ju mungon metodika, mjeshtria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike, si mund ta plotësoni këtë boshllëk?
Kur isha pedegoge në fakutet dhe  jepja leksione mbi Letërsine moderne të shek 20 , qëllimi im në mësimdhënie nuk ishte të jepja thjesht një informacion letrar por ishte t’i bëja studentët të zbërthenin teksin letrar në mënyrë që mes atij jetësimi të mësonin sekretet e jetës , të gjenin thelbin e saj . Mes shumë teorive që shpjegoja e komentonim unë kisha  krijuar  një si test,  që për mua ishte i denjë të vlerësohej automatikisht me notën 10 cdo student që i përgjigjej korrektësisht.  Kisha zgjedhur një pyetje nga shkrimtari i madh Nobelist Ernest Heminguej , pikërisht nga kryevepra e tij – ''Plaku dhe Deti'', që mbahet njëkohësisht edhe kryevepra e letërsisë simboliste. Pyetja që i shtroja stutendëve ishte - Cfarë simbolizon  skeleti i peshkut ne momentet e fundit të kryeveprës?  Përgjigja alternative që une vlerësoja është - skeleti  simbolizon  kujtimin mbi peshkun e dikurshëm për të cilin plaku luftoi aq shumë që ta kapte , u përpoq aq shumë që ta shpëtonte nga peshkaqeni , dhe që në fund megjithëse e humbi ai sërisht ishte i lumtur për përpjekjen e tij … Ai skelet simbolizon gjithcka cka kish mbetur nga gjithë përpjekjet e Santigos; Mes asaj simbolike gjeja shkak t’u mësoja studenteve se në fund të fundit jeta jonë nuk ështe vetëm se një grusht kujtimesh ; dhe se ne fund të jetës ne do te jemi të rrethuar vetëm se prej Tyrel Njelloj si Plaku Santigao tek ''Paku dhe Deti ''.
Ky motiv më ka drejtuar gjthmonë në jetë , ndaj dhe përpiqem  ti gëzohem  cdo feste, buzëqeshje , miqësie , gatimi, shtrimi tavoline , mjedisi , cdo casti qe i jep jetës një ndricim tjetër dhe e bën një ditë ndryshe nga e mëparshmja. Dashuria për jetën në fakt është dashuri për njerëzit.
Erik Fromi, autori i librit më të shitur për dashurinë -''Arti i te dashuruarit''  i ndan njerëzit në dhënës dhe marrës . Ai thotë se dashuria i takon ‘dhënësve”. Unë kuptoj bukurinë e jetës vetëm tek dashuria dhe them se asnjë vlerë e arritjeve njerzore nuk mund të arrijë madhështinë e dhënies së dashurisë. Unë përpiqem cdo ditë të ndikoj tek djali im këtë ndjenjë sublime që na bën më të ndjeshëm,   na bën më njerzor dhe më në kontak me zotin sipas vetë shprehjes biblike – Kush takon dashurinë ka takuar zotin!!!
M.B.Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta quajmë të humbur edhe pse i 90-tës ka rol të madh në jetën sociale dhe atë politike shqiptare, a mendoni se ka ende hapësirë  dhe mundësi për të zhvilluar vizionin e mbetur përgjysëm përmes publikimeve apo prezencës së protagonizmit tuaj intelektual në distancë. 
Kontakti me kulturat nga gjithë bota ,kontakti cdo ditë dhe orë me individë nga gjithe globi si pjesa më entuziaste e punës që nga eksperiencat e mija në njohje dhe pranimit të kulturave duke prezantuar edhe tonën gjithashtu.  Zoti me sa duket ja plotëson njeriut dëshirat kur sheh vullnetin që ai ka në arritje të tij . Edukimi im letrar ka qenë një botë e madhe virtuale drejt njohjes së kulturave globale ,përvoja prane presidentit dhe më pas në qeveri ku pata sërish shansin të takoj elita dhe të vizitoj shumë vende të botës më bëri të tejkaloj hendekun e mangesive me të cilat brezi ynë ishte formësuar. Megjithatë as letërsia , as takimi me liderë dhe as vizita nëpër botë nuk të bëjnë t’i njohësh kulturat sikur i njeh kur bashkpunon apo punon cdo ditë me individë të thjeshtë që prezantojnë shumë kultura,që janë rritur dhe zhvilluar në liri sikurse Amerika garanton. Duke punuar me kolege amerikanë, anglezë, turq, polakë, brazilianë, spanjollë, latinë, hajtainë, suedezë etj  etj etj do të kuptosh se standartet e jetesës kushtëzojnë vizionet shpesh, e mbase pikërisht ai izolim kulturor i yni la përgjysëm mjaft prej ëndrrave tona në terrenin shqiptar .Në kushtet e një kohe globale ku sic thotë dhe Fridman ,'' bota është bërë tashmë e sheshtë , falë epokës së informimit në të cilën po jetojmë,kulturat janë afruar më shumë por shumë here shohim se kulturat janë acaruar edhe më shume ! Adabtimi me këtë bote globale është pika kyce e mbijetesës. Kjo është një botë e ëndërruar ndër shekuj nga njerëzit në fakt, është misioni ynë që jetojmë në këtë kohë ti japim asaj më të mirën dhe kjo vjen vetëm nëse ne përpiqemi ti duam kuturat e tjera, ti njohim ato dhe ti pranojmë .
Në punën time shpesh shoh sa e përkryer është teoria dhe sa d vështirë është që gjithë ato teori me vlera të realizohen e konkretizohen në jetë. është pikërisht kjo që më nxit që të botoj dy libra, një për lidershipin, pasi mendoj që mjedisit shqiptar i mungon një trajtesë e tillë. Do të jetë një permbledhje e studimeve  që kam bërë ne vitet e shkollës së Doktoraturës .
Ndërkohë i kam premtuar tim biri dhe ish studentëve të mij që do të ribotoj një libër me punime të letërsisë moderne  që kam pas botuar gati 20 vjet më parë. Aty do të vendos edhe disa esse  të tjera të botuara ndër vite , dhe kjo më duket se më kthen përsëri tek dashuria e parë për dijen – Letërsia.

Mar 5, 2017

ASAJ pa trill.

Mëngjes i ftohtë marsi.Me hap të natyrshëm vrapues nxitoja të kap orarin të cilin për fat të keq gjithmonë e''tradhëtoja''.Rruga e mjergullt ,kryqëzimi që sapo kisha lënë pasi isha siguruar mirë me sy dhe shpirt që im bir  kishte hyrë në shkollë, shiu i butë që kërciste mbi cadër dhe ankthi i orarit si trak trak hapash, m'dukej se artikulonin -"marjana''!  Nuk ia ktheva kokën atij instikti fëminor kur poshte dritares më thërrisnin për ta bërë rrugën për në shkollë një herë Alketa, pastaj Lili, Donika...e nganjëherë të gjitha bashkë.Ia dhashë vrapit si fëmija kur një i panjohur e thërret.-Marjana! Më thirri disa herë zëri i ftohtë dhe insistues por që ma ngrohu atë mëngjes të mjergullt marsi me tis pranveror fëmijërie.Ktheva kokën drejt zërit lutës. U ndala kur pashë që ajo u drejtua me nxitim drejt meje. E njihja mirë jo atë por historinë e saj. Përmes lotësh po më rrëfente jo pa nervozizëm se cfarë i kishte ndodhur.-Në dreq orari, -thashë me vete, -kjo paska hall.
Teksa fliste e fliste, mua më vinte ndër mend e shkuara e saj.Prindërit e mrekullueshëm që u ndanë aq shpejt nga kjo jetë duke lënë pas dy vajza nga ato që e meritojnë vërtet fjalën: të mira, njërën prej të cilave e kisha përballë.I kisha dëgjuar shpesh të mijtë në shtëpi kur tregonin se si ato katër të pushkatuar dhe 20 të arratisur të asaj familjeje me taban kishin paracaktuar fatin e shumë të tjerëve. Dhe kjo historia me fat të paracaktuar të ndjek, të përndjek.
-Pa punë, në mes të katër rrugëve, për një zënkë me... -po më shpjegonte duke u përlotur.
E dëgjoja me vëmëndje ,ashtu i ndjek të gjithë kur flasin, madje edhe pacientët këtu në punën e përditëshme, rus, kinez, meksikan apo hungarez(ves didagtikesh), por kur ajo fliste mes lotësh zëri i Ilirit m'a dublonte rrëfimin e saj ...
''Mezi  u bëmë disa shok klase që të shkonim në varrimin e babait të saj kur ishim në gjimnaz, kishin frikë, u prishej biografia''
-Me kë po jeton? -e pyes shpejt pasi me zor gjej shteg rrëfimit të saj që nuk ndalon.E dija që nuk ka krijuar familje, e dija mirë se ajo kohë që për fat të keq ishte 5 dekada  të linte pa shkollë, pa miq pa të ardhme.
Nuk e lashë ta vazhdonte sapo përmendi të motrën, atë mrekulli forme dhe përmbajtjeje. Madje ia lash ne mes edhe tregimin me gra ndërmarrjesh që grinden ku një si kjo pushohet nga puna,tjetra parakalon me krenarinë e triumfit se ka miq ka shokë ka farë e fis e mbase mund ta kishte pasur biografinë të mirë, nuk e di dhe as që dua ta di në fakt sepse njeriu e shkruan cdo ditë jetën e tij me akte nga familja e puna . Njeriu flet për cdo ditë përmes asaj që bën, që mundet të bëjë e do të donte të bënte edhe pse nuk mundi.
Ecëm bashkë atë mars 2010, ngjitëm shkallë e zbritëm shkallë,zyrash,pastaj as unë nuk u ngjita më atyre shkallëve ku nuk gjendej e drejta. Monologoja, doja që historinë e saj të dhimbshme ta ndjenin edhe pse e dija që jo të gjithë do të mund ta kuptonin.-''Duhet ta kesh përjetuar rrugëtimin drejt të drejtës për të cilin ti lufton dhe shpreson, përndryshe nuk mbjell dot besim'' -shprehej Dr Shpresa Xhakli ne ''Një jetë...disa histori'' këtu në Nju Jork.  
E di mirë që liria për të jetuar, punuar,shkolluar janë bazale në këtë jetë dhe ti mbrosh ato është luks, por ti kërkosh kur ato të mungojnë është dramë të cilën vetëm ato që e kanë përjetuar ia dijnë tharmin. Sa herë që takoj njerëz që jetës i kërkojnë minimalen kuptoj se jam e pafuqishme dhe megjithate gjithmonë vrapoj që të bëj dicka, cfarë të mundem edhe kur nuk mund , ves marsian. Mars 2017

Feb 25, 2017

Qiell paqsor

Te jetosh ne lirine time,
lirise tende ti japesh jete
me shikim t'hedhun drejt t'qiellit thellesi,
e paqe mendimi te gjesh.

Paqe,
jo sentimentalizma t'brishte,
as ndjese t'pavlere.
Paqe
si instikt drejtsie
prej fjalesh e aktesh qe shpresat i mbjell.

Kur jetoj ne lirine tende
frymemarrje andrrash  shekullore m'parakalojne
me krenari burrash
e t'grave vyrtytsi
ku do te dallosh se cfare eshte me e cmuar:
nje jete ne terr
apo pak dite ne liri?!

At qiell jo paqsor vere te 11
tek fluturoja me vitet
ne nje valixhe t'mberthyer si burg kujtimesh
qe s'e ndryn dot at peshe malli e dhembje
ku ajri behet liri
i ma te cmuares pasuri
ne ate bagazh mendimesh
qe shtegton plot trysni.

Kur jetoj ne lirine time
vec frymemarrjen kam liri,,,
ca pesheza te lehta kujtimesh qe e djeshmja m'vizaton
jo me ledheza sentimantalizmash,
por me reflektime aktmendimesh
gerr-
-gerr m'germezon.(Marjana 17)


Feb 14, 2017

Si ta them pafuqine



   Nuk te them dot                                      
   se s'kam fuqi per asgje.
   S'jam mesuar ta pohoj pafuqine
   para syve tuaj te pafuqi.

  Jam mesuar te besoj gjithmone ne to
  je mesuar te besosh tek syte e mi.
  Aq sa s'te them dot
  nuk mundem me per asgje.

  Sa i forte kordoni i lidhjes me ty.
  Dhjetra vitet nuk na e shkeputen dot
  oksigjenin e jetes
  qe shtegton ne mua-ty.

  

  

Dimrim mendimesh







                                                      Dimri tjerr bardhsisht ftohtesine
                                                      Dhe xhamat e avujt imazhet i ngrijne.
                                                      Hapat si udhe e larget
                                                      qe ngrohtesisht
                                                      zjarri u fal zhdervjelltesine.

                                                      Dimrit,
                                                      kur mendimet ngrijne
                                                      pranvera si nusja e larget qe s'vjen
                                                      vallezojne dashurisht ca tinguj,
                                                      ca bulza jete
                                                      mendimtojne
                                                      ne dimerim.


Feb 11, 2017

''Një jetë...disa histori'' Vera Laci



Këngëtarja dibrane Vera Laci gjatë vizitës së saj në SHBA ishte e ftuara jonë në Albanian Culture TV në ciklin ''Një jetë...disa histori'' në një komunikim të këndshëm ku jeta artistike dhe ajo e përditëshme ecin paralel duke iu rikthyer jo pak herë të shkuarës, ku natyrshëm fëmijëria është një faktor vendimtar në personalitetin e një artisti. Me një zë karakteristik që i shkon aq shumë përshtat lirikës popullore dibrane ku i këndohet dashurisë, martesës,dhimbjes, ku përvec tekstit spikatin elementët folklorik të etnografisë, bukurisë femërore, ritet zakonore jane ato që pikturojnë terrenin autokton dibran.
Këngët tashmë të njohura "Pjergullo", "Kur të vishesh nuse'', ''Moj Xhemile'', janë potpuri tingujsh e ndjenjash njerëzore ku shfaqet bota shpirtrore e cila pavarësisht kohëve që ndryshojnë, duket sikur i përjetëson njësoj emocionet. 

Dibra e mendjes e vuajtjes dhe e dramave sociale si pasojë e atyre ekonomike e politike, është edhe Dibra e trimërisë ku është mendja ajo që vendos nëpër ato odat burrnore neper te cilat debati dhe polemikat janë prova e dukshme se fjala që të jetojë gjatë duhet të thuhet mencur. Kenga "A ja din rendin burrnisë'' spikat si një interpretim ku etnografia, zëri, artikulacionet performojnë aq bukur duke krijuar një mjedis muzeal kumbues muzikor. Vera nuk nguron të jetë artiste në skenë por edhe në jetë duke skalitur femrën e fortë që merr nga jeta lirizmin,epizmin dhe tragjizmin duke ia rikthyer ato  skenës. Dhe skena e saj është Estrada dhe Teatri ''Haki Stërmilli'' Peshkopi, që ajo nuk resht së falenderuari si djepi që e rriti, kompozitori Edmond Zhulali si ai që i dha emër jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat evropiane ku ajo ka interpretuar jo pak. 

Në zërin e Vera Lacit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori, pavarësisht se sa është rekorduar ajo për shkak të kushteve të cunguara e mjaft faktorëve të tjerë jashtartistik. E adhurueshmja e kenges qytetare dibrane Melita Shehu, e paharrueshmja Caje Poleshi dhe padyshim legjenda femërore dibrane e këngës Lirije Rasha janë terreni artistik përpara të cilave Vera përulet me mirnjohje. Në zërin e saj jeton sejcila prej tyre, trondit drama e kurbetit,kumbon vaji i dhembjes dhe i humbjeve njerëzore që nuk sjellin vetëm emocionin skenik por edhe përjetimin personal që interpretimi artistik i saj e përjetëson përmes artit. ''Fusha e Korabit'' si drama balade e ikjes, ''Lotët mos mi fshij'' një rikthim në këngë pas humbjes së djalit të vetëm Denis, ''Fatit mos iu anko'' si një thirrje për ta përballuar jetën me forcën e vyrtytit dhe të karakterit janë produksione që dëshmojnë se jeta e cila na jep dhe merr aq shumë kërkon nga ne përkujdesje dhe dashuri dhe dëshmia më e qartë e kësaj është DEA personazhi më i brishtë dhe i bukur në jetën e artistes dibrane Vera Laci, është ajo që ka sjellë aq shumë dashuri, shpresë dhe buzëqeshje në jeten e saj (urojme edhe produksione te reja) që nuk është vetëm e saj por e gjithsejcilit nga ne përsa kohë ajo prodhon art.

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...