Dimensionet e veprës letrare janë shumë të mëdha. Ato e tejkalojnë gjeografinë, kohën, plejadën e bashkëkohësve dhe universalizohen duke u aktualizuar. Janë këto përshtypjet që të le leximi i veprës ''GJERGJ BUBANI i harruari i përkohshëm'' me autor Kliton Nesturi ku përvec biografisë së jetës së autorit, takon historinë, problematikën e kohës parë nga syri i kritikës, nga një tjetër moment ,jasht kontekstit historik që e ka prodhuar atë vepër. Përmes një hulumtimi të hollësishëm ku spikat metodologjia, qasjet me autorët paraardhës apo edhe bashkëkohës, analiza e veprës, shfrytëzimi i analeve të kohës, fotografia, letërkëmbimet e cdo burim tjetër i nje pune studimore tri vjecare kupton se sa e domosdoshme është Kritika Letrare, ajo që ta sjell librin ne sy, në mendje, në memorje.
Duke lexuar ''Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm'',arrita të njoh një nga shkrimtarët plot origjinalitet që nuk e kisha lexuar më parë. Njoha gazetarin dhe patriotin,përkthyesin dhe gjuhëtarin, humanistin dhe margaritarin e harruar të kulturës shqiptare.
Dhe natyrshëm ndaloj shpesh leximin duke pyetur veten ''sa të tillë ka shoqëria, kultura, letërsia, historia, komunitetet tona?!'' Dhe në mënyrë të panatyrshme më mundon pseja konstante mbi mungesën dhe tkurrjen që i shkakton krijimtarisë mohimi i ca akteve krijuese e për më tepër i mendjeve të mprehta të saj. Ta rimarësh shkrimtarin që koha ia reduktoi përmasën dhe t'ia sjellësh lexuesit të sotëm është një mision që i kalon përmasat e shkrimit duke u shndërruar në një shërbim human që shoqërisë i sjell vlera të shumfishta .
Si lind vepra letrare? Po një individualitet artistik? Sa ndikon mjedisi historik në përmasën e tij?A ndikon mjedisi kulturor në spikatjen ose jo të rolit të intelektualëve që dominojnë kulturalisht?
Që të gjitha këto pikpyetje shtrohen për zgjidhje duke hapur shtigje të pafundme mendimi në veprën e studjuesit Nesturi. ''Toka mbi të cilën nisi të punonte Gjergj Bubani nuk ishte djerr, fjalët dhe rrjeshtat që buronin prej tij, ishin një gur dhe një mur në kështjellën e madhe'' - shprehet autori duke pohuar kështu truallin letrar plot satirë e realizëm, plot dramë dhe problematikë shqiptare, cka nuk ia cungoi aspak lirinë Bubanit për të qënë i freskët në gjuhë stil dhe mendim. Kjo vazhdimësi letrare është kultura që përcjellin njerëzit e dimensioneve që shkrimin dhe mendimin nuk e konsiderojnë si pasuri apo arritje personale, as si pronë të tyre por si një domosdoshmëri që i shërben gjithkujt prej nesh e në cdo kohë.
Tendencat poetike të Bubanit, proza, publicistika, karakteret letrare, gjuha që përdor, përkthimet apo cdo element tjetër i veprës vëzhgohet nga syri kritik i asaj kritike që i duhet fort letërsisë, muzikës ,kulturës sonë, jo për të mohuar por për ti normalizuar dhe strukturuar ato. Ne vijmë nga një sistem shkollor ku leximi na orientonte drejt një mënyrë të limituar dhe kjo për dhjetra arsye, politike, ekonomike që kushtëzuan kulturën tonë të leximit dhe të të arsyetuarit dhe refleksioni ynë pas aktit të leximit ishte gjithashtu i mangët. Teksti historik, teksti letrar, apo i cdo lloji tjetër kishin përmbajtje me ngarkesa të panevojshme politike që përvecse politizonte, lodhte , bezdiste dhe varfëronte kulturën tonë të të lexuarit dhe të të menduarit. Ky vetizolim kulturor i trashëguar mbajti larg nesh autorë të përmasave ndërkombëtare, përkthyes, studjues, ata që bibliotekat e botës do na i kishin sjellë në Shqipërinë tonë fatkeqe dhe të harruar.Sot që tregu i leximit është hapur dhe ne jemi të lirë të lexojmë pa kufij, madje edhe kanalet e komunikimit letrar janë shumfishuar aq sa lind rreziku i harresës apo mënjanimit të kolosëve të letrave shqip, të atyre që të sjellin historinë dhe letërsinë në një akt leximi.Prandaj them se ky libër është më shumë sesa një botim, është kronologjia e një autori që nuk ia njohëm përmasën reale në kohën e tij por një shplurosje harrese ia ridimensionon veprën. Kur lexon veprën cdo akuzë bie por ne me dhimbje pohojmë se mohimi i gjigandëve na ka zvogëluar, vënë në dyshim ekzistencën dhe natyrisht na ka varfëruar sistematikisht. Le t'ia nisim nga pohimi i koloseve.
Marjana Bulku
No comments:
Post a Comment