Ajo është 29 vjec. Shkollimi dhe
edukimi familjar janë shtylla të forta që përforcojnë cilësitë
njerëzore,por tek Suzanna Shkreli,shqiptarja e parë që kandidon për në
Kongresin amerikan duket se maturimi i ka rrënjët përtej edukimit apo
ambicies politike. Është profesionalizmi që udhëheq kauzat cka bën të
mundur që të shohësh përtej caqeve apo flamujve të politikës.Kauza
Shkreli ka në themelet e veta jetën,sigurinë e fëmijëve në këtë botë globale
ku jo cdo liri është LIRI. Kauza Shkreli është kauza e gruas, e
familjes,është kauza anti -dhunë dhe pro-jetë. Të ketë lidhje kjo kauzë
me rrënjët e saj shqiptare, me ato zana t'bukura bjeshkësh që ushqejnë
jetën me forcë e nder?! Padyshim që po. Teksa pohon origjinën e saj
shqiptare me anglishten e rrjedhshme e me shqipen dëshmi e gjallë
origjine ,ia përforcon identitetin vetvetes duke nxitur krenarinë e
natyrshme ndër ne. Është historik akti i kandidimit të saj për në
Kongres, është e pandalshme mbështetja e saj jo vetëm prej shqiptarësh, por edhe prej konservatorëve, fisnikëve, institucioneve amerikane që
sigurinë njerëzore dhe mbrojtjen nga dhuna e cdo lloji e konsiderojnë
themel demokracie. Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë thjesht një
demokrate më shumë në Kongres, por një kauzë më shumë, një siguri më
shumë, një e drejtë më shumë,një shpresë më shumë,një shqiptare që edhe
pse e lindur në këtë vend lirish ku jo doemos origjina përcakton
progresin personal, është kjo e fundit pra progresi personal që i bën
nder origjinës. Ne ndjehemi më të fortë kur amerikanët përmendin
Shqipërinë, faktojnë historinë e saj kaotike, ndërkohë që po përjetojmë
ditët kur historia amerikane do të shkruajë për ne, për Ulqinin e Tuzin,
Tiranën e Prishtinën, Suzannën dhe ato mijëra shqiptarë që duke
mbështetur Suzanna Shkrelin për në Kongres bëhen aktivë në një politikë
dinamike e gjithpërfshirëse sic është ajo amerikane, braktisin
indiferencën dhe tulatjen për të mos ushtruar votën në këtë vend që
Shqipërisë ia cmon cdo cilësi. Ky është rasti për të kuptuar se ndër
shqiptarë nuk ka kufinj kohor apo gjeografikë, se ne e konsiderojmë
shqiptar Malin e zi a Preshevën, Gostivarin e Dibrën e Madhe, se ata që
erdhën prej dekadash këtu janë po aq shqiptarë sa ata që vijnë
rishtaz, është rasti për të kuptuar se kauzat që na bashkojnë janë përmbi
qëllimet e ligta që na ndajnë, është momenti për të shpresuar se brezat
që rriten këtu e që kanë provuar sakrificat e prindërve kanë të drejtë
të ëndërrojnë e të realizojnë ëndrrat e pajetuara të tyre. Suzanna
Shkreli,jo vetëm një Zanë shqiptare por edhe si mijëra të tjera që u
lindën në USA, emigruan këtu, Suzanna e kauzës së jetës, bija jonë që
bashkon brezat dhe andrrat e tyre ,shpresat dhe mallin e shqiptarëve këtu dhe atje, kudo ku ndodhen është rasti ynë që nuk do ta humbasim.
Marjana Bulku
New York
No comments:
Post a Comment