Nov 21, 2016

Pronar kohe

Pronar i te shkuares,
mos u bej.
as i te tashmes
e as te ardhmes tone.
Mos...gjersa
n'shpirt te gelojne paudhesite bunker.
Nese lirine e do,
te lira leri udhet
por drejtoji
me urtesi ato
drejt rregullit te lirise.
Pronar i fatit tone
mos u bej.
Se fati te permbys edhe ty nje dite
shtigjeve ku padrejtesia te shpie
kur jo pa shkak
corienton te brishtat tona
liri.

Nentor 2016

Nov 19, 2016

Guri kilometrik dhe ekonomia pa treg


Cfarë mundet ta shpëtojë jetën që rënkon në kushtet e një crregullimi të gjatë të ekonomisë, edukimit, sigurisë?
Kush do mund ta shërojë politikën e sëmurë që duhet të orientojë ,duhet të krijojë kushte që konceptet e mësipërme të zhvillohen?
Kur flasim kaq shumë për dosjet e të kaluarës a nuk do ishte mirë që të shqyrtonim këto të së tashmes, të përditshmërisë tonë ku individi shfaq karakterin ,atë që formësohet nga historia familjare por më shumë sesa kaq , nga veprat e tij .
Me një kujtesë normale mundemi ti hedhim një sy jo historisë së shkuar, por asaj që jetojmë aktualisht … Kur sistemi 50 -vjecar dështoi duke na lënë në varfëri shpirtrore e materiale ,me po kaq varfëri tentuam tregun, atë që planifikimi i centralizuar e kishte zvetënuar dhe shndërruar në një sistem të mbyllur ,shterpë. Dikush në ”liri” ndërtoi shtesa pallati që u ngjanin arnave, u pushtuan ato pak hapësira të gjelbërta që varfëria -rastësi kishta rezervuar për ne,të tjerë me fantazinë e burgosur ndërtuan lokale, hotele, motele… sa pak biblioteka, librari qendra komunitare e shërbimi në qytetet tona!
Të tjerë u larguan nga Shqipëria për të jetuar perëndimin e ëndërruar…
Ata që qëndruan ,ata që ndërtuan jo si uzurpatorë por si vizionarë duke hedhur gurët kilometrikë në kushtet e një ekonomije ku tregu dhe konkurenca e lirë pothuajse nuk ekzistojnë, janë pak, ndoshta shumë pak sepse liria pakufi e tjetrit e mbyt lirinë individuale ,atë që rregullin e konsideron LIRI. Me një shikim të vemendshëm e arsyetim të kthjellët gjithkush mundet ta bëjë këtë studim sipërfaqësor. Ta shohësh tjetrin si produkt i kontributeve të veta në kushtet kur individualizmi kolektiv dhe mobilizimi politik i masave fsheh vlerat reale, jo ato që të bëjnë nderi i qyteteve tona (të tillë ka shumë),por ato qe u bëjnë vërtet NDER qyteteve me vyrtytshmëri, punë dhe vlera.
Shteti garant, shteti spektator, jorregullator ,shteti partner, i manipuluar dhe manipulues…kur humb rolin e vet dhe tregun e shndërron vetëm në një imazh , gurin kilometrik-mirazh, në një sistem ekonomi k”të lirë” thuajse utopi…janë panorama e pashpresë ku janë zhytur qytetet tona. Aty ku unë kërkoj të gjej lagjen e vjetër , atë historike të qytetit midis identitetit të humbur dhe uzurpimit fatal të cdo hapësire të lirë . Më kot kërkoj parqe të gjelbërta apo sado pak sipërfaqe ku fëmija të marrë ajër dhe argëtim…Kujtesa e fortë më con nëpër premtime të harruara me kinema , 3D,,,Por po, nëpër qytetet tona ka ideatorë, ka edhe nga ata që idetë i shndërruan në produkte pune dhe djerse me qëllim ndërtimin dhe përmirësimin e jetës, ka edhe nga ata që hodhën themelet e sipërmarrjes së lirë duke konkretizuar edukimin dhe profesionalizmin e ndertuar eksperienca që flasin,,, a do ti lëmë të flasim???? Qytetarët heshtin… Mediat inekzistente janë shndërruar në kronikanë festash apo ekstremitetesh ,opinioni publik thuajse nuk ekziston sepse në shoqëritë ku roli i lidershipit i atribohet vetëm kryetareve partiake publiku manipulohet,,, Lidershipi si definicion është ”MUNDESI INDIVIDUALE PER TE NDIKUAR ,MOTIVUAR TE TJERET PER TE KONTRIBUAR DREJT EFEKTSHMERISE DHE SUKSESIT TE ORGANIZATES APO GRUPIMIT KU ATA BEJNE PJESE”
A kemi të tillë në shoqërinë tonë ? A kanë ato kapacitete dhe mundësi të ndikojnë në realitetin problematik shqiptar?
Ne flasim për dosjet e së kaluarës për padrejtësi e dëme njerëzore , mirë bëjmë dhe pse nuk i faktojmë dot kurrë, por kujdes, m’u përpara syve tanë e tashmja vret njëlloj si dje…janë po ato akte dhunimi në sisteme kur të mohohej e drejta për të studiuar (jetike) ndërsa sot ajo për të punuar,(po aq jetike) me qëllim përqëndrimin e saj nëpër kupolat e regjimeve që nga të vjetra u meremetuan si qytetet tona pa dashuri, me babëzi.
E përsëri në fund të këtij casti meditimi që kurrë nuk mbaron më vjen pyetja fillestare, CFARE MUND TA SHPETOJE JETEN QE RENKON?
Karakteri, historia familjare dhe veprat njerëzore... sa tablo e gjërë për të studjuar individin,,,këtë kurban të totalitarizmit të të gjitha kohërave! 

Botuar ne maj 2015




Nov 8, 2016

Qytetit tim


Nuk ia bëra dot asnjë hotel qytetit
as kafene a kjoskë,
as shtesë pallati, por në t'vetmen librari si në tempull futem...
I pandalshmëm vrulli ofensiv
i pushtuesve
joturq
fundfillimi i këtij shekulli barbar, barbarësh.
I bëra foto qytetit...
e për ore të tëra u zhyta
jo në detin blu, por në blunë e thellë mendim.

C'të dhemb më shume qyteti im?
sulmi barbar apo ikjet pa kthim?

E vizitoj parreshtur qytetin tim
edhe pllakat e thyera teksa numeroj
kalldremeve të vështira
ku qytetaria si mozaik i thyer
zhurmshëm vallëzon
me zërat ku ndjehen ca lutje t'përmallta.

Ia ndjeva ikjet
e vera më dhimbsej
kur studentët i rralloheshin
e hapat fin nën bli
prej fluturime sorrash pushtoheshin
Nëpër cdo ikje fjalët kalbëzoheshin
si gjethe vjeshte.
E prej atëherë
vjeshtës xheloze me xhelozi
ia ''ruaj'' cdo gjethe.
Dhe kur ika prej aty...
S'di nëse kam ikur ndonjëherë,
ngrihem me ty,
ëndërroj aty
dhe orëve të pakta të gjumit

me ty ''flej''.

Nov 4, 2016

Po Koloseve


Dimensionet e veprës letrare janë shumë të mëdha. Ato e tejkalojnë gjeografinë, kohën, plejadën e bashkëkohësve dhe universalizohen duke u aktualizuar. Janë këto përshtypjet që të le leximi i veprës ''GJERGJ BUBANI i harruari i përkohshëm'' me autor Kliton Nesturi ku përvec biografisë së jetës së autorit, takon historinë, problematikën e kohës parë nga syri i kritikës, nga një tjetër moment ,jasht kontekstit historik që e ka prodhuar atë vepër. Përmes një hulumtimi të hollësishëm ku spikat metodologjia, qasjet me autorët paraardhës apo edhe bashkëkohës, analiza e veprës, shfrytëzimi i analeve të kohës, fotografia, letërkëmbimet e cdo burim tjetër i nje pune studimore tri vjecare kupton se sa e domosdoshme është Kritika Letrare, ajo që ta sjell librin ne sy, në mendje, në memorje.

Duke lexuar ''Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm'',arrita të njoh një nga shkrimtarët plot origjinalitet që nuk e kisha lexuar më parë. Njoha gazetarin dhe patriotin,përkthyesin dhe gjuhëtarin, humanistin dhe margaritarin e harruar të kulturës shqiptare.
Dhe natyrshëm ndaloj shpesh leximin duke pyetur veten ''sa të tillë ka shoqëria, kultura, letërsia, historia, komunitetet tona?!'' Dhe në mënyrë të panatyrshme më mundon pseja konstante mbi mungesën dhe tkurrjen që i shkakton krijimtarisë mohimi i ca akteve krijuese e për më tepër i mendjeve të mprehta të saj. Ta rimarësh shkrimtarin që koha ia reduktoi përmasën dhe t'ia sjellësh lexuesit të sotëm është një mision që i kalon përmasat e shkrimit duke u shndërruar në një shërbim human që shoqërisë i sjell vlera të shumfishta .
Si lind vepra letrare? Po një individualitet artistik? Sa ndikon mjedisi historik në përmasën e tij?A ndikon mjedisi kulturor në spikatjen ose jo të rolit të intelektualëve që dominojnë kulturalisht?
Që të gjitha këto pikpyetje shtrohen për zgjidhje duke hapur shtigje të pafundme mendimi në veprën e studjuesit Nesturi. ''Toka mbi të cilën nisi të punonte Gjergj Bubani nuk ishte djerr, fjalët dhe rrjeshtat që buronin prej tij, ishin një gur dhe një mur në kështjellën e madhe'' - shprehet autori duke pohuar kështu truallin letrar plot satirë e realizëm, plot dramë dhe problematikë shqiptare, cka nuk ia cungoi aspak lirinë Bubanit për të qënë i freskët në gjuhë stil dhe mendim. Kjo vazhdimësi letrare është kultura që përcjellin njerëzit e dimensioneve që shkrimin dhe mendimin nuk e konsiderojnë si pasuri apo arritje personale, as si pronë të tyre por si një domosdoshmëri që i shërben gjithkujt prej nesh e në cdo kohë.
Tendencat poetike të Bubanit, proza, publicistika, karakteret letrare, gjuha që përdor, përkthimet apo cdo element tjetër i veprës vëzhgohet nga syri kritik i asaj kritike që i duhet fort letërsisë, muzikës ,kulturës sonë, jo për të mohuar por për ti normalizuar dhe strukturuar ato. Ne vijmë nga një sistem shkollor ku leximi na orientonte drejt një mënyrë të limituar dhe kjo për dhjetra arsye, politike, ekonomike që kushtëzuan kulturën tonë të leximit dhe të të arsyetuarit dhe refleksioni ynë pas aktit të leximit ishte gjithashtu i mangët. Teksti historik, teksti letrar, apo i cdo lloji tjetër kishin përmbajtje me ngarkesa të panevojshme politike që përvecse politizonte, lodhte , bezdiste dhe varfëronte kulturën tonë të të lexuarit dhe të të menduarit. Ky vetizolim kulturor i trashëguar mbajti larg nesh autorë të përmasave ndërkombëtare, përkthyes, studjues, ata që bibliotekat e botës do na i kishin sjellë në Shqipërinë tonë fatkeqe dhe të harruar.Sot që tregu i leximit është hapur dhe ne jemi të lirë të lexojmë pa kufij, madje edhe kanalet e komunikimit letrar janë shumfishuar aq sa lind rreziku i harresës apo mënjanimit të kolosëve të letrave shqip, të atyre që të sjellin historinë dhe letërsinë në një akt leximi.Prandaj them se ky libër është më shumë sesa një botim, është kronologjia e një autori që nuk ia njohëm përmasën reale në kohën e tij por një shplurosje harrese ia ridimensionon veprën. Kur lexon veprën cdo akuzë bie por ne me dhimbje pohojmë se mohimi i gjigandëve na ka zvogëluar, vënë në dyshim ekzistencën dhe natyrisht na ka varfëruar sistematikisht. Le t'ia nisim nga pohimi i koloseve. 

Marjana Bulku



Nov 2, 2016

Kauza njerëzore e shqiptares Shkreli, shqiptarja e pare drejt Kongresit amerikan


Ajo është 29 vjec. Shkollimi dhe edukimi familjar janë shtylla të forta që përforcojnë cilësitë njerëzore,por tek Suzanna Shkreli,shqiptarja e parë që kandidon për në Kongresin amerikan duket se maturimi i ka rrënjët përtej edukimit apo ambicies politike. Është profesionalizmi që udhëheq kauzat cka bën të mundur që të shohësh përtej caqeve apo flamujve të politikës.Kauza Shkreli ka në themelet e veta jetën,sigurinë e fëmijëve në këtë botë globale ku jo cdo liri është LIRI. Kauza Shkreli është kauza e gruas, e familjes,është kauza anti -dhunë dhe pro-jetë. Të ketë lidhje kjo kauzë me rrënjët e saj shqiptare, me ato zana t'bukura bjeshkësh që ushqejnë jetën me forcë e nder?! Padyshim që po. Teksa pohon origjinën e saj shqiptare me anglishten e rrjedhshme e me shqipen dëshmi e gjallë origjine ,ia përforcon identitetin vetvetes duke nxitur krenarinë e natyrshme ndër ne. Është historik akti i kandidimit të saj për në Kongres, është e pandalshme mbështetja e saj jo vetëm prej shqiptarësh, por edhe prej konservatorëve, fisnikëve, institucioneve amerikane që sigurinë njerëzore dhe mbrojtjen nga dhuna e cdo lloji e konsiderojnë themel demokracie. Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë thjesht një demokrate më shumë në Kongres, por një kauzë më shumë, një siguri më shumë, një e drejtë më shumë,një shpresë më shumë,një shqiptare që edhe pse e lindur në këtë vend lirish ku jo doemos origjina përcakton progresin personal, është kjo e fundit pra progresi personal që i bën nder origjinës. Ne ndjehemi më të fortë kur amerikanët përmendin Shqipërinë, faktojnë historinë e saj kaotike, ndërkohë që po përjetojmë ditët kur historia amerikane do të shkruajë për ne, për Ulqinin e Tuzin, Tiranën e Prishtinën, Suzannën dhe ato mijëra shqiptarë që duke mbështetur Suzanna Shkrelin për në Kongres bëhen aktivë në një politikë dinamike e gjithpërfshirëse sic është ajo amerikane, braktisin indiferencën dhe tulatjen për të mos ushtruar votën në këtë vend që Shqipërisë ia cmon cdo cilësi. Ky është rasti për të kuptuar se ndër shqiptarë nuk ka kufinj kohor apo gjeografikë, se ne e konsiderojmë shqiptar Malin e zi a Preshevën, Gostivarin e Dibrën e Madhe, se ata që erdhën prej dekadash këtu janë po aq shqiptarë sa ata që vijnë rishtaz, është rasti për të kuptuar se kauzat që na bashkojnë janë përmbi qëllimet e ligta që na ndajnë, është momenti për të shpresuar se brezat që rriten këtu e që kanë provuar sakrificat e prindërve kanë të drejtë të ëndërrojnë e të realizojnë ëndrrat e pajetuara të tyre. Suzanna Shkreli,jo vetëm një Zanë shqiptare por edhe si mijëra të tjera që u lindën në USA, emigruan këtu, Suzanna e kauzës së jetës, bija jonë që bashkon brezat dhe andrrat e tyre ,shpresat dhe mallin e shqiptarëve këtu dhe atje, kudo ku ndodhen është rasti ynë që nuk do ta humbasim.


Marjana Bulku
New York



Nov 1, 2016

"Couture Fashion Week" dhe performanca shqiptare e bukurisë muzikore

Ndërrimet e stinëve e për rrjedhojë dhe të sezoneve të veshjeve ,natyrshëm përkojnë me parada dhe sfilata modelesh në botën e modës që duket se nuk njeh kriza e për më tepër në metropolet e mëdha sic është edhe New Yorku.Ngjyrat, prerjet, ecjet nën tinguj të qetë dhe ritmikë,vallëzuan për tri ditë radhazi nëpër pasarela me sytë e vëmendshëm të shikuesve , objektivat e kamerave dhe kritikët e modeluesve.

Eventin e zakonshëm patëm rastin ta ndiqnim edhe ne (Televizioni Albanian Culture NY), jo se përbënte ngjarje me rëndësi për komunitetin e shqiptaro- amerikanëve që jetojnë këtu, por sepse kishim një ftesë të vecantë nga Gjilberta Lucaj ,e vetmja shqiptare që do të perfomonte aty ,natyrisht jo si modele por si artiste që me tingujt e saj e bënte edhe më aristokratike gjithcka përreth... 

Fustani i saj i kuq mund të ishte konkurrues në paradën e veshjeve, prerjeve, ngjyrave që sfidojnë me bukuri jetën e vrullshme , të lodhëshme dhe me jo pak strese që gjithkush në këtë vend ka ,por jo, ai nuk do jetë mbi pasarelë edhe pse hapat e Gjilbertës si prej balerine janë të denja për ti bërë promo veshjes elegante.Janë tingujt e interpretimit të saj që celin finalen e një jave mode në New York City, këtu në Time Square Manhattan ku jeta nuk din të ndalet, ku netët dhe ditët nuk ndahen sepse reklamat i ndricojnë fuqishëm netët dhe hapat e turistëve kureshtarë nuk stepen pothuajse asnjë cast.
Gjilberta me fustanin e kuq dhe violoncelin që gjithmonë mban me vete që kur ishte 7 -vjec ulet në krye të pasarelës dhe shpërndan ca tinguj aq të bukur që mua më cuan larg në kohë, diku në  vitin 1997 , në pallatin e kulturës Peshkopi ,ku ca vajza të bukura dibrane (nxenese gjimnazi)do të ecnin për herë të parë mbi pasarel ndërkohë që një shoqen e tyre bashkëmoshatare e kishin rrëmbyer nga shtëpia...ato nga skena e thjeshte ,me hapa që muzika i diktonte do të transmetonin mesazhin se JETA është ''pronë ''e tyre , e bukurisë, mencurisë ,sigurisë që përmes tingujve '' It is my life'' e tejkalonin delikatesën që zakonisht pasarela ofron... edhe pse viti ishte 97...Këto ndjesi më zgjuan tingujt e Gjilbertës, buzëqeshja e qetë e Verës që regjistronte në kamer ...Koha ,kjo pasuri plurale që shetit gjithkund më ''rrëmbeu ''për pak caste dhe më tha se edhe njeriu ka mundësi ta shërojë kohën, me ca tinguj, fantazi dhe mbi të gjitha bukuritë e pafund që vetë ai (njeriu)prodhon.Pas tingujve të Gjilbertës nëpër sallë u derdhën ngjyrat, prerjet, stilimet, fantazitë e make up- sh dhe natyrshëm duartrokitjet...
Gjilberta Lucaj me fustanin e saj të flamurtë mund edhe të prezantonte modelin e një veshjeje të bukur ,por jo ,ajo kishte zgjedhur ti dhuronte tingujt kësaj atmosfere dhe mua fantazitë e pafundme që lindin nga tingujt...Arti ka pushtet,,, më shumë sesa e bukura,fjala, ndoshta përmbi cdo pushtet tjetër është arti. Falemnderit Gjilberta jonë që me tingujt e bukur ke fuqinë që të superosh përmbi gjërat e bukura dhe jo të bukura që jeta ofron.

Marjana Bulku
New York







Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...