Dec 4, 2021

LE TE FLASIM ME SHUME PER LIRINE...

Ne gabuam.. (Le të flasim më shumë për lirinë) 

Ne gabuam sepse edhe në demokraci folëm shumë për komunizmin dhe diktaturën. 
Ne gabuam sepse në demokraci nuk promovuam vlerat e shkuara, të harruara, të pashkruara të së kaluarës që historia e shkruar nën diktaturë i veniti. 
Ne gabuam sepse e përmendëm kaq shumë Enverin deri në paharrim. 
Ne gabuam sepse nuk i dëgjuam dhimbjet e së kaluarës. 
Ne gabuam sepse nuk i ndjemë thirrjet e viktimave. 
Ne gabuam sepse duartrokitëm verbërisht. 
Ne gabuam sepse besuam se vetëm ”fitimtarêt” kanë gjithmonë të drejtë. 
Ne gabuam sepse nuk mësuam nga historitë e dinjitozëve që nuk ia shitën shpirtin diktatit dhe ligësive të kohës. 
Ne gabuam sepse nuk ia lexuam mendimin kolosëve tanë të mohuar të pendës. 
Ne gabuam sepse iu përulëm monumenteve, busteve, mermereve dhe jo vlerave. 
Ne gabuam sepse iu dhamë liri kjoskave, kafeneve, restoraranteve, hoteleve dhe jo muzeumeve, librarive. 
Ne gabuam kur kujtuam se liri fjale do të thotë sharja dhe përgojimi i tjetrit. 
Ne gabuam sepse nuk njohëm plagët e vërteta tonat. 
Ne gabuam se nuk i mjekuam ato. 
Ne gabuam sepse nuk i izoluam shkaktarët e plagëve tona. 
Ne nuk gabuam pse ishim të varfër e të paditur. 
Ne gabuam se donim të pasuroheshim menjëherë, njësoj, si dikur të varfêr në komunizëm. 
Ne gabuam se iu nënshtruam të keqes. 
Ne gabuam sepse nuk dijmë ta kundërshtojmë të keqen. 
Ne gabuam se nuk dijmë ta dallojmë të mirën, edhe pse pak të mira na kanë ndodhur si komb. 
Ne do ta sfidonim të keqen po t’ja ndjekim fijet e jetës të mirës. 
Ne gabuam sepse nuk debatuam por kryqëzuam tjetrin e ndryshëm. 
Ne gabuam sepse ia kujtuam gjithkujt madje edhe atij që nuk e njihte të keqen që mbërtheu nga fyti jetët tona atëherë, përherë. 
Ne gabuam sepse nuk përkrahëm liritë. 
Ne gabuam pse nuk i studjuam thellë liritë. 
Ne gabuam se folëm aq pak për liritë. 
Ne gabuam… 
….sa pak folëm për lirinë! 

Marjana Bulku

JO FRYMES PERJASHTUESE NE OPOZITARIZEM

Gjithmonë më ka shqetësuar fryma përjashtuese në subjektet tona politike. Jo pak herë kam reflektuar, madje edhe reaguar edhe pse në të shumtën e rasteve zëri im ka mbetur si thirrje në shkretëtirë ndoshta edhe si monolog në kushtet një dialogu të munguar. Sistemi shoqëror dhe ai politik në Shqipëri e ka në gen frymën përjashtuese, denigruese, përçmuese pasi ne jemi një shoqëri që luftën klasore e amplifikuam vetë duke duartrokitur gabimet që bënte politika. Kur them Ne për hir të së vërtetës e përjashtoj veten pasi;- së pari për fat të mirë unë dhe asnjë pjesëtar i familjes time nuk ishim anëtar të partisë mëmë ( asaj të Punës) që i ndante në klasa popullsinë , në të prekur, të internuar , të përkëdhelur , të deklasuar, familje revizioniste, borgjeze, etj etj.dhe -së dyti kur u bëra anëtare e Partisë Demokratike në janar 1991 e më pas unë kurrë dhe në asnjë moment nuk i kam fryrë zjarrit të urrejtjes dhe përçarjes, denigrimit të tjetrit dhe përjashtimit madje e kundërta ka ndodhur sepse në Demokraci çdo kontribut ka vlerë. Po çfarë po ndodh sot në partinë më të madhe opozitare ?! Është i pakuptueshëm dhe apsurd përjashtimi i individëve apo individualiteteve e për më tepër kur je në opozitë . Pa dashur të rendis emra dua të kujtoj se zvetënimi i opozitës i ardhur së brëndëshmi më së shumti êshtë një fenomen brejtës dhe vetshkatërrues me të cilin nuk mund të trumpetosh thirrje për fitore. Ka qenë e dhimbshme për mua kur Opozitës i largohej Karamitro, Zhulali, Topi, Patozi, Bojaxhiu, Olldashi, Topalli, Berisha ,etj etj. Akoma më e dhimbshme ishte kur askush nuk ngrinte zërin për këto ZËRA që shuheshin kur aq shumë duheshin për arsye të maturimit të tyre politik por edhe konsolidimit të historikut të Partisë Demokratike. Madje e kundërta ndodhte , më kujtonte fëmijërinë kur në përgjigje të prishjes së marrdhënieve me kinezët apo grupet armike ndaj regjimit të Hoxhës duhet të shkarravisnim nga librat emrat , madje edhe figurat e tyre vizuale. Sot Partisë Demokratike nuk i mungojnë aktorët ,por fatkeqsisht ata janë vënë përballë njëri- tjetrit në një duel që nuk i shërben as historisë së saj , as individëve që e deshën dhe as atyre që nuk e duan , as vendit tonë fatkeq i destinuar të mos ketë opozitarizëm por vetëm duartrokitarizëm. Një opozitë dinjitoze do të duhej të shohë përtej vetvetes, të mbjellë shpresa tek ata që nuk kanë dhe që pompoziteti qeveritar i cili prodhon deri aeroporte imagjinare , luks me rrena, ndërkohë kur në çdo cep Shqipëria rënkon nga pafundësi krizash sociale dhe ekonomike , opozita merr një mision tjetër , shërues, inspirues, shpëtues. Një opozite dinjitoze nuk i ka hije të mbjellë kaq shumë stres , presion dhe konfuzitet brenda antarësisë së saj për çeshtje të saj të brendëshme . Një opozitë dinjitoze nuk përjashton por i fton anëtarêt e saj madje edhe qytatarët jo partiakë në një koalicion që është kundra padrejtësive . Përjashtimin e kam provuar edhe unë , por çfarë kuptova është pikërisht ajo që dua ta ndaj me ju ; minidueli i brëndshëm ka efektin diapazional përtej subjektit ku ndodh ai e që zbërthehet në zhgënjim ndaj subjektit i cili në vend që të zgjerojë radhët e të shtojë ndjekësit , godet pa shkak shërbëtorët e vet për arsye egocentrizmi (them unë )duke tkurrur fuqinë e vet dhe duke vetshkatërruar subjektin për të cilin të gjithë jemi përgjegjës . Ndaj theksoj se që një opozitë të jetë dinjitoze do duhej të ndalojë çdo fjalor denigrues dhe poshtrues dhe regjistri gjuhësor politik të pasurohet me ftesa e thirrje përbashkimi pasi opozitarizmi nuk e ka luksin ti thotë askujt: IK ! edhe pse dikujt :Gabove! , dhe shumkujt kthehu! Opozita nuk i takon individit por tërësisë së saj numerike dhe historike që me siguri ka prodhuar Risi në këto vite e qē është koha të marrin në dorë fatet e momentit politik në PD . Marjana Bulku

Sep 26, 2021

Kendveshtrimi i nje idealisteje

Mund të duket idealiste dëshira pêr të parë një Parti Demokratike të bashkuar , por është pikërisht kjo çka i duhet jo vetëm asaj por dhe Shqipërisë sot më shumë se kurrë edhe pse debati, ndasitë dhe përçarjet kanë marrë pêrmasa të hatashme ndaj fuqia ime e vetme êshtë urimi që të mos dalin jasht kontrollit. Mund të duket idealiste ëndrra ime për një PD me identitet , me të drejta , parime, vullnete pozitive dhe histori dinjiteti pasi pikërisht kjo ishte ëndrra e shumëkujt që u afrua aty që në momentet e para të lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri . Edhe pse gabimet në PD janë individuale e pasojat deri diku kolektive, pak kush e kuptoi se sa peshë ka individii në subjekte që lindën pikërisht si nëvojë lirie dhe të drejtash të munguara ndaj respektimi i mendimit të ndryshëm është alternativë më shumë dhe jo armiqësi. Gjithmonë e kam vuajtur në heshtje indiferencën pushtetare kur individë të pashpresë por me sy nga shpresa për demokraci vetdigjeshin , pasardhës të familjeve të vuajtura nga diktatura iknin e iknin nga atdheu me barra zhgënjimi mbi supe. Kam reaguar me vigjilencë kur trashëgimtarë vuajtjesh e persekutimi ndëshkoheshin me papunësi në ditët më të bukura të udhëheqjes së asaj që ne e quanim dhe donim një forcë të djathtë. Dialogu i munguar në PD, jo pak herë na shndërroi në monologues që në pamundësi për t’u dëgjuar i flisnim vetes por si idealiste prap mendoj se koha e reflektimit ështē plurale dhe kurrë nuk ështē vonë pêr të thënë çka nuk u tha apo për të kërkuar ndjesë për gabime që tkurrën atë formacion lirie që lindi për ti dhënë frymë lirive të munguara. Dhe si idealiste që jam, me liri kuptoj liritë që lindin të tjera liri e ku baza është Zoti dhe e drejta që nuk cënon askënd . Është idealiste të besosh se askush nuk duhet përjashtuar në demokraci ,askush nuk duhet lënë menjanë apo mohuar në forume të tilla ku individi ka vlerë po aq sa grupimi . Mendoj se do të kishte qenë shumë e thjeshtë të kishim pasur një PD demokratike , mjafton të mos imitomim Partinë e Punës, dhumuesen 50 -vjeçare të lirive, të drejtave, pronës , historisë, ekonomisë, edukimit , njohjes së botës përreth dhe asaj tonës brenda nesh. Mjafton ta donim e shfletonim historinë tonë , ti njihnim e nderonim njerëzit tanë të edukuar brenda dhe jasht vendit, të donim njëri -tjetrin e të mos i shpallnim armiq ëndërrimtarët e lirisë dhe Kombit të përbashkuar, t’ju kërkonim ndjesë viktimave të diktaturës e ti kishim ata ne muzetë e ndêrgjegjes dhe të historive tona. Duket e pamundur edhe pse ishte e thjeshtë ti dëgjoje zërat që nuk flisnin dot , ata që viktima i bēri regjimi, mjerimi por edhe injorimi dhe indiferenca e autoriteteve. Mjafton të ishim opozita e së keqes, e dhunës, vjedhjes, imoralitetit shthurjes , dhe do ta kishim tejkaluar kështu sadopak të shkuarën tonë që na mban peng . Mund të duket idealiste por nga poltika mësova të mos urrej kurrë askënd për bindje të ndryshme politike nga unë . Dhe kêshtu shumë nga ata në mos do të mendonin si unë , do të më kuptonin dhe mirëkuptonin. Dhe kjo nuk është teori por realitet që unë e kam jetuar jo shumë vite më parë. Askujt nuk mund ti imponohesh dot me forcën e pushtetit apo me presion , më keq akoma me shpifje e shantazh pasi koha provon se gjithçka ke aplikuar gjatë udhës do të rikthehet në po të njejtën mēnyryrë mbi ty. Mund të duket idealiste por në të gjitha statistikat, fjalëkëmbimet , korrespondencat të dhënat që unë ruaj ka një historizës të vogël çka më rrëfen se historia është ajo që mban gjallë subjektet dhe objektet tona dhe se ajo pa individët dhe rolin e ture nuk frymon. Në debatet brenda të tërês siç është rasti i fundit në PD nuk mund të ketë; me mua apo me atë , përgjigja ime ndonëse idealiste do të ishte; me historinë , me atë që lindi rrugicave të qytetit studenti, u ngjiz nga petagogët dhe intelektualet dhe u lind nga idealistët dhe dashnorët e lirisë . Po po është idealiste të pohosh se po ajo liri thërret prap ;intelektualët dhe themeltarët, patriotët dhe mendimtarët per ti çelur udhën e arsyjes një politike të djathtë që ka rast të jetë e kundërta e të keqes që ka pllakosur vendin tonë , një shteg shprese se atij vendi nuk i mungojnë mendimtarët dhe patriotët që dijnë tja mbrojnë të tashmen në udhëkryq dhe të shkuarën që ende nuk është shkruar . Marjana Bulku

Jul 31, 2021

SKENDERBEU...ky kolos i te gjitha koherave

 

Skënderbeu…ky kolos i të gjitha kohërave rishfaqet në ditët tona të mira si krenari kombëtare,por edhe në ditët tona enigmatike si shpresë, si modeli i nje lideri që sfidoi kundërshtarin jo vetëm me forcë,por edhe me  strategji.  Është pikërisht kjo ndjesi që lind dhe rilind tek une, kur historikisht shqiptarët bien dakort se vepra është ajo që lartëson heronjtë.Kur shqiptaret unanimisht pranojne se Ai është nje monument që ka vend te vecantë në historinë tonë të vjetër dhe të re,kur bota ,ky lëmsh i stërmadh  përballe kontributesh të tilla heronjsh  duket kaq e''vogël'',kur sheshe dhe muze botërore mbajne bustin e tij, shpatë,përkrenare ,,,vlera e Tij ridimensionohet duke na kultivuar krenarinë.

Nuk ka shqiptar nga ai me i vogli ne moshe e deri tek me i largëti në  vendndodhje( të shpërndarë  anembanëglobit ), që të mos njohë Heroin e madh që kombit të vogël i bëri emër duke kapërcyer kufinjtë që politika i caktonte shqiptarit duke ia bërë jetën si burg shekullor.

Dhe nuk është rastësi që folklori shqiptar ka vend të vecante për Heroin tonë kombëtar me vargjet legjendare dhe historike ka gdhendur përmasat e para të përmendores historike (ndoshta të vetmes) përballe të cilës shqiptarët unanimisht thonë :Faleminderit!

Kohët e vështira kërkojne Heronj të mëdhenj,prodhojnë heronj të mëdhenj që sfidave  u përgjigjen me largpamësi e guxim për tu bërë më pas shembuj përjetësie!

Ky mendim më përshkon kur në bibliotekën e madhe shqip numëroj autorët që e shndërruan në Personazh Gjergj Kastriot Skënderbeun, që nga Barleti pothuaj bashkëkohës, deri tek N.Frashëri,Noli, Godo,K.Frashëri,,,dhe padyshim ky varg krijuesish është mjaft i gjatë, infinitivisht ...

Ky mendim më përshkonte kur nxënësve shqiptarë  u kërkoja të shkruanin për Laokoontin, Trojën, për Makbethin, Hamletin,etj...dhe përmasën e Heroit në ditët e sotme e konfiguronin me atë të një përmendoreje me ose pa kalë.

  Dhe në mendjen time ka një diskutim që nuk u shtrua kurrë me ta, për dhjetra arsye,por vetëm një dëshirë: Si ta gdhendim përmendoren e Lirisë dhe krenarisë  duke e lexuar historinë me të gjitha dritëhijet e pa patur frikë nga disidenca?!

Një kënd botimesh për heroin, shkrime dhe esse për të, piktura e skica,inskenime, kërkime e reflektime ,debate dhe mendime ndryshe  dhe kështu ''e sjellim heroin ''ne klasë,në shkollë,në muze,në librari në media...

 

Dikur tek Vatra këtu në SHBA  në një promovim pata fatin të dëgjoj vargje kushtuar Skënderbeut ,të mrekullueshme si në konceptim, përkthim ,interpretim, por cfarë dua të vecoj është pikërisht fakti se autor i këtyre vargjeve ishte një amerikan(Ch.T. Erickson)  që e donte dhe respektonte Shqipërine dhe shqipëtarët edhe falë heroit tonë kombëtar. Ja si shkruante ai ndër të tjera :

 I flake tej nderet imperiale

dhe lavdinë ndër vite fituar

të mbroje folenë e vëndit tënd trazuar,

si shqipe-shqipëtare gjoks zbuluar,

prej morisë së pafund të shigjetave i sulmuar.  etj, etj.

Vargje që rrëfejnë historinë, dhe që dëshmojnë se për shumëkënd rruga për të njohur një popull kalon detyrimisht nga historia dhe ajo në asnje cast nuk duhet flakur e sulmuar,por duhet mbrojtur dhe ruajtur,për tu trashëguar e pasur ,e plotë.

 

 Ndaj jo rastësisht m'u duk sikur pashë një tjetër përmendore fjale, gdhendur jo nga nje bashkëkombas,por një i huaj që njeh dhe don shqiptarët MIK i madh i tyre,mburojë sulmesh e goditjesh fqinjësh , një përmendore historike, që rrëfen hisorinë tonë, diku edhe  në Amerikën e largët.

Kjo është vetëm jehona që shkakton historia,kur ajo shkruhet me vepra madhështore, nga njerëz që e duan vendin e tyre ,kjo është  vetëm zanafilla nga ku nis studimi dhe rrëfimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët,pikërisht aty ku lind krenaria kombëtare,,,historia e ka shtratin të sigurt dhe heronjtë parakalojnë me veprën që meriton memorie dhe nderim.

 Nëpër histori nuk takon vetëm heronj, por edhe episodikë,enigmatikë, frikacakë,kolosë,endacake,,,,le ti gjykojmë ata mbi veprat,produktet dhe gjithcka shkakton trashëgimnia e tyre viteve që lartësojnë të mëdhenjtë ,bën  të paharrueshëm KOLOSËT!

(Botuar tek gazeta ''Dielli'' NY


Per dashurine, kujdesin si sherim

Dashuria, kujdesi dhe muzika shërojnë...
Dje pasdite vizitova Suzanën, në shtëpinë e saj , aty ku ajo jeton me të bijën Carolina.
Në prillin e 2020-tës ajo ndodhej e shtruar në spital dhe për shkak të keqmenaxhimit të fillim-krizës pandemike kujdesi për pacientin pësoi tronditje fatale për shumëkënd.
Mua m’u desh të përballesha me një sfidë jo të lehtë: diçka që ishte jasht detyrimit që përcaktonte pozita ime e momentit . Në kushtet e inekzistencës së comfort care, nën lutjet e e pandalshme të Carolinës, hyra në dhomën e Suzanës, e ushqeva , mund të kishte dy ditë pa ngrënë, thirra mjekun neurolog, dhe pas ekzaminimeve u pa se ajo kishte pësuar goditje në tru gjatë atyre ditëve të tmerrshme .
I vija muzikën e saj të preferuar, hyja herë pas here në dhomën e saj , e thërrisja , i vija zërin e së bijës ,etj etj...
Dhe ja ku jemi përsëri në jetë edhe pse gjurmēt e sëmundjes e kanë tronditur shëndetin e saj ajo qesh, qan, ndjen, kupton, lëviz dhe artikulon mes lotësh në hebraishten e saj .
Carolin thotë se unë i shpëtova jetën Suzan mamit ,ndërsa unë mendoj se insistimi i asaj bijëze aq të dashur me një kujdes shembullor i dha edhe një shans tjetër mbijetese Suzanës.
Dashuria dhe kujdesi shērojnë , lum kush i takon .
Korrik 2021
Marjana

Dy brezat ...
Mëngjesi fillon me një zile telefoni, pastaj një tjetër ,derisa një zë i mbytur nëpër lutje e lot përtej ziles së tejzgjatur flet e flet pambarim . Kërkon të dijë gjithçka për Suzan që ajo e quan mam ndërsa për ne është paciente si gjithë të tjerët .
-Si është? përse nuk flet dot në telefon?! a mundem ti sjell diçka që ajo e don fort?!
Janë disa pyetje që nuk marrin frymë as përgjigjje dhe mua më lejnë pa fjalë.
Carolin vazhdon të telefonojë ,ajo pret që Suzan ta telefonojë ...
-Suzan ka dëshirë të flasë, ajo e pelqen muzikën , është shpirt i gjallë ,përse është konfuze?! pse nuk do të flasë?!
Nuk dij t’i përgjigjem, e ardhur rishtaz pas dy javësh qëndrimi në shtëpi, në një departament tjetër që nuk është mjedisi që unë e njoh ...
I marr me vete pyetjet e saj , largohem me hapa të ngrirë prej tryezës së punës dhe afrohem drej dhomës ku është mama e saj Suzan.Ndaloj përpara saj si përpara dikujt që njoh . Në fakt nuk e njoh . E thërras ëmbël por ndjej se zëri më dridhet. Ajo reagon pak , fare pak por shikimin e ka të ngulitur thellë pas zërit tim. Nuk ka fuqi të përgjigjet por lëvizjet e lehta të kokës janë një përgjigje . I afrohem pasi jam izoluar mirë me veshje protektive në këto ditë pushtimi prej covid 19. Nuk dua ta shkund nga përhumbja në të cilën ndodhet edhe pse dua t’ja dëgjoj të paktën zërin që t’ja transmetoj Carolines e cila është vazhdimisht pas telefonit.
Ditët nën Covid19 janë të pazakonta , edhe pse në rrugë, në parqe, në qendra tregtare, në shkolla ka rënë një qetësi e frikshme, në mjediset spitalore qetësia bëhet kërcënuese.
Dikur momentet kur vinte në jetë një fëmijë jehonin në gjithë korpusin me një Lulaby që sjell gëzimin e mirseardhjes dhe çel buzëqeshje në fytyrat e gjithkujt. Ndërsa tani ka heshtje , vetëm heshje pas të cilës jeta e dikujt është shuar . I vetmi tingull që e thyen atë është zilja e telefonit , pyetjet përtej asaj heshtje ku jo gjithmonë përgjigja është një lajm i mirë nuk reshtin , janë pa përgjigje ,heshtin sikurse gjithçka tjetër përreth.
Telefoni bie prapë. Pastaj të njejtat hapa , drejt saj ; Susan, sytë e së cilës rrijnë nga dera, sikur presin dikë e diçka që nuk u tha ...
Një brez që po shuhet në heshtje , brezi tjetër në kërkim të një lajmi të mirë , jashtë kësaj qetësie në një tjetër qetësi të pagjumë.Një mal i tërë të pathënash në mes . Koha e çmendur që e thërriste njeriun pas punës, parasë ,mbijetesës u ndal . Ajo kohë që ndau prindin nga fëmijët duket se ka ngrirë bashkë me ndjenjat që e mbanin gjallë këtë mardhenie kaq unike dhe njerëzore që ushqen të shkuarën dhe të ardhmen tonë . Prandaj unë rend pas ngulmimit të Carolin, pas insistimit të saj për të parë çdo mëngjes sytë e nënës, për ti vënë në vesh muzikēn që asaj i pēlqen,për ta ndihmuar të ushqehet ,sepse kisha kohë që nuk e takoja këtë lloj dashurie .
Unë kaloj disa herë në ditë pranë dhomës ku rri Susan, çel derën lehtas, e thërras, e dij që nuk e mundoj sepse sytë e saj rrijnë gjithmonë nga dera në pritje të së bijës e cila nuk mundet të vijë por rrin pranë telefonit dhe pret dhe pret .
Nesër do të jetë një ditë e re, zilja e telefonit do nisë kolazhin e vet të zhurmshëm dhe pyetjet që unë i di , por jo përgjigjet...
Marjana Bulku
Nju Jork
Prill 2020

Jul 24, 2021

Per krijuesit dhe historikun e pluralizmit


PER KRIJUESIT DHE HISTORIKUN NE SUBJEKTET POSTPLURALISTE⁠


Kronologjia e pluralizmit shqiptar rezulton një proçes i vështirë ekzistence jo vetëm për arsyjet historike e fizike por edhe për  ato individualiste të shoqërisë sonë e cila kërcënohet sistematikisht nga kolektivizimi.
Është detyrë e historianëve t’ja përpilojnë hallkat pluralizmit shqiptar i cili i ka fillesat diku në vitin 1921, por është detyrim i gjithsejcilit që ka qenë pjesë e këtij proçesi të kontribojë në dokumentimin faktik e historik të kësaj etape e cila çeli portën e mjaft ndryshimeve të pa imagjinuara më parë  në Shqipëri për shkak të statukuosë së gjatë politike monopartiake.
Vitet e vona të pluralizmit shqiptar lidhen me shfaqjen e të parës parti pluraliste , asaj Demokratike shqiptare e cila u krijua në dhjetor të vitit 1990 si pol i të Djathtës që i kishte munguar vendit tonë, si krah i të drejtës që i ishte mohuar Shqipërisê dhe shumë shqiptarëve , si shpresë e lirive të dhunuara, pronave të pushtuara dhe mendimit të kontrolluar  si dhe gjithë derivateve të tjera  të lëna  në paliri madje deri të tejskajshme, si thirrje për ndëshkim të krimeve të një pushteti që gjeneroi dhunë e trysni  ndaj njeriut, lirive të tij të trupit dhe të ndërgjegjes por që për fat tê keq kurrë nuk u ndëshkua.
Dhe si i tillë ky stad historik pra lindja një partie të re , nuk do të pritej mirë nga e gjithë shoqëria e cila ishte transformuar në kolektiviste, (pronë e partisë shtet), ashtu sikurse shumë sektorë të  jetës e ku në emër të saj duartrokitej deri në marrëzi madje  edhe mossuksesi e ku dënohej  individi dhe prirjet e tij ndryshe.
Ata që e mirpritën këtë moment historik ku zë do kishte edhe liria e mendimit dhe e veprimit duhet të mos ia mohojnë Vatërzën historike  nē historinë shqiptare kësaj ngjarje që theu disa tabu në jetën kolektive shqiptare.
U prekën liri të pa imagjinuara më parë, u çelën kufinj që mbanin izoluar jetë , dashuri e lidhje gjaku, lindën tregje, pasuri, ëndrra të pa perceptuara më parë, ndryshoi stili i jetesës duke i  dhënë frymëmarrje të re shumë hapësirave .
Të gjithë e prekën nga një ëndërr; shumëkush e realizoi atë , dikush me shkollim, pronë, pushtet,lëvizje…
Të gjithë kishin të drejtë të ëndërronin pa frikë e ndrojtje …
Ky transformin shoqëror u bë baza e shpresës së madhe të një Shqipërie ndryshe.
Nuk dua të ndalem tek dobësitë dhe të metat pasi  sejcili ka optikën e vet në matjen e tyre, por një gjë është e sigurt që liria është domosdoshmêri për matjen e shenjave vitale të një kombi të sapodalë nga paraliza.
Protagonizmi dhe viktimizimi shfaqen si dy  fenomene jo të vjetra por të vendosura në një rrafsh të ri historik përmes të cilave sjelljet individuale bien jo pak herë  ndesh me ato të masës kolektive e cila e mësuar me njëshin e pati dhe e ka  shumë të vështirë të pranojë edhe disa të tjerë në rrethin shoqëror, politik apo më gjërë. Prandaj dhe përplasjet protagonist , viktimë , rreth shoqëror e rrezikuan mjedisin politik por akoma  më shumë historikun e këtyre organizmave  post pluraliste pa një vatêr në histori. Ky dualizëm la pa zë histori që më shumë se individit i shërbejnë një mase komunitare madje edhe progresit  shoqëror.Mbijetesa e organizmave në kushtet e pluralizmit është sfidë permanente që për fat të keq shfaqet si konflikt që në thelb ka xhelozira dhe inate alla shqiptare në kushtet e mungesës së rregullit qëduhet ti prijë lirisë. Po si mbahet gjallë një organizëm në kushtet e pluralizmit alla shqiptar ?!
Gjykoj se ka dy mënyra që sipas meje janë ; krijuesit e subjektit dhe historiku.
Krijuesit dhe historiku  janë dy shtylla të fuqishme që do ta mbajnë gjallë çdo organizëm apo subjekt politik  pjesë e pluralizmit  në Shqipëri edhe pse duket e vështirë sepse pikërisht këto dy elemente goditen fort .Nëse i hedhim një shikim të shpejtë këtyre dy aspekteve të lartpërmendur natyrshëm do i linim shteg një diskutimi të gjêrë që gjithsesi shërben më shumë sesa nihilizmi,pra  mohimi i krijuesve. Ata janë të shumtë nga qendra në bazë, por sa janë të gdhendur ata në histori?! Ky debat apo diskutim i hapur  do i shërbente një standarti shenjues në histori dhe në funksion të saj përsa kohë ende jetojnë faktet, bashkohësit, veprimtarët.
Edukimi me standartin e të vërtetave është jetik për mbijetesën e institucioneve postpluraliste në kushtet e pluralizmit të mendimit ku jo pak herë është vështirë të dallosh kufinjtë mes oratorisë dhe llafanëzërisë, lajmit dhe disinformimit, zhurmës dhe dritës së kulluar të të vërtetës në botën ku stepen , harrohen dhe shkelen të drejtat e të Drejtëve .
Marjana Bulku ( MA në shkenca politike)

 


Jun 16, 2021

Gazetaria e lire dhe pa liria gazetareske

 

Gazetaria e lirë dhe paliria gazetareske janë si dy shina paralele që ecin pafundësisht bashkë për të mos u ndarë kurrë dhe pa u përputhur me njëra -tjetrën gjithashtu .


Mbase ky është edhe koncepti im mbi qasjet e fundit të realiteteve tona të përbashkëta e nga ku gazetarêt jetojnë , shkruajnë, komentojnë , rrijnë mënjanë, anatemohen, shahen aty nga shinat paralele të udhëtimeve të tyre profesionale.


Nëpër këto udhëtime gjithsejcili i vë “ syze “ të ndryshme mendimit të tij. Ndodh që kur largohesh nga atdheu mendimi ndalon nëpër bukuritë e tij, dikujt vështrimi i ngelet  mbi plagë, tek malli që djeg, dikush tjetër, shumëkujt nëpër labirinthet e politikës  mendimi i përthyhet  përmes multiproblematikave që derivojnë nga aty e prej nga ku mendimi shndërrohet në shpatë, akuzë , konflikt, tifoz, militant.

Edhe kur turi gazetaresk ndjek shinat e kohës ku padyshim ndodhin ngjarje të shumta , fjala e ka si mision human ta latojë mendimin mirë e mirë , pa e mprehur shpatën , le t’jua lëmë atë partive , militantëve edhe pse dyshoj nëse është vendimi i mirë dhe i duhur.

Në optikën time personale më prek pa masë njeriu i pa shpresë, ai i pa zë, i drejti, i ndershmi, i heshturi njeri , që nuk e ka si mjet as sulmin por as ankimin , dhe pyetja qê lind është; po zëri i tij kush mundet të jetë?!

Gazetari që trumpeton partitë?! 

-Jo!

Investigatori që shkruan për ndjesitë e veta revanshiste?!

Jo dhe jo!

Kush mundet të jetë zëri i atyre që nuk flasin dot????

Kjo enigmë ekzistenciale do e duhet shndêrruar  në moto të  aspiruesve të mendimit gazetaresk .

Hulumtimi i fenomeneve pêrtej atij udhëtimi dy shinêsh ka rëndësi më shumë sesa zhurma dhe afeksionet nëpër stacionet ku ndalojnë e përplasen emocionet njerëzore, amatoreske apo gazetareske.

Pêrtej fenomeneve ekziston njeriu, shoqëria dhe çdo mbështjellë tjetêr ekonomike , politike që i bën jetët e tyre të duken me ose pa ngjyra.

Të jesh zëri i atyre aë s’flasin dot! Apo i të drejtave të munguara?! I lirive të keqmenaxhuara?! I jetëve në udhëkryq apo në  rrezik ?! 

Ky do ishte një udhëtim i bukur gazetaresk që i hap shtigje lirisë pa e kryqëzuar atë.


Para disa ditësh u ndodha në studion e mjeshtrit të fotografisë , shqiptaro -amerikanit Fadil Berisha. Aty do të zhvillonim një bisedë të karakterit historik që na çonte në vite të largëta ( 1872-1972) . Studio e Berishës i ngjan një salloni mode, me veshje e ngjyra, akomodime e orendi që nuk lidhen me historinë por kur vullneti dhe nevoja i prijnë qëllimeve mjedisi transformohet në atë që duhet ; pra në mendim. E në një rast si ky ; lirie, si mund të ankohesh për liritë që të mungojnë ?! Aty lindi për herë të parë Mendimi dhe i rrinte kaq bukur mendimi atij mjedisi ku reklamohet historikisht  bukuria aq sa me të drejtë duhet pohuar se rrugëtimi profesional e ka të nevojshëm liritë po aq sa disiplinën njerëzore ; atë qê njerëzit i klasifikon në ; të maturuar. 

Ndodh që mbi shinat e mendimit profesional të të ngushtojë mungesa e lirisë . Dhe pyetja që perseri 


lind është;

Çfarë bën njeriu i lirë?!

Bêrtet?

Ankohet?

Akuzon ? 

Jo! E krijon/rikrijon atë ( lirinë ) .

Apr 4, 2021

ANTENA

Antena

 
Antena ...përkon me një moment të veçantë të jetës time ,maj -qershor 1993 , e kur ndër të tjera vendlindjes time Peshkopi , do ti vendosej Antena, investim i Këshillit të Rrethit të asaj kohe e ku së fundmi qytetarët do mund të shihnin disa kanale televizive më shumë pas një kohe të gjatë izolimi të shumëfishtë.
...Më vjen në mendje shpesh antena edhe si koncept edhe si objekt . Antena si koncept mbeti gjallë jo vetëm në memorje por edhe në sjelljen tonë duke e deformuar ato , ndërsa e dyta ,objekti antenë do të kujtohet gjithmonë si objekt i munguar apo misterioz, i mbetur në tentativë e padyshim si një relike që na mbajti gjallë kureshtjen tonë naive dhe përherë fëmijnore mbi të panjohurat përtej izolimit tonë shekullor.
Të vetmohuar nga bota përtej nesh e cila e megjithatë ekzistonte me të mirat dhe të këqijat e saj , antena brënda nesh u shndërrua në një “ organ jetësor” nëpërmjet të cilit mund të ndiqje jetën e tjetrit, dëshirat, lëvizjet, ëndrrat për liri apo shijet e fshehta për muzikë, art, kinematografi.
Kjo shtojcë “ organike “ shprehje e varfërisë mendore e intelektuale nisi të zëvendësonte proçese që njeriun e bëjnë thelësisht njeri : si të menduarit, të reflektuarit apo të analizuarit me veten dhe për veten ,pasi vetvetja nisi të zëvendësohej me “ po tjetri çfarë bën, ha , pin , mendon apo ëndërron , pasi për veprime nuk bëhej fjalë pasi ato kishte se kush ti kontrollonte.
Shndërrimi në mendësi i këtij instikti të nxitur ( aspak të lindur ) do tē linte pasoja të jashtëzakonshme në sjelljet njerēzore duke kushtëzuar shpesh herë edhe veprimet dhe ndërveprimet e tyre.Duket sikur as liria nuk ka efekt mbi individët që jetojnë me këtë shtojcë jo organike që ndjek dhe përndjek tjetrin .Nuk është aspak rastësore xhelozia, fyerjet, imitimet, kopjimet sjelljet euforike, poshtrimi i tjetrit, denigrimi, mohimi, viktimizimi, etj janë të gjitha derivat i ekzistencës së “ antenës brenda vetes” , asaj që në një mënyrë apo në një tjetër është shprehje e palirisë dhe e varësisë individuale nga ajo kolektive tipar ky që lind inferioritetin dhe e bën njeriun të dobët, pre e veprimeve të tjetrit , përgjues dhe përgojues duke ia zbehur aftësitë krijuese dhe reflektuese të cilat do ta shndërronin atë në më kreativ nëse do ti kushtonte më shumë kohë vetvetes nëpërmjet mendimit, meditimit dhe plot efekteve të tjera që burojnë prej këtyre akteve thellësisht njerëzore.
Për objektin antenë , reliken primitive që na e sillte botëzën fshehtësisht në ekranin gri dhe sytë e etur të ëndrrave tona të fikura mendoj gjatë edhe pse pak është shkruar. Të gjithë e kujtojmë nga një të tillë , e fshehur , prej telash që gërshetoheshin , alumin gjysëm reflektues , në interferencë konstante me realitetin po aq gri e të pabojë si ekranet e kohës, e plot e plot mundime të tjera për shpresë sinjali, figura me xixa, zëra të largët të panjohur , të ndaluar. Disave kjo lloj antene nuk u funksionoi dot kurrë , sepse ajo tjetra , antena brenda vetes dikujt ( fqinjit, farefisit apo klientit misterioz ) ishte fuqiplotë . Antena, kjo relike e kujtesës tonë kolektive mbeti e largët ndërkohë kur ne e kishim kaq jetike informacionin, kulturën , njeriun me tërë universin e vlerave që zoti ia ka falur qëkurse e krijoi duke i dhënë tiparet e llojit mendimtar dhe krijues,reflektues dhe debatues, kureshtar i arsyeshëm dhe kërkues të drejtash dhe lirish.
Antena ky objekt kërkues , le të jetë sensor i ndjesive të munguara të njerëzores brenda dhe jasht nesh, i atyre cilësive që jetës i japin ngjyrat e duhura , ato që asaj ia dhunoi koha, njerëzit preja apo viktima të saj .
Marjana Bulku

 

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...