Kur fjala mbetet pezull
porsi një re ngarkuar me dete avujsh,
që era e shtyn, e fryn e shfryn
e nëpër dhëmbë belbëzon lutje.
Kur fjala takon trishtimin që tkurret
nga shpresa se ai pak zë mërmëritës
në lutje dylufton me heshtjet e errëta ,
syhapura,
porsi agimet e pagjuma që përkundin
perëndime t'zjarrta.
Fjala u përmend e burgosur
-“çfarë të them?” -tha
trullosur nga errësira e gjatë .
Në gojë i mbeti brenga që kurrë vetem nuk e la
porsi lulet përherë në lulzim,
porsi e drejta e lodhur prej dyluftimi
që shekujt s’ia çelën dot një udhë ,
por as shpresat nuk ia terrën ,
udhës së gjatë
e pathyer mbeti,
si kalatë.
Një oqean fjalësh u thurën
për ato shtigje që fjalët edhe të pezullta syth -mendime çelin.
Por kur fjala mbeti e pathënë...
mendimi iu bë djepi.
Ia përkundi pandalshëm çdo shkronjë
ia lexoi në heshtje çdo gjendje.
Dhe fjala mendimit i shkroi,
mendimi asaj iu bë roje.
No comments:
Post a Comment