Sep 15, 2018

Vargje per piano

Vargje per piano

Si gishtat përmbi piano 
rrëshqasin mendimet e mia
teksa fleta e bardhë vizaton me gërma 
ca vargje për tingujt 
që aq bukur 
me notat vallzojnë 
e kurrë nuk u bënë monotone
edhe pse ka mijra vjet që pentagrame thurin
mbi tastiera ku tingujt vizatojne...

Ti notat, 
unë germat kërkoj. 
Pentagrami qindra fletësh 
mijra vjetesh...

ku miliona tinguj  shtegtojnë 
Me ritme që peshojnë prej ndjesish 
që muzika fal
Bujarisht 
e pa u ndal
Ëmbëlsi dhuron
E valëzon nëpër dallgë kohësh 
Herë vjen, her shkon 
e herë kumbon
prej jehonës . 
prej atyre gishtave që prekin tastierën e bardhë...
Tinguj të ambël shpirtit i mëkojnë 
nëpër çdo pentagram që jetë jetës i dhuron
E bardhē fletëza ime 
vallēzon me pentagramin tënd 
gjuhë të ndryshme puthin notat e gërmat 
Vitet i sfidojnë vallëzueshëm.
gishtat fluturojnë me tinguj fjalët dot s'i gjen e bardha fletëz , 
miliona tinguj jete 
pentagrami thur.

 

Sep 7, 2018

Kapitullimi i individit dhe rilindja e idhujve te rreme

Në kohë varfërish materiale, varfëritë shpirtrore janë ato që shpalosin drama të thella  njerëzore. Jo gjithmonë krizat ekonomike janë shkak i atyre familjare, përkundrazi ato veçse stimulojnë dhe e bëjnë skenike e të dukshme vuajtjen materiale e cila nuk lind kurrë rastësisht, ka shkaqe të thella politike, të trashëguara që në kohë idhujsh të rremë "lulëzojnë" ironikisht edhe me themele shtëpish të rrënuara, mure prej balte e copëza suvatimesh dhe fytyra të mpihta e sy të jeshilta shprese. Kjo dramë e thellë mjerimi migjenian na rishfaq idhujt e rremë që zbulojnë mjerimin ulëritës qindravjeçar i cili e ka një shkak, ulur këmbëkryq në çdo lagje, fshat e qytet ku gjithsejcili e njeh tjetrin, ia din pamundësitë e ndofta ia ka rrënuar mundësitë. Kapitullimi i individit jo pak herë sjell lindjen apo më saktë rilindjen e idhujve të rremë, atyre që rrënimin material të turmës e shohin si kulmim të pushtetit, fuqisë. Përpara këtij rrënimi material që natyrshëm prodhon rrënim shpirtëror e mbase edhe moral çdo shfaqje, video apo foto liderash politik nuk është gjë tjetër veçse dështim i asaj fuqie që duke dashur të amortizojë fuqitë individuale, bëhet edhe më e pa fuqi.

Memorja jonë i ka të freskëta kujtimet e diktatorit gju më gju me popullin që nuk bëzante, nuk kërkonte, por vetëm duartrokiste edhe kur lakun e vështirësi ve e kishte në fyt. Individi sistematikisht u bë kurban i totalitarizmit, duke unifikuar në këtë mënyrë heshtjen me varfërinë, të drejtën me padrejtësinë, pronën me dhunimin e saj...

Kapitullimi i individit, nënshtrimi i tij ndaj heshtjes, varfërisë morale e materiale, padrejtësisë është drama më e thellë sociale që mund të përjetojë një shoqeri në stadet moderne të saj. Aktet individuale që unë preferoj ti quaj humanitare frymëzojnë dhe shërojnë përtej politikës pa e dobësuar atë, përkundrazi e pasurojnë. Pafajsia e individit të ndershëm që me punë ia doli por edhe nuk ia doli në një realitet ku të gjithë janë kundra gjithkujt por jo kundra të keqes, është momenti analitik që përgjithëson dhe specifikon fatin e unit në shqipëri dhe lartësimin e idhujve të rremë kur e keqja kërcënon dhe frika pushton çdo liri.

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...