Nov 25, 2017

Trashegimtare andrrash t'mohueme

Pothuajse tetë vjet më parë u ndodha në një rrugëtim drejt Parlamentit Shqiptar. Me vete kisha ëndrrat e familjes time për demokracinë e munguar dhe modelin e familjes ku isha nuse se si demokracia nuk mundet të ndërtohet dhe funksionojë pa pjesën tjetër, atë që nuk mendon si ty, por të dëgjon, kundërshton, debaton , korrekton e nga ku natyrisht unë mësova shumë.Një rrugëtim që pati destinacion të çuditshëm, por më mirë që ndodhi ashtu pasi shumë gjëra të jetës time mbase do të kishin ngelur peng i atyre mundësive të limituara të cilat më shumë të pamundura shpesh herë i bën mjedisi shoqëror, politik , partiak që nuk mundet kurrë të jetë jo partiak. Po të kishte patur destinacion ai rrugëtim nuk do të kisha mundur të jem sot këtu në tempullin e demokracisë , parlamentin e Ontarios ku kam rastin të jem e ftuar nga Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e cila këtë muaj feston Trashëgimninë kulturore shqiptare tashmë edhe me një ligj të posatçëm për formulimin, advokimin, lobimin dhe miratimin e të cilit është punuar nga një grup pune i kryesuar nga Dr Ruki Kondaj , Laura Albaneze , Ilir Lena, Ramazan Këllezi, Iliaz Loku, një grup që i ka dhënë këtij ligji edhe më shumë jetë dhe histori shqiptare, figura që na nderojnë në çdo kohë, trashëgimni kulturore si vlerë që rron përjetë. Teksa ndjek me sy të gjallë këtë mjedis ku historia,arkitektura, rregulli e disiplinon aq shumë politikën aq sa duket se të gjitha këto së bashku e kushtëzojnë politikën dhe jo politika ato siç ndodh rëndom tek ne.Në mars të vitit 2015 kisha asistuar në parlamentin e Ontarios me ftesë të zonjës Kondaj dhe kishim dëgjuar seancën e Leximit të Parë të Ligjit për Trashëgimninë shqiptare. Kisha parë e dëgjuar nga parlamentarët e Ontarios për rreth dy orë se si flitej për Skënderbeun, Nënë Terezën, valët e emigracionit shqiptar ,sjelljet e shqiptarëve në liri dhe jo liri çka përcaktojnë edhe thelbin e karakterit,ishte folur edhe për regjimet e padrejta të cilat janë fatkeqsi me pasoja të thella mbi të cilat lulëzojnë edhe vlera si besa, mikpritja, nderi, që përbëjnë kode morale në shoqërinë shqiptare.Është e pamundur të mos meditosh nëpër këto holle që të çojnë në tryezat ku merren vendime e kryhen shërbime duke pyetur dhe dëgjuar, thirrur dhe komunikuar, ftuar dhe mirpritur ata që janë lënda e demokracive; njerëzia.Është e pashmangshme të mos i thërrasësh arsyes e ta pyesësh retorikisht pse vallë në vendin nga ne vijmë politika është gjithmonë e ndaluar dhe aq larg interesit publik, dikur e mbyllur në"Pallate ëndrrash" sot më keq se kaq?!Është hera e dytë që ndodhem këtu , tashmë me një siguri legjitime ku bashkë me ne festojnë edhe parlamentarët e Ontarios, të të gjitha krahëve të politikës . Demokracia është mirësjellje lirie, ku ti pasi ke thënë gjithçka bazuar në fakte dhe argumenta, akte dhe projekte i bën njerëzit bashkë edhe pse ata mund të jenë të ndryshëm. Është padyshim një ditë e veçantë kur kupton se aktet e civilizuara vijnë prej komunitetesh të civilizuara. Dhe të dëgjosh Inva Mulën në këto mjedise është win win siç thotë Zonja Ruki Kondaj me gjuhë kanadeze stil. Dhe nuk besoj se ka dikush si ajo gurgullimë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare që me zërin e saj të na sjellë edhe artin klasik edhe atë burimor me një mjeshtëri prej Dive.Besoj se edhe parlamentarët kanadezë kanë mësuar mjaft prej komunitetit shqiptar që jeton këtu , për gjuhën, simbolet tona kombëtare dhe historike, artin e trashëguar dhe të kultivuar, famën e artistëve tanë nëpër botë dhe natyrisht kanë akoma edhe më shumë për të parë e mësuar rreth nesh. Një komunitet që identifikohet përmes kulturës ka rastin më të mirë për tu bërë gjithashtu i pavdekshëm nëpërmjet saj. Dhe ndërkohë një prej enigmave të mia më të mëdha se si një popull të cilin e kanosin herë pas here diktaturat dikur ajo e sitemit politik dhe tash ekonomik mundet që të lulëzojë vlera , duket se merr një farë përgjigje , u dashkam zemra dhe mendje të mëdha që vlerat tona shpirtrore dhe kulturore të mbijetojmë edhe kur terreni është mbytës.
Dy vjet më parë e përjetova aktin e parë të kësaj ngjarjeje falë asaj që unë me humor simbolik e quaj "Formula uno"Ruki Kondaj, jo veç për shpejtësinë në timon por se ajo mbërrin gjithmonë fituese në destinacion, sot shoh se këtu ka kaq shumë formula uno, Pasqyra shqiptare televizion, Bashkësia shqiptaro-kanadeze,Shqiponjat e vogla,Shtëpia e shqiptarit dhe pa asnjë dyshim Ambasadori Ermal Muca dibrani dhe miku im i familjes! Zoti ju bekofte!

Shqiptaro-kanadezet trashegojne me ligj kulturen shqiptare.


Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare...këtë faqe historike po e shkruan Dr. Ruki Kondaj me Laura Albanezen në Ontario të cilat përmes një solidariteti femëror, funksional arritën të bëjnë bashkë si kurrë ndonjëherë parlamentin e Ontarios me komunitetin shqiptar në Kanada përmes një pune profesioniste në grup të drejtuesit të medias Pasqyra Shqiptarë, zotit Ilir Lena, ndër mediat më të mira në diasporë, Iliaz Lokut, Ramazan Këllezit dhe tërë Bashkësisë shqiptaro-kanadeze që në cdo hallkë të këtij zinxhiri të gjatë pune demostrojnë vlera. 

Të sjellësh komunitetin në Parlamentin e Ontarios nuk është një proces i lehtë, mbart me vete hapa dhe punë që vetëm një grua e rrallë si Dr. Ruki Kondaj mundet të realizojë, me vizionin dhe objektivat, me këmbëngulje dhe vullnet të hekurt, me debat dhe refleksion, por gjithmonë pa u ndalur ajo din t'ju dalë sipërmarrjeve të saj në krye. Dhe kush jeton në vende të mëdha e din se sa kosto ka kjo për një grua që është edhe amvisë njëkohësisht. Pa folur për lodhjen (një labe si ajo e sfidon tej lodhjen) por duke u përpjekur të bëjë rreth vetes miq e bashkëudhëtarë, mjeshtra dhe artistë Dr. Ruki Kondaj ka arritur të ndërtojë një marrdhënie të rrallë me Parlamentin e Ontarios, kjo duket në vullnetin e tyre pozitiv në këtë partnership me komunitetin shqiptar. 

Si ndodhi ky femomen; së pari Dr. Kondaj ndërtoi një grup serioz ku televizioni, intelektualët dhe mërgatat e vjetra kishin rol esencial. Së dyti autorësinë e projektit po e sipërmerrte në partnership me një shoqatë, SHBSHK nen drejtimin e Ramazan Kellezit, me reputacion dhe histori gjurmëlënëse. Dhe së treti akumulimi i vlerave më të mira të komunitetit që jeton aty; në art, në kulinari, në shkencë, etj e sjell në pikën më të lartë projektin me shqiptarë që në këtë rast ka kryefjalë trashëgimninë. Dhe në fakt kur shikon Ana Goljen tek këndon dhe prezanton rrjedhshëm në mend më vjen Vaçe Zela, kur shikon dhe shijon produktet Adi e Bruna Brari ,në mend më vjen një falenderim special për këto miksazhe arti muzeale të ngrënëshme që prodhohen vetëm nga ATA,kur dëgjon Rudin Lengon të luajë mjeshtërisht në pianon e thjeshtë më vjen ndër mend Ibrahim Madhi që të madh e bëri arti por edhe trashëgimnia  e talentit artistik tek nipi. 

E pra duket se endesh nëpër një mozaik që rritet e rritet sa herë që Ruki Kondaj e Laura Albaneze çelin dyert e Parlamentit të Ontarios. Miq me shqiptarët e Ontarios tashmë janë edhe deputetët Brad Durguid, Yvan Beker, Shefik Qadri i cili me humor përsërit se po kërkon rrënjët e tij të lidhjeve me Kadarenë bazuar nga ngjashmëria e mbiemrit. Ata janë mrekulluar nga forca e jashtzakonshme persistuese e pathyeshme e Dr. Ruki Kondaj për ta sjellë me ligj trashëgimninë kulturore shqiptare në botën e lirisë kanadeze. Dhe aktet po tregojnë se sa e thellë është gjuha jonë, kultura jonë, historia jonë kur rrojnë në liri. Kjo është pavarësi legjitime që i shkon përshtat çdo valëvitje flamuri e mërmëritje himni sepse thellë thellë ka kontribute e projekte që më së fundi kanë strehë "Shtëpinë e Shqiptarit" për të cilën janë dhuruar aq shumë të holla bujarisht në trashëgim të Bujarisë. 

Pasditja e 20 nëntorit 2017 i foli shqip Parlamentit të Ontarios me zërin edhe të shpirtit të sopranos Inva Mula. Interpretimet e saj janë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare, traditën e saj ku Avni Mula e Nina Mula hodhën rrënjë me krijime, vepra të paharruara. Zëri i Invës nuk është vetëm zëri i saj, është një kor zërash që vjen nga e shkuara e saj, ndalon në fëmijëri, shtegëton në liri duke i dhëne emër Shqipërisë së vogël, të izoluar, është një zë që këndon në të gjitha gjuhët e botës, jeton nëpër shtatë nota dhe i flet çdo shpirti duke i përlotur. Zërit të Invës iu bashkua Laura Albaneze...e si të mos? Kur këndonte "Moj e bukura More" aty ku nis drama e ikjes, ajo dramë e trefishtë që përjetohet këtej dhe andej por që më fort e vuan Atdheu i zbrazur...Zërit të Invës iu bashkuam edhe ne me "Lule Borë" këtë kompozim të Simon Gjonit që përmbyll festat, gëzimet, tryezat tona me larminë e ngjyrave e të lumturive që lulzojnë kur mblidhemi bashkë. Prezenca e Inva Mulës në Parlamentin e Ontarios ishte një tjetër akt historik ku një emër nga ku arti shqiptar lind dhe buron vazhdon ti dhurojë art e mirësi kauzave shqiptare kudo janë. Sa herë që shkruaj për ditët kuq e zi në Ontario mendoj Ambasadorin Ermal Muça, mikun e butë e të mençur se sa bukur por edhe e vështirë është të jesh në krah të një komuniteti kaq cilësor që nuk ndalon drejt cilësisë duke u bërë lider në mbrojtjen dhe trashëgimin e vlerave në  mbarëbotën shqiptare brenda dhe jasht Shqipërie.


Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...