Oct 2, 2023

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe pse ajo e kapërcen fuqinë e arsyetimit njerëzor e ka kaq të pamundur të depërtojë në atë madhështi ndjesish dhe emocionesh me të cilat Zoti e pajisi njerëzimin. Në botën që vrapon mund të takosh bukuritë e kultivuara, ato të kuruara apo transformuara nga fuqia e parasë por kurrsesi nuk mund të anashkalosh atë që e bën unik gjithsejcilin prej nesh; ndjesitë. Atje ku takon lotin, ndjenjën, emocionin e një përjetimi nuk ka robot informatik që prek apo preket prej inteligjencës emocionale.

Po po inteligjenca emocionale është ajo tërësi ndjenjash që përjeton kur dëgjon, pyet, përlotesh, qeshesh, irritohesh, zemërohesh, reflekton, reagon…

Në komunikimet e shumta me miq, nga ata që e kanë lënë Shqipërinë herët apo vonë kupton vullnetin e përbashkët për ta prekur shtëpinë e kujtimeve të tyre në momentin e ikjes, rrethuar nga ajo kohë kujtimesh plot hijedrite. Dhe kështu njeriu jeton brenda kohës së vet dhe koha bëhet e pavdekshme brenda nesh përmes efekteve që nxit kujtesa, përjetimi dhe reflektimi.

Detajet janë ajo pjesë e inteligjencës emocionale që shndërrohen në fakte e pastaj në historizëz, histori , etj. dhe që prekin më shumë se çdo gjë tjetër me emocion shpirtin njerëzor.

T’ja ushqesh shpirtit njerëzor tërësitë emocionale me të cilat rrethohet jeta e tij/saj është njësoj si të pohosh identitetin njerëzor atë çka sot riskohet më së shumti nga klishetë e formatuara artificialisht.

Na bën më të lirë pranimi i emocioneve, më krijues dhe të pavarur nga praktikat që të tjerët na i servirin si advancim teknologjie.

Si mundet dikush tjetër ta çmojë e dojë mjedisin personal emocional më shumë sesa vetvetja?!

Kjo mbetet edhe arsyeja unike pse rikthimet në atdhe të emigrantëve mbartin emocione kaq të ndryshme, unike, plot ngjyra përjetimesh.

Nga kërkimet e fëmijërisë së largët tek rinia e humbur, diku nëpër historitë e harruara të të parëve e deri tek mjediset e tjetërsuara, që nga zhurmat e kafeneve të zhurmshme tek lulishtet e uzurpuara, mbi maja kalash të historive legjendare që ndiqen nga të huaj të shumtë të cilët historinë tonë nuk do ta kuptonin kurrë pa pushtetin e kujtimeve tona të stërlashta që u venitën nga harresa jonë duket se rëndon pengu i kohës që nuk na mësoi si ta lexojmë me sy kritik aktin, faktin, historinë, gabimet qe perseriten.

Ndodh që në dimensione të tilla mentalitetesh dhe distancash të humbësh fillin që mban gjallë jetën , mund edhe të mos e gjesh kurrë atë fijëzim jete që ushqen me kujtesë dhe kujdes rrënjët që i dhanë jetë strukturës familjare apo shoqërore. sepse zhurma sipërfaqsore e dukjes shpesh here mbisundon ndjesitë.

I kisha parë fotot magjepsëse të kështjellës së Rozafës fale teknologjise dhe informacionit por kur prek muret e saj ndjen sakrificën, percepton besën dhe rrëzohesh prej pabesisë edhe të gurëve rrëshqitês. Nuk mund të mos reflektosh teksa ecën majë asaj hapësire mijëra vjeçare duke pyetur veten “pse nuk ishte ky objekt një tur studimor i shkollave tona?!”

Po si mund të jesh thjesht një spektator periferik i bukurive të Luginës së Valbonës pa thithur ajrin kurues që i jep asaj lugine dimensionin shpirtëror, atë që as fotografohet e as pikturohet, por ndjehet dhe thithet ne cdo frymemarrje.

Në faqet e historisë mësuam të riprodhonim data, akte, historia vetë na mësoi t’ju vinim yje apo vizën emrave preferencialë nga ku shumë të tjerë do të zhdukeshin, harroheshin, mohoheshin.

Nënvleftësimi i logjikës individuale dhe nënshtimi ndaj asaj masive na bëri jo pak herë robër të dizinformimit. Ndaj historitë e pashkruara rrëfejnë më shumë se ato të shkruara , kur ato janë të rrethuara me kujtesë dhe kujdes.

Këtë provoj sa herë që dëgjoj zëra që koha ua preu në mes mendimin, arsyetimin.

Si një diapazon që përcjell jehonën e një kohe tjetër përpiqem t’ia ndjek përmes shqisash njeriut atë valë mendimi që vjen rivjen pas dallgëve e tallazeve që edhe kanë puhiza fjalësh ndërmjet.


Marjana Bulku
Tetor 2023

Sep 14, 2023

Monologu i saj (30 gonxhet e vyshkura)

...Varrin tënd askush nuk e din. Askush nuk jetoi në 30 vitet e tua larg prej errësirës tonë, pa ëndrra, pa dritë, pa shpresē, në izolim, larg prej ëndrrave të tua plot kthim, pa kthim.
30 vitet tona qenë kaq larg prej dëshirave të tua të pamundura, të panjohura me hone distancash ndërmjet.

Sot vendosa ti mbjell këto 30 gonxhe të vyshkura që nuk çelën dot kurrë as në jetën tënde, as në jetën time. Mbase lulëzojnë dikur prej lotëve të mallit e djersëve të mundimit.
Janë gonxhet e fjalëve që nuk u shkëmbyen kurrë, janë urime të munguara ditlindjesh, festash, gëzimesh.
Janë ngushëllime për humbjet që janë përkrah hapave të jetës edhe pse s’do donim ti kishim.
I kam mbajtur fshehur edhe lotët, edhe fjalët ,edhe mallin.
U vyshkën të gjitha në vetminë e viteve, në ëndërrim të një takimi që nuk ndodhi kurrë, madje as në ëndërr.

Unë isha nëna por edhe baba për fëmijët tanë por ka njē gjë që nuk di nëse e kam bërë siç duhet për të dy; t’ju kem dhuruar mjaftueshëm dashuri vallë?!
Ahhh dashuri! Po si?! Po ku?

Në vendin ku askush nuk ta dhuron atë?!
Në vendin ku shumkush e dhunon atë.
Aty ku koha nuk mjafton kurrë sepse ditët janë aq të mundimshme, të vrullshme dhe nata vjen aq shpejt dhe gjumi të rrëmben kur dita është e stërmundimshme si çdo ditë tjetër, identike me të.
Gjumi na i kurseu edhe ëndrrat sepse dita ishte aq e varfër si njē menu boshe që për mëngjes ka pak bukë, për drekë ka pak kripë dhe për darkë ka pak zemër.

Ehh jeta në kohët kur bukuria trupore ti çel dyert e fatit qe një portë që nuk u çel kurrë.
Mbase për mendimtarët e ngarkuar me mundime ajo lloj porte fati nuk ka ekzistuar kurrë .

Por unë nuk kam trokitur kurrë aty sepse e dija se bukuritë fizike janë aq të përkohëshme e të pakoha ndaj vetes i kërkova vetëm një gjë; vepra të dobishme, utilitare, si fryma që i jepte frymë jetëve të pafaj që lypin jetë.
Dhe nisa të kuptoj se bukuritë e shpirtit dhe te veprave tona nuk shterojne kurrë porsi burimet e gurrave shumshekullore që janë edhe burim jete, sekret i heshtur i vazhdimësisë së saj.

Sytë po më lënë por jo këmbët,

Mendja po më lë por jo kujtesa,

Këmbët do të më lënë e megjithatë imagjinata do të më shpieri gjithmonë tek ti, edhe pse as varrin nuk ta dij por këto gonxhe të vyshkura janë mirazhi i një imazhi qe nuk u shfaq kurrē e do të rendin udhës qiellore për tek ti.

Këto gonxhe të vyshkura janë 30 përqafime të munguara e që u thanë viteve të pritjes të një kthimi që nuk ndodhi kurrë.

Sytë po më lënë, apo gonxhet e vyshkura po lulzojnë?!

Jo jo nuk është vegim, është veçse një përfytyrim i filmit të jetës që teksa mbaron më zgjon t’ja përsëris fjalët, ato të përjetimit.

Ato po lulzojnë po, po prej diellit të kujtimeve të mia, tonat, tuajat.

Sep 5, 2022

Opozitarizmi, ky filiz lirie

Opozitarizmi si kulturë e munguar 

   Opozitarizmi është kulturë e munguar në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, e ndofta prandaj është kaq e vështirë ekzistenca dhe mbijetesa e tij edhe pse është një nevojë kaq jetike e munguar dhe e domosdoshme. Në vënde si Shqipëria ku mungojnë rregullat dhe standartet e ku lehtësisht liria ka si derivat ose kaosin, ose frikën, fenomeni i mungesës së opozitarizmit bëhet shqetësues pasi e shpie vendin dhe të drejtat në lakun e krizave të thella shoqërore, morale madje edhe ekzistenciale. Kur hedh sytë nëpër histori të afërta dhe të largëta sheh se sa i vetmuar, mohuar dhe dhunuar është "zëri që kundërshton", ai që nuk dakortësohet me të gjithë dhe me gjithçka por mbetet si një tentativë e vazhdueshme për dëgjim dhe respektim të principeve apo parimeve individualiste prej të cilave lind evoluimi. 

   Pikërisht këtu zë fill e nis logjika që i jep frymë opozitarizmit. Si një instrument që nuk i nënshtrohet grupit i cili jo gjithmonë ka të drejtë opozitarizmi bëhet embrion i një të drejte që hesht, i një të drejte që nuk duhet të dhunohet, i një të drejte që duhet të mbrohet. E keqja jo rrallë herë përqafohet nga turma, madje e kundërta është e vërtetë ajo vetëm sa e nënshtron atë pêr shkak të dy elementëve fatkeqë që mbisundojnë sjelljet njerëzore; servilizmi dhe të qenit sipërfaqsor. Edhe kur turma thërret dhe duartroket për dikë (mungesë thellimi dhe të menduari), kjo jo gjithmonë është për tju gëzuar. Si ta ndihmosh opozitarizmin?! Kjo nënkupton të jesh objektiv në perceptimin e realitetit, të njohësh problemet jetike që prekin dhe përndjekin jetët, të dallosh të keqen, të ndihmosh fatkeqin, të jesh i vërtetë dhe realist, të dëgjosh "zërin që s’flet dot", të jesh me të drejtat e të drejtëve në një botë ku jo çdo e drejtë e fituar/dhuruar është realisht e drejtë. Mund edhe të duket teorike renditja; 1, 2, 3 por opozitarizmi është edhe logjikë. Opozitarizmi dhe e vërteta jane gjithmonë bashkë dhe e vërtetë do të thotë fakt, ngjarje, përjetim, rrëfim, përllogaritje e të gjithave dhe dëshmi me çdo mjet e tyre.

   Opozitarizmi dhe mos heshtja ecin paralel, nuk ka armik më të madh të opozitarizmit se heshtja . A nuk heshtën të drejtat e shqiptarëve për infinit vjet ?! Dhe rezultati ishte nënshtrimi i tyre ndaj dhunës fizike dhe ekonomike për pa limit vjet . Opozitarizmi ka partner ndershmërinë dhe principet ;ato në familje , miqësi , shoqëri, organizatë ,etj. Duket teori por janë të drejtët ata që dhunohen më shumë në shoqëritë kur rolin e mbrojtësit të të drejtave e bëjnë jo pak herë pikërisht dhunuesit e tyre. Opozitarizmi dhe besueshmëria janë dy koncepte që kanë si bazë objektivizmin. Pra për sa kohë ekziston e vërteta: si fakt, si dokument, si dëshmi, si akt, si zë që ngre krye dhe ZË, opozitarizmi merr shtigjet e lirisë që vazhdimisht cungohet nga errësira përballë; ajo e iluminimit të rremë, dhunës, mohimit dhe denigrimit. Ndaj duhen dëgjuar viktimat e dhunës, ata që nuk flasin, flaken, denigrohen, ata sistemi i gjatë i pa lirisë i la të pa zë, të pa shkollë, të pa shpresë, të pa krahë. Dhe vonë nuk është kurrë të fillohet nga ata sepse e drejta flen mbi plagë të vjetra dhe të reja. Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer aty ku zinxhirët e fajeve kanë zënë ndryshk prej lotëve të neglizhencës edhe të harrimit. 

Opozitarizmi është filiz lirie! 
Marjana Bulku

Jul 16, 2022

   Mat, analizo kalkulo dhe gjyko çdo të drejtë jete. Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar. Duket se koha ka ecur mbrapsht kur shoh se si ende duartrokitet me ekzaltim, servilizëm dhe nënshtrim udhëheqja e kujtdo krahu qoftë ajo. Është fatkeqësi kur sheh se si udhëheqja ulet sërish këmbëkryq mbi hallet e pupullit duke numëruar suksese imagjinare. E çuditëshme pra që populli ende duartroket në vend që të dëgjojë, serviloset në vend që të kërkojë llogari, hesht në vend që të revoltohet dhe ngrejë zërin. Është e dhimbshme teksa sheh se si demokracia vdes sa herë që ekranet pushtohen nga udhëheqja që çdo shërbim e reklamon si “fitorje” kur në fakt e ka për detyrë shërbimin për sa kohë që është në atë detyrë.
Vdes demokracia sa herë që populli manipulohet, hesht, dorëzohet. Pamje jo pak e njohur kjo për ne që u lindëm dhe u rritëm nën atë lloj kulture nënshtrimi ndaj fuqisë. Dhe kur fuqia u dorëzua, guxuam të urrenim pa cak të këqijat por edhe të mirat që prodhoi sistemi i kultivuar keq. Lindte demokracia sa herë që logjika njerëzore zgjohej nga tulatja e gjatë. Dhe zgjimi popullor nënkupton vetdije qytetarie, të drejta, liri dhe përgjegjësi por edhe detyrime, kreativitet, rregulla. Kështu demokracia do të rritej duke i dhënë popullit frymëmarrje e peshë përballë pushteteve që edhe më të përgjegjshëm i bën qytetaria aktive...

    Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar që kur pretenduam se e prekëm Demokracinë. A e prekëm vallë?! Pyes veten teksa shoh se asgjë nuk paskërka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar asgjë as në sjelljet qeveritare që riciklojnë të njejtat mëkate, as në reagimin popullor që di vetëm të nënshrohet apo të reagojë kur partia ia do, as në kulturën individuale të nënshtrimit ndaj të keqes. Tabloja shqiptare e vitit 2022 me puçe e grushte pushtetesh që synojnë jetgjatësi a ndoshta edhe përjetësi dhe popull i nënshtruar që në dukje është i çorientuar por në thelb është i njëjtë; fajtor i pa faj. Është fajtor sepse hesht, duartroket dhe serviloset dhe paradoksalisht është pa faj sepse menuja e detyruar që ka përpara është vështirë të ndryshohet. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh se si zhverësohet puna e ndershme. Vlerën e saj ( dikur e zinte ajo kolektive) sot e ka dhunuar mania kolektive për tu pasuruar padrejtësisht dhe me çdo mënyrë madje pa punuar. Asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh një popull që është në ikje permanente nga trojet e veta , në një proces braktisje si me dhunë( të padukshme) nga vendin i vet. Asgjë nuk ka ndryshuar kur ndjek se si ikjet ndjekin njëra-tjetrën zinxhir (gjyshi im u arratis në vitin 1959 duke thënë “nuk rri dot në një shtëpi me stola dhe oxhak”, ndërsa unë/ne ikēm në 6 korrik 2011 kur mbeta pa punë në vendin dhe kohën ku kishim investuar aq shumë). 

   Të vjen keq për fjalën që nuk u tha, mbeti peng ndërkohë që ajo kullonte drejtësi edhe pse ajo gjithmonë e drejta pritet në mes, të vjen keq që folëm aq pak për lirinë, për idhujtarët e saj, të vjen keq që i lamë në vetmi dhe pa rrugë produktet tona të nderit dhe dinjitetit që sillte puna me nder, por të paktën ato ekzistojnë përsa kohë ka kujtesē. Êshtë fjala dhe vetëm fjala ajo që e mban gjallë mendimin, qëndrimin dhe të drejtën. Jo prapë burg asaj! (Fjalës). Asgjë nuk ndryshon nëse nuk kuptohet se Demokracia është një guidë të drejtash jete, një lloj vetqeverisje që porsi trupi njerëzor ,prej të cilëve ajo funksionon; mat, kalkulon, krahason, analizon dhe gjykon gjithçka që evidentohet në procesin e gjatë dhe të pandalshëm që quhet jetë. 

Marjana Bulku 
4 korrik 2022

Jul 14, 2022

Asgje nuk ka ndryshuar

Mat, analizo kalkulo dhe gjyko çdo të drejtë jete. Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar. Duket se koha ka ecur mbrapsht kur shoh se si ende duartrokitet me ekzaltim ,servilizëm dhe nënshtrim udhëheqja e kujtdo krahu qoftë ajo. Është fatkeqësi kur sheh se si udhëheqja ulet sërish këmbëkryq mbi hallet e pupullit duke numëruar suksese imagjinare . E çuditëshme pra që populli ende duartroket në vend që të dëgjojë, serviloset në vend që të kërkojë llogari, hesht në vend që të revoltohet dhe ngrejë zërin. Është e dhimbshme teksa sheh se si demokracia vdes sa herë që ekranet pushtohen nga udhëheqja që çdo shërbim e reklamon si “fitorje” kur në fakt e ka për detyrë shërbimin për sa kohë që është në atë detyrë. Vdes demokracia sa herë që populli manipulohet, hesht , dorëzohet . Pamje jo pak e njohur kjo për ne që u lindëm dhe u rritëm nën atë lloj kulture nënshtrimi ndaj fuqisë. Dhe kur fuqia u dorëzua , guxuam të urrenim pa cak të këqijat por edhe të mirat që prodhoi sistemi i kultivuar keq. Lindte demokracia sa herë që logjika njerëzore zgjohej nga tulatja e gjatë. Dhe zgjimi popullor nënkupton vetdije qytetarie, të drejta, liri dhe përgjegjësi por edhe detyrime, kreativitet, rregulla.
Kështu demokracia do të rritej duke i dhënë popullit frymëmarrje e peshë përballë pushteteve që edhe më të përgjegjshëm i bën qytetaria aktive… Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar që kur pretenduam se e prekëm Demokracinnë . A e prekëm vallë ?! Pyes veten teksa shoh se asgjë nuk paskërka ndryshuar . Nuk ka ndryshuar asgjë as në sjelljet qeveritare që riciklojnë të njejtat mëkate , as në reagimin popullor që di vetëm të nënshrohet apo të reagojë kur partia ia do, as në kulturën individuale të nënshtrimit ndaj të keqes . Tabloja shqiptare e vitit 2022 me puçe e grushte pushtetesh që synojnë jetgjatësi a ndoshta edhe përjetësi dhe popull i nënshtruar që në dukje është i çorientuar por në thelb është i njëjtë ; fajtor i pa faj. Është fajtor sepse hesht , duartroket dhe serviloset dhe paradoksalisht është pa faj sepse menuja e detyruar që ka përpara është vështirë të ndryshohet . Duket se asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh se si zhverësohet puna e ndershme . Vlerën e saj ( dikur e zinte ajo kolektive ) sot e ka dhunuar mania kolektive për tu pasuruar padrejtësisht dhe me çdo mënyrë madje pa punuar. Asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh një popull që është në ikje permanente nga trojet e veta , në një proces braktisje si me dhunë( të padukshme) nga vendin i vet. Asgjë nuk ka ndryshuar kur ndjek se si ikjet ndjekin njëra -tjetrën zinxhir ( gjyshi im u arratis në vitin 1959 duke thënë “ nuk rri dot në një shtëpi me stola dhe oxhak”, ndërsa unë /ne ikēm në 6 korrik 2011 kur mbeta pa punë në vendin dhe kohën ku kishim investuar aq shumë ). Të vjen keq për fjalën që nuk u tha , mbeti peng ndërkohë që ajo kullonte drejtësi edhe pse ajo gjithmonë e drejta pritet në mes, të vjen keq që folëm aq pak për lirinë, për idhujtarët e saj , të vjen keq që i lamë në vetmi dhe pa rrugë produktet tona të nderit dhe dinjitetit që sillte puna me nder , por të paktën ato ekzistojnë përsa kohë ka kujtesē. Êshtë fjala dhe vetëm fjala ajo që e mban gjallë mendimin, qëndrimin dhe të drejtën . Jo prapë burg asaj! (Fjalës). Asgjë nuk ndryshon nëse nuk kuptohet se Demokracia është një guidë të drejtash jete, një lloj vetqeverisje që porsi trupi njerëzor ,prej të cilëve ajo funksionon;mat , kalkulon, krahason , analizon dhe gjykon gjithçka që evidentohet në procesin e gjatë dhe të pandalshëm që quhet jetë.

Dec 4, 2021

LE TE FLASIM ME SHUME PER LIRINE...

Ne gabuam.. (Le të flasim më shumë për lirinë) 

Ne gabuam sepse edhe në demokraci folëm shumë për komunizmin dhe diktaturën. 
Ne gabuam sepse në demokraci nuk promovuam vlerat e shkuara, të harruara, të pashkruara të së kaluarës që historia e shkruar nën diktaturë i veniti. 
Ne gabuam sepse e përmendëm kaq shumë Enverin deri në paharrim. 
Ne gabuam sepse nuk i dëgjuam dhimbjet e së kaluarës. 
Ne gabuam sepse nuk i ndjemë thirrjet e viktimave. 
Ne gabuam sepse duartrokitëm verbërisht. 
Ne gabuam sepse besuam se vetëm ”fitimtarêt” kanë gjithmonë të drejtë. 
Ne gabuam sepse nuk mësuam nga historitë e dinjitozëve që nuk ia shitën shpirtin diktatit dhe ligësive të kohës. 
Ne gabuam sepse nuk ia lexuam mendimin kolosëve tanë të mohuar të pendës. 
Ne gabuam sepse iu përulëm monumenteve, busteve, mermereve dhe jo vlerave. 
Ne gabuam sepse iu dhamë liri kjoskave, kafeneve, restoraranteve, hoteleve dhe jo muzeumeve, librarive. 
Ne gabuam kur kujtuam se liri fjale do të thotë sharja dhe përgojimi i tjetrit. 
Ne gabuam sepse nuk njohëm plagët e vërteta tonat. 
Ne gabuam se nuk i mjekuam ato. 
Ne gabuam sepse nuk i izoluam shkaktarët e plagëve tona. 
Ne nuk gabuam pse ishim të varfër e të paditur. 
Ne gabuam se donim të pasuroheshim menjëherë, njësoj, si dikur të varfêr në komunizëm. 
Ne gabuam se iu nënshtruam të keqes. 
Ne gabuam sepse nuk dijmë ta kundërshtojmë të keqen. 
Ne gabuam se nuk dijmë ta dallojmë të mirën, edhe pse pak të mira na kanë ndodhur si komb. 
Ne do ta sfidonim të keqen po t’ja ndjekim fijet e jetës të mirës. 
Ne gabuam sepse nuk debatuam por kryqëzuam tjetrin e ndryshëm. 
Ne gabuam sepse ia kujtuam gjithkujt madje edhe atij që nuk e njihte të keqen që mbërtheu nga fyti jetët tona atëherë, përherë. 
Ne gabuam sepse nuk përkrahëm liritë. 
Ne gabuam pse nuk i studjuam thellë liritë. 
Ne gabuam se folëm aq pak për liritë. 
Ne gabuam… 
….sa pak folëm për lirinë! 

Marjana Bulku

JO FRYMES PERJASHTUESE NE OPOZITARIZEM

Gjithmonë më ka shqetësuar fryma përjashtuese në subjektet tona politike. Jo pak herë kam reflektuar, madje edhe reaguar edhe pse në të shumtën e rasteve zëri im ka mbetur si thirrje në shkretëtirë ndoshta edhe si monolog në kushtet një dialogu të munguar. Sistemi shoqëror dhe ai politik në Shqipëri e ka në gen frymën përjashtuese, denigruese, përçmuese pasi ne jemi një shoqëri që luftën klasore e amplifikuam vetë duke duartrokitur gabimet që bënte politika. Kur them Ne për hir të së vërtetës e përjashtoj veten pasi;- së pari për fat të mirë unë dhe asnjë pjesëtar i familjes time nuk ishim anëtar të partisë mëmë ( asaj të Punës) që i ndante në klasa popullsinë , në të prekur, të internuar , të përkëdhelur , të deklasuar, familje revizioniste, borgjeze, etj etj.dhe -së dyti kur u bëra anëtare e Partisë Demokratike në janar 1991 e më pas unë kurrë dhe në asnjë moment nuk i kam fryrë zjarrit të urrejtjes dhe përçarjes, denigrimit të tjetrit dhe përjashtimit madje e kundërta ka ndodhur sepse në Demokraci çdo kontribut ka vlerë. Po çfarë po ndodh sot në partinë më të madhe opozitare ?! Është i pakuptueshëm dhe apsurd përjashtimi i individëve apo individualiteteve e për më tepër kur je në opozitë . Pa dashur të rendis emra dua të kujtoj se zvetënimi i opozitës i ardhur së brëndëshmi më së shumti êshtë një fenomen brejtës dhe vetshkatërrues me të cilin nuk mund të trumpetosh thirrje për fitore. Ka qenë e dhimbshme për mua kur Opozitës i largohej Karamitro, Zhulali, Topi, Patozi, Bojaxhiu, Olldashi, Topalli, Berisha ,etj etj. Akoma më e dhimbshme ishte kur askush nuk ngrinte zërin për këto ZËRA që shuheshin kur aq shumë duheshin për arsye të maturimit të tyre politik por edhe konsolidimit të historikut të Partisë Demokratike. Madje e kundërta ndodhte , më kujtonte fëmijërinë kur në përgjigje të prishjes së marrdhënieve me kinezët apo grupet armike ndaj regjimit të Hoxhës duhet të shkarravisnim nga librat emrat , madje edhe figurat e tyre vizuale. Sot Partisë Demokratike nuk i mungojnë aktorët ,por fatkeqsisht ata janë vënë përballë njëri- tjetrit në një duel që nuk i shërben as historisë së saj , as individëve që e deshën dhe as atyre që nuk e duan , as vendit tonë fatkeq i destinuar të mos ketë opozitarizëm por vetëm duartrokitarizëm. Një opozitë dinjitoze do të duhej të shohë përtej vetvetes, të mbjellë shpresa tek ata që nuk kanë dhe që pompoziteti qeveritar i cili prodhon deri aeroporte imagjinare , luks me rrena, ndërkohë kur në çdo cep Shqipëria rënkon nga pafundësi krizash sociale dhe ekonomike , opozita merr një mision tjetër , shërues, inspirues, shpëtues. Një opozite dinjitoze nuk i ka hije të mbjellë kaq shumë stres , presion dhe konfuzitet brenda antarësisë së saj për çeshtje të saj të brendëshme . Një opozitë dinjitoze nuk përjashton por i fton anëtarêt e saj madje edhe qytatarët jo partiakë në një koalicion që është kundra padrejtësive . Përjashtimin e kam provuar edhe unë , por çfarë kuptova është pikërisht ajo që dua ta ndaj me ju ; minidueli i brëndshëm ka efektin diapazional përtej subjektit ku ndodh ai e që zbërthehet në zhgënjim ndaj subjektit i cili në vend që të zgjerojë radhët e të shtojë ndjekësit , godet pa shkak shërbëtorët e vet për arsye egocentrizmi (them unë )duke tkurrur fuqinë e vet dhe duke vetshkatërruar subjektin për të cilin të gjithë jemi përgjegjës . Ndaj theksoj se që një opozitë të jetë dinjitoze do duhej të ndalojë çdo fjalor denigrues dhe poshtrues dhe regjistri gjuhësor politik të pasurohet me ftesa e thirrje përbashkimi pasi opozitarizmi nuk e ka luksin ti thotë askujt: IK ! edhe pse dikujt :Gabove! , dhe shumkujt kthehu! Opozita nuk i takon individit por tërësisë së saj numerike dhe historike që me siguri ka prodhuar Risi në këto vite e qē është koha të marrin në dorë fatet e momentit politik në PD . Marjana Bulku

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...