Sep 14, 2023

Monologu i saj (30 gonxhet e vyshkura)

...Varrin tënd askush nuk e din. Askush nuk jetoi në 30 vitet e tua larg prej errësirës tonë, pa ëndrra, pa dritë, pa shpresē, në izolim, larg prej ëndrrave të tua plot kthim, pa kthim.
30 vitet tona qenë kaq larg prej dëshirave të tua të pamundura, të panjohura me hone distancash ndërmjet.

Sot vendosa ti mbjell këto 30 gonxhe të vyshkura që nuk çelën dot kurrë as në jetën tënde, as në jetën time. Mbase lulëzojnë dikur prej lotëve të mallit e djersëve të mundimit.
Janë gonxhet e fjalëve që nuk u shkëmbyen kurrë, janë urime të munguara ditlindjesh, festash, gëzimesh.
Janë ngushëllime për humbjet që janë përkrah hapave të jetës edhe pse s’do donim ti kishim.
I kam mbajtur fshehur edhe lotët, edhe fjalët ,edhe mallin.
U vyshkën të gjitha në vetminë e viteve, në ëndërrim të një takimi që nuk ndodhi kurrë, madje as në ëndërr.

Unë isha nëna por edhe baba për fëmijët tanë por ka njē gjë që nuk di nëse e kam bërë siç duhet për të dy; t’ju kem dhuruar mjaftueshëm dashuri vallë?!
Ahhh dashuri! Po si?! Po ku?

Në vendin ku askush nuk ta dhuron atë?!
Në vendin ku shumkush e dhunon atë.
Aty ku koha nuk mjafton kurrë sepse ditët janë aq të mundimshme, të vrullshme dhe nata vjen aq shpejt dhe gjumi të rrëmben kur dita është e stërmundimshme si çdo ditë tjetër, identike me të.
Gjumi na i kurseu edhe ëndrrat sepse dita ishte aq e varfër si njē menu boshe që për mëngjes ka pak bukë, për drekë ka pak kripë dhe për darkë ka pak zemër.

Ehh jeta në kohët kur bukuria trupore ti çel dyert e fatit qe një portë që nuk u çel kurrë.
Mbase për mendimtarët e ngarkuar me mundime ajo lloj porte fati nuk ka ekzistuar kurrë .

Por unë nuk kam trokitur kurrë aty sepse e dija se bukuritë fizike janë aq të përkohëshme e të pakoha ndaj vetes i kërkova vetëm një gjë; vepra të dobishme, utilitare, si fryma që i jepte frymë jetëve të pafaj që lypin jetë.
Dhe nisa të kuptoj se bukuritë e shpirtit dhe te veprave tona nuk shterojne kurrë porsi burimet e gurrave shumshekullore që janë edhe burim jete, sekret i heshtur i vazhdimësisë së saj.

Sytë po më lënë por jo këmbët,

Mendja po më lë por jo kujtesa,

Këmbët do të më lënë e megjithatë imagjinata do të më shpieri gjithmonë tek ti, edhe pse as varrin nuk ta dij por këto gonxhe të vyshkura janë mirazhi i një imazhi qe nuk u shfaq kurrē e do të rendin udhës qiellore për tek ti.

Këto gonxhe të vyshkura janë 30 përqafime të munguara e që u thanë viteve të pritjes të një kthimi që nuk ndodhi kurrë.

Sytë po më lënë, apo gonxhet e vyshkura po lulzojnë?!

Jo jo nuk është vegim, është veçse një përfytyrim i filmit të jetës që teksa mbaron më zgjon t’ja përsëris fjalët, ato të përjetimit.

Ato po lulzojnë po, po prej diellit të kujtimeve të mia, tonat, tuajat.

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...