Oct 2, 2023

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe pse ajo e kapërcen fuqinë e arsyetimit njerëzor e ka kaq të pamundur të depërtojë në atë madhështi ndjesish dhe emocionesh me të cilat Zoti e pajisi njerëzimin. Në botën që vrapon mund të takosh bukuritë e kultivuara, ato të kuruara apo transformuara nga fuqia e parasë por kurrsesi nuk mund të anashkalosh atë që e bën unik gjithsejcilin prej nesh; ndjesitë. Atje ku takon lotin, ndjenjën, emocionin e një përjetimi nuk ka robot informatik që prek apo preket prej inteligjencës emocionale.

Po po inteligjenca emocionale është ajo tërësi ndjenjash që përjeton kur dëgjon, pyet, përlotesh, qeshesh, irritohesh, zemërohesh, reflekton, reagon…

Në komunikimet e shumta me miq, nga ata që e kanë lënë Shqipërinë herët apo vonë kupton vullnetin e përbashkët për ta prekur shtëpinë e kujtimeve të tyre në momentin e ikjes, rrethuar nga ajo kohë kujtimesh plot hijedrite. Dhe kështu njeriu jeton brenda kohës së vet dhe koha bëhet e pavdekshme brenda nesh përmes efekteve që nxit kujtesa, përjetimi dhe reflektimi.

Detajet janë ajo pjesë e inteligjencës emocionale që shndërrohen në fakte e pastaj në historizëz, histori , etj. dhe që prekin më shumë se çdo gjë tjetër me emocion shpirtin njerëzor.

T’ja ushqesh shpirtit njerëzor tërësitë emocionale me të cilat rrethohet jeta e tij/saj është njësoj si të pohosh identitetin njerëzor atë çka sot riskohet më së shumti nga klishetë e formatuara artificialisht.

Na bën më të lirë pranimi i emocioneve, më krijues dhe të pavarur nga praktikat që të tjerët na i servirin si advancim teknologjie.

Si mundet dikush tjetër ta çmojë e dojë mjedisin personal emocional më shumë sesa vetvetja?!

Kjo mbetet edhe arsyeja unike pse rikthimet në atdhe të emigrantëve mbartin emocione kaq të ndryshme, unike, plot ngjyra përjetimesh.

Nga kërkimet e fëmijërisë së largët tek rinia e humbur, diku nëpër historitë e harruara të të parëve e deri tek mjediset e tjetërsuara, që nga zhurmat e kafeneve të zhurmshme tek lulishtet e uzurpuara, mbi maja kalash të historive legjendare që ndiqen nga të huaj të shumtë të cilët historinë tonë nuk do ta kuptonin kurrë pa pushtetin e kujtimeve tona të stërlashta që u venitën nga harresa jonë duket se rëndon pengu i kohës që nuk na mësoi si ta lexojmë me sy kritik aktin, faktin, historinë, gabimet qe perseriten.

Ndodh që në dimensione të tilla mentalitetesh dhe distancash të humbësh fillin që mban gjallë jetën , mund edhe të mos e gjesh kurrë atë fijëzim jete që ushqen me kujtesë dhe kujdes rrënjët që i dhanë jetë strukturës familjare apo shoqërore. sepse zhurma sipërfaqsore e dukjes shpesh here mbisundon ndjesitë.

I kisha parë fotot magjepsëse të kështjellës së Rozafës fale teknologjise dhe informacionit por kur prek muret e saj ndjen sakrificën, percepton besën dhe rrëzohesh prej pabesisë edhe të gurëve rrëshqitês. Nuk mund të mos reflektosh teksa ecën majë asaj hapësire mijëra vjeçare duke pyetur veten “pse nuk ishte ky objekt një tur studimor i shkollave tona?!”

Po si mund të jesh thjesht një spektator periferik i bukurive të Luginës së Valbonës pa thithur ajrin kurues që i jep asaj lugine dimensionin shpirtëror, atë që as fotografohet e as pikturohet, por ndjehet dhe thithet ne cdo frymemarrje.

Në faqet e historisë mësuam të riprodhonim data, akte, historia vetë na mësoi t’ju vinim yje apo vizën emrave preferencialë nga ku shumë të tjerë do të zhdukeshin, harroheshin, mohoheshin.

Nënvleftësimi i logjikës individuale dhe nënshtimi ndaj asaj masive na bëri jo pak herë robër të dizinformimit. Ndaj historitë e pashkruara rrëfejnë më shumë se ato të shkruara , kur ato janë të rrethuara me kujtesë dhe kujdes.

Këtë provoj sa herë që dëgjoj zëra që koha ua preu në mes mendimin, arsyetimin.

Si një diapazon që përcjell jehonën e një kohe tjetër përpiqem t’ia ndjek përmes shqisash njeriut atë valë mendimi që vjen rivjen pas dallgëve e tallazeve që edhe kanë puhiza fjalësh ndërmjet.


Marjana Bulku
Tetor 2023

Sep 14, 2023

Monologu i saj (30 gonxhet e vyshkura)

...Varrin tënd askush nuk e din. Askush nuk jetoi në 30 vitet e tua larg prej errësirës tonë, pa ëndrra, pa dritë, pa shpresē, në izolim, larg prej ëndrrave të tua plot kthim, pa kthim.
30 vitet tona qenë kaq larg prej dëshirave të tua të pamundura, të panjohura me hone distancash ndërmjet.

Sot vendosa ti mbjell këto 30 gonxhe të vyshkura që nuk çelën dot kurrë as në jetën tënde, as në jetën time. Mbase lulëzojnë dikur prej lotëve të mallit e djersëve të mundimit.
Janë gonxhet e fjalëve që nuk u shkëmbyen kurrë, janë urime të munguara ditlindjesh, festash, gëzimesh.
Janë ngushëllime për humbjet që janë përkrah hapave të jetës edhe pse s’do donim ti kishim.
I kam mbajtur fshehur edhe lotët, edhe fjalët ,edhe mallin.
U vyshkën të gjitha në vetminë e viteve, në ëndërrim të një takimi që nuk ndodhi kurrë, madje as në ëndërr.

Unë isha nëna por edhe baba për fëmijët tanë por ka njē gjë që nuk di nëse e kam bërë siç duhet për të dy; t’ju kem dhuruar mjaftueshëm dashuri vallë?!
Ahhh dashuri! Po si?! Po ku?

Në vendin ku askush nuk ta dhuron atë?!
Në vendin ku shumkush e dhunon atë.
Aty ku koha nuk mjafton kurrë sepse ditët janë aq të mundimshme, të vrullshme dhe nata vjen aq shpejt dhe gjumi të rrëmben kur dita është e stërmundimshme si çdo ditë tjetër, identike me të.
Gjumi na i kurseu edhe ëndrrat sepse dita ishte aq e varfër si njē menu boshe që për mëngjes ka pak bukë, për drekë ka pak kripë dhe për darkë ka pak zemër.

Ehh jeta në kohët kur bukuria trupore ti çel dyert e fatit qe një portë që nuk u çel kurrë.
Mbase për mendimtarët e ngarkuar me mundime ajo lloj porte fati nuk ka ekzistuar kurrë .

Por unë nuk kam trokitur kurrë aty sepse e dija se bukuritë fizike janë aq të përkohëshme e të pakoha ndaj vetes i kërkova vetëm një gjë; vepra të dobishme, utilitare, si fryma që i jepte frymë jetëve të pafaj që lypin jetë.
Dhe nisa të kuptoj se bukuritë e shpirtit dhe te veprave tona nuk shterojne kurrë porsi burimet e gurrave shumshekullore që janë edhe burim jete, sekret i heshtur i vazhdimësisë së saj.

Sytë po më lënë por jo këmbët,

Mendja po më lë por jo kujtesa,

Këmbët do të më lënë e megjithatë imagjinata do të më shpieri gjithmonë tek ti, edhe pse as varrin nuk ta dij por këto gonxhe të vyshkura janë mirazhi i një imazhi qe nuk u shfaq kurrē e do të rendin udhës qiellore për tek ti.

Këto gonxhe të vyshkura janë 30 përqafime të munguara e që u thanë viteve të pritjes të një kthimi që nuk ndodhi kurrë.

Sytë po më lënë, apo gonxhet e vyshkura po lulzojnë?!

Jo jo nuk është vegim, është veçse një përfytyrim i filmit të jetës që teksa mbaron më zgjon t’ja përsëris fjalët, ato të përjetimit.

Ato po lulzojnë po, po prej diellit të kujtimeve të mia, tonat, tuajat.

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...