Sep 26, 2021

Kendveshtrimi i nje idealisteje

Mund të duket idealiste dëshira pêr të parë një Parti Demokratike të bashkuar , por është pikërisht kjo çka i duhet jo vetëm asaj por dhe Shqipërisë sot më shumë se kurrë edhe pse debati, ndasitë dhe përçarjet kanë marrë pêrmasa të hatashme ndaj fuqia ime e vetme êshtë urimi që të mos dalin jasht kontrollit. Mund të duket idealiste ëndrra ime për një PD me identitet , me të drejta , parime, vullnete pozitive dhe histori dinjiteti pasi pikërisht kjo ishte ëndrra e shumëkujt që u afrua aty që në momentet e para të lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri . Edhe pse gabimet në PD janë individuale e pasojat deri diku kolektive, pak kush e kuptoi se sa peshë ka individii në subjekte që lindën pikërisht si nëvojë lirie dhe të drejtash të munguara ndaj respektimi i mendimit të ndryshëm është alternativë më shumë dhe jo armiqësi. Gjithmonë e kam vuajtur në heshtje indiferencën pushtetare kur individë të pashpresë por me sy nga shpresa për demokraci vetdigjeshin , pasardhës të familjeve të vuajtura nga diktatura iknin e iknin nga atdheu me barra zhgënjimi mbi supe. Kam reaguar me vigjilencë kur trashëgimtarë vuajtjesh e persekutimi ndëshkoheshin me papunësi në ditët më të bukura të udhëheqjes së asaj që ne e quanim dhe donim një forcë të djathtë. Dialogu i munguar në PD, jo pak herë na shndërroi në monologues që në pamundësi për t’u dëgjuar i flisnim vetes por si idealiste prap mendoj se koha e reflektimit ështē plurale dhe kurrë nuk ështē vonë pêr të thënë çka nuk u tha apo për të kërkuar ndjesë për gabime që tkurrën atë formacion lirie që lindi për ti dhënë frymë lirive të munguara. Dhe si idealiste që jam, me liri kuptoj liritë që lindin të tjera liri e ku baza është Zoti dhe e drejta që nuk cënon askënd . Është idealiste të besosh se askush nuk duhet përjashtuar në demokraci ,askush nuk duhet lënë menjanë apo mohuar në forume të tilla ku individi ka vlerë po aq sa grupimi . Mendoj se do të kishte qenë shumë e thjeshtë të kishim pasur një PD demokratike , mjafton të mos imitomim Partinë e Punës, dhumuesen 50 -vjeçare të lirive, të drejtave, pronës , historisë, ekonomisë, edukimit , njohjes së botës përreth dhe asaj tonës brenda nesh. Mjafton ta donim e shfletonim historinë tonë , ti njihnim e nderonim njerëzit tanë të edukuar brenda dhe jasht vendit, të donim njëri -tjetrin e të mos i shpallnim armiq ëndërrimtarët e lirisë dhe Kombit të përbashkuar, t’ju kërkonim ndjesë viktimave të diktaturës e ti kishim ata ne muzetë e ndêrgjegjes dhe të historive tona. Duket e pamundur edhe pse ishte e thjeshtë ti dëgjoje zërat që nuk flisnin dot , ata që viktima i bēri regjimi, mjerimi por edhe injorimi dhe indiferenca e autoriteteve. Mjafton të ishim opozita e së keqes, e dhunës, vjedhjes, imoralitetit shthurjes , dhe do ta kishim tejkaluar kështu sadopak të shkuarën tonë që na mban peng . Mund të duket idealiste por nga poltika mësova të mos urrej kurrë askënd për bindje të ndryshme politike nga unë . Dhe kêshtu shumë nga ata në mos do të mendonin si unë , do të më kuptonin dhe mirëkuptonin. Dhe kjo nuk është teori por realitet që unë e kam jetuar jo shumë vite më parë. Askujt nuk mund ti imponohesh dot me forcën e pushtetit apo me presion , më keq akoma me shpifje e shantazh pasi koha provon se gjithçka ke aplikuar gjatë udhës do të rikthehet në po të njejtën mēnyryrë mbi ty. Mund të duket idealiste por në të gjitha statistikat, fjalëkëmbimet , korrespondencat të dhënat që unë ruaj ka një historizës të vogël çka më rrëfen se historia është ajo që mban gjallë subjektet dhe objektet tona dhe se ajo pa individët dhe rolin e ture nuk frymon. Në debatet brenda të tërês siç është rasti i fundit në PD nuk mund të ketë; me mua apo me atë , përgjigja ime ndonëse idealiste do të ishte; me historinë , me atë që lindi rrugicave të qytetit studenti, u ngjiz nga petagogët dhe intelektualet dhe u lind nga idealistët dhe dashnorët e lirisë . Po po është idealiste të pohosh se po ajo liri thërret prap ;intelektualët dhe themeltarët, patriotët dhe mendimtarët per ti çelur udhën e arsyjes një politike të djathtë që ka rast të jetë e kundërta e të keqes që ka pllakosur vendin tonë , një shteg shprese se atij vendi nuk i mungojnë mendimtarët dhe patriotët që dijnë tja mbrojnë të tashmen në udhëkryq dhe të shkuarën që ende nuk është shkruar . Marjana Bulku

Featured Post

Vlera e emocioneve, refleksioneve dhe kujtimeve njerëzore në kushtet e ftohtësisë së inteligjencës artificiale.

Asgjë nuk e zevendëson dot fuqinë e ndjenjave dhe përjetimit në kohët kur teknologjia informatike avancon kaq shpejt dhe ftohtësisht. Edhe p...