Një Jetë…Disa Histori: Të lindësh në kohën e gabuar (Astrit Rama)
NË VENDIN KU QYTETIN E SHEH NGA LART...
Begjuneci...
Është ndër vendbanimet e pakta në Dibër ku Peshkopia shihet si në pëllëmbë të dorës, me Drinin që gjarpëron dhe ikën dredhërueshëm tej luginave veriore,më poshtë shtrihen lagjet Bulke, Dobrovë, Kamen, Pazar i vjetër, të cilat përshkallëzohen drejt qendrës së qytetit ku bulevardi i blinjtë memorizon njerëz, hapa, histori. Aty kaloi vitet e para të fëmijërisë Astrit Rama, intelektuali jeta e të cilit i ngjan një libri të pashkruar, mbushur me histori të parrëfyera të cilat shtegtojnë midis Peshkopisë dhe Parisit, Spaçit dhe Kutallisë (Berat), telave me gjemba ku ndaheshin dy Dibrat shqiptare, burgu 17 ditor në Shkup, kampi i të burgosurve në Beograd, rikthimi në Paris...

HISTORITË QË NDRYSHOJNË JETË
Qytetarët e Peshkopisë e njohin dhe nuk e njohin Astritin, pasi përmasat e intelektualëve të formuar në perëndim është shumë e vështirë të kuptohen nga katër lagje qyteti ku katër orë programi televiziv nuk munden të ushqejnë dot me dije e liri e aq më pak me shpresa qindra e mijëra jetë. Por fati i intelektualëve që lindin në kohën e gabuar, nuk do thoja kurrë në vendin e gabuar sepse ai vend plot bukuri është si kurorë mbi qytet, është apsurd ka raste që është edhe tragjik. Fati i qyteteve shqiptare ku mungesa e intelektualëve vjen edhe nga sulmi i padrejtë që u bëhet atyre prej mendjesh lilipute është akoma edhe më tragjik. Astriti, fëmija që ecte në këmbë mbi rreth një orë për të ndjekur mësimet në shkollën "Demir Gashi" shkëlqente në mësime edhe pse me humor na rrëfen se nëna e angazhonte shpesh edhe me punët e familjes si më i madhi fëmijë që ishte.
E kaluara e tij ka aq shumë për të treguar. Ai ka folur shumë pak për vete dhe në këtë ditë janari 2019 jemi unë, Iliri dhe Milva (bashkëshortja e tij ) që ia trazuam kujtesën e tij të fortë dhe të freskët me data të sakta, emra, detaje të cilat ai nis e i tregon shpesh herë me emocione ku lexohet dhimbje, plagë, trazuar nga një lloj furtune e brendëshme 25 vjeçare brenda gjashtëdhjetë e ca viteve jetë ku vitet 70-të do ndryshojnë rrjedhën e jetës së tij ,për mirë apo për keq nuk dij ta them por me shumë siguri pohoj se vite si ato plot dallgë dhe stuhi që çuditërisht njeriu ia shkakton njeriut në shtetin e vet që ka aq pak përgjegjësi, kujdes dhe dashuri për shtetasit e vet, skalitën të riun antikonformist, që nuk pajtohej dot me të keqen pasi preku magjinë e lirisë edhe pse përkohësisht. Ishte një moment kur në kuadrin e marrdhënieve kulturore Francë-Shqipëri, disa nga studentët më të mirë të gjuhëve të huaja të Fakultetit Histori-Filologji Tiranë do të studjonin në Paris në Universitetin e Sorbonës, sipas një kontrate 5-vjeçare që rinovohej çdo vit mbi bazë të rezultateve. Dhe kështu nis kthesa e fortë në jetën e një të riu shqiptar, dibran, drejt Parisit, Nices, Korsikës të cilat nga shfletimet nëpër botimet e kohës në perceptimin real ishin larg, shuuumë larg...-shprehet Astriti ndërsa ndalon gjatë teksa përshkruan atë 27 dhjetor të dëbortë të vitit 1970-të në Parisin e paimagjinueshëm.