Një Jetë…Disa Histori: Të lindësh në kohën e gabuar (Astrit Rama)
NË VENDIN KU QYTETIN E SHEH NGA LART...
Begjuneci...
Është ndër vendbanimet e pakta në Dibër ku Peshkopia shihet si në
pëllëmbë të dorës, me Drinin që gjarpëron dhe ikën dredhërueshëm tej
luginave veriore,më poshtë shtrihen lagjet Bulke, Dobrovë, Kamen, Pazar i
vjetër, të cilat përshkallëzohen drejt qendrës së qytetit ku
bulevardi i blinjtë memorizon njerëz, hapa, histori. Aty kaloi vitet e
para të fëmijërisë Astrit Rama, intelektuali jeta e të cilit i ngjan
një libri të pashkruar, mbushur me histori të parrëfyera të cilat
shtegtojnë midis Peshkopisë dhe Parisit, Spaçit dhe Kutallisë (Berat),
telave me gjemba ku ndaheshin dy Dibrat shqiptare, burgu 17 ditor në
Shkup, kampi i të burgosurve në Beograd, rikthimi në Paris...
HISTORITË QË NDRYSHOJNË JETË
Qytetarët e Peshkopisë e njohin dhe nuk e njohin Astritin, pasi
përmasat e intelektualëve të formuar në perëndim është shumë e vështirë
të kuptohen nga katër lagje qyteti ku katër orë programi televiziv nuk
munden të ushqejnë dot me dije e liri e aq më pak me shpresa qindra e
mijëra jetë. Por fati i intelektualëve që lindin në kohën e gabuar, nuk
do thoja kurrë në vendin e gabuar sepse ai vend plot bukuri është si
kurorë mbi qytet, është apsurd ka raste që është edhe tragjik. Fati i
qyteteve shqiptare ku mungesa e intelektualëve vjen edhe nga sulmi i
padrejtë që u bëhet atyre prej mendjesh lilipute është akoma edhe më
tragjik. Astriti, fëmija që ecte në këmbë mbi rreth një orë për të
ndjekur mësimet në shkollën "Demir Gashi" shkëlqente në mësime edhe pse
me humor na rrëfen se nëna e angazhonte shpesh edhe me punët e familjes
si më i madhi fëmijë që ishte.
E kaluara e tij ka aq shumë për të
treguar. Ai ka folur shumë pak për vete dhe në këtë ditë janari 2019
jemi unë, Iliri dhe Milva (bashkëshortja e tij ) që ia trazuam kujtesën e
tij të fortë dhe të freskët me data të sakta, emra, detaje të cilat ai
nis e i tregon shpesh herë me emocione ku lexohet dhimbje, plagë, trazuar nga një lloj furtune e brendëshme 25 vjeçare brenda
gjashtëdhjetë e ca viteve jetë ku vitet 70-të do ndryshojnë rrjedhën e
jetës së tij ,për mirë apo për keq nuk dij ta them por me shumë siguri
pohoj se vite si ato plot dallgë dhe stuhi që çuditërisht njeriu ia
shkakton njeriut në shtetin e vet që ka aq pak përgjegjësi, kujdes dhe
dashuri për shtetasit e vet, skalitën të riun antikonformist, që nuk
pajtohej dot me të keqen pasi preku magjinë e lirisë edhe pse
përkohësisht. Ishte një moment kur në kuadrin e marrdhënieve kulturore
Francë-Shqipëri, disa nga studentët më të mirë të gjuhëve të huaja të
Fakultetit Histori-Filologji Tiranë do të studjonin në Paris në
Universitetin e Sorbonës, sipas një kontrate 5-vjeçare që rinovohej çdo
vit mbi bazë të rezultateve. Dhe kështu nis kthesa e fortë në jetën e
një të riu shqiptar, dibran, drejt Parisit, Nices, Korsikës të cilat
nga shfletimet nëpër botimet e kohës në perceptimin real ishin larg,
shuuumë larg...-shprehet Astriti ndërsa ndalon gjatë teksa përshkruan
atë 27 dhjetor të dëbortë të vitit 1970-të në Parisin e paimagjinueshëm.